Tetor 5, 2021 | Tuesday

Kosova është vend i vogël por me tregime të mëdha – Samir Karahoda autor i filmit “Pa Vend”

Pavarësisht vështirësive socio-ekonomike, 2021 është etiketuar si një vit i artë për kinematografinë e Kosovës. Regjisorët nga Kosova arritën të shfaqin filmat e tyre dhe të fitojnë çmime në festivalet më të njohura të filmit në botë. E gjitha filloi në shkurt 2021, kur “Zgjoi” i Blerta Bashollit bëri histori duke u bërë filmi i parë i huaj që fitoi tre çmime kryesore në Festivalin e Filmit Sundance. Për më tepër, filmi fitoi Çmimin e Publikut, Çmimin e Regjisë dhe Çmimin e Jurisë së Madhe të Kinemasë Botërore. “Luaneshat e kodrës” nga Luana Bajrami u nominua në Festivalin e Filmit në Kanë për kamerën më të mirë, ndërsa filmi i Norika Sefës “Duke kërkuar Venerën” ishte një histori tjetër suksesi, duke fituar çmime të shumta në festivalin e filmit në Roterdam, Hong Kong, Venecia dhe Sarajevë. Në shtator, filmi i Kaltrina Krasniqit “Vera andrron detin” u nominua në pesë kategori dhe fitoi dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.

Pas premierës ndërkombëtare në Festivalin e Filmit në Kanë, “Pa Vend” i Samir Karahoda fitoi çmimin e Filmit më të Mirë të Shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto (TIFF) dhe u kualifikua drejtpërdrejt për të konkurruar për Oskar 2022. Për të mësuar më shumë rreth filmit, ne intervistuam autorin Samir Karahoda.

  • Për çka flet filmi “Pa Vend” dhe si ju lindi ideja për të krijuar një film të tillë?

“Pa vend” është një tregim i bazuar në ngjarjen e vërtetë të klubit më të suksesshëm të ping-pongut në Kosovë, për klubin e ping-pongut “Lidhja e Prizrenit”, nga Prizreni. Filmi trajton një temë që mendoj që është dashur të trajtohet më herët, pra mënyrën se si sportistët dhe fëmijët tanë ballafaqohen me mungesën e hapësirave për të zhvilluar talentin e tyre. Pra përmes sportit të ping-pongut, unë si artist dërgoj një mesazh dhe njëkohësisht tentoj të sensibilizoj këtë problem duke e zgjeruar në aspektet dhe temat tjera, si neglizhenca ndaj sportistëve apo migrimi, i cili është një problem që shoqëria jonë vazhdon të ballafaqohet akoma në ditët e sotme.

Këtë barrierë me të cilën ballafaqohen sportistët tanë, për herë të parë e kam hasur dikur në vitet 2004-2005 dhe prej atëherë në këtë klub akoma asgjë nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, edhe sot përderisa po flasim sportistët vazhdojnë t’i bëjnë ushtrimet e tyre në kushte jo normale. Pra tregimi i tyre fatkeqësisht mbetet i njëjte. 

  • Filmi është shpërblyer me çmimin kryesor në Toronto Film Festival/TIFF. Cilat kanë qenë komentet që filmi ka marrë?

Filmi ka pasur dhe vazhdon të ketë një rrugëtim jashtëzakonisht të mirë dhe premtues. Çmimi jonë i fundit në Toronto Film Festival (TIFF) është ndër çmimet më të mëdha që kam pranuar ndonjëherë, pasi që TIFF njihet si festivali më i madh publik në botë dhe njëri ndër festivalet më të rëndësishme në Amerikën Veriore. Po ashtu, festivali renditet në TOP 5 në kategorinë e festivaleve më të rëndësishme në botë. Pra me këtë çmim ne kemi fituar të drejtën që të fillojmë rrugëtimin tjetër të rëndësishëm, kandidimin për Oskar. Filmi kryesisht është vlerësuar për temën dhe formën e tregimit që kam trajtuar dhe njëkohësisht dhe gjithmonë të dy filmat janë vlerësuar po ashtu edhe për fotografinë si pjesë përbërëse kyçe të rrëfimit.

  • Për ju si autor i filmit, sa është i rëndësishëm çmimi i fituar në TIFF?

Çmimi i TIFF, normalisht që është një çmim prestigjioz dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm, një çmim që hapë mundësi të reja, një çmim që s’ka çmim, por është një investim për të ardhmen. Por dua të shtoj që pjesëmarrja jonë në Festivalin e Kanës ka qenë ndoshta gjëja më e madhe që e kemi pasur deri më tani. Pra pas prezantimit të filmit në Kanë, personalisht kam pranuar shumë oferta dhe vazhdoj të pranoj oferta nga vende të ndryshme të botës për bashkëpunim dhe mundësi përkrahjeje të projekteve të ardhshme të cilat i shqyrtoj dhe i vlerësoj me kujdes dhe nuk dua që të bëjë diçka që nuk më flenë emocionalisht. Me prezencën në Kanë e kam kuptuar shumë më mirë se sa e rëndësishme është pjesëmarrja dhe se sa mund të ndikoj në transformim të një autori ku hapen dyert dhe mundësitë për projektet e ardhshme.

  • Cilat janë sugjerimet tua për filmbërësit e rijnë?

Mos nxitoni! Kosova është vend i vogël por ka tregime të mëdha. Fakti që Kosova është e vogël nuk do të thotë që edhe ne jemi të vegjël. Unë te dy filmat i kam punuar me 100% ekip kosovar, kjo më së miri e dëshmon që pavarësisht se në çfarë vendi jetojmë, me çfarë kushtesh punojmë, kur bëhemi bashkë ne jemi të barabartë edhe ndoshta më të fortë se shumë vende më të zhvilluara, po flas nga aspekti kinematografik. Punë, punë, punë… puna e mirë një ditë patjetër që do të vlerësohet, nëse jo këtu diku do të vlerësohet dhe do të hapë mundësi të reja. Mendoj që nuk duhet të kemi paragjykime se të jetosh në Kosovë nuk mund të bësh asgjë! Ne jemi vend demokratik dhe i hapur, mundësitë duhet t’i kërkojmë vet edhe atë me punë e jo me ankesa! Puna e mirë, përkushtimi, konsultimi dhe bashkëpunimi me kolegët janë forma të cilën e kam aplikuar gjithmonë dhe mendoj që ka funksionuar.

  • Cilat janë pritjet në Oskar?

Nuk duhet të jemi euforik, në të njëjtën kohë ne jemi edhe kandidat për Akademinë Evropiane të Filmit ku jemi nominuar nga festivali i Kanës si filmi më i mirë Evropian, që njihet si Oskari Evropian. Ne akoma jemi në vlerësim dhe shqyrtim të strategjisë se a duhet të aplikojmë këtë vit apo vitin tjetër për në Oskar. Meqenëse filmi ka një rrugëtim jashtëzakonisht të suksesshëm nëpër festivale dhe akoma nuk i ka bërë 3 muaj, ne do të jemi prezent në mbi 20 festivale të përzgjedhura nga ne, pasi që kemi pranuar më shumë ftesa. Me pjesëmarrje në Oskar mendojmë se do t’ia shkurtonim jetën filmit, por prapë se prapë na ka mbetur edhe pak kohë të vendosim, është një vendim i rëndësishëm që mendoj se duhet të marrim edhe pak këshilla nga njerëz të industrisë dhe me përvojë të ngjashme. Sidoqoftë nominimi nga një festival si TIFF neve na jep shpresa sepse është një festival jashtëzakonisht i rëndësishëm sidomos në SHBA dhe me siguri do të ketë perceptim ndryshe nga anëtarët e akademisë së filmit.

  • Planet për të ardhmen?

Siç e përmenda edhe më lartë, për momentin jam në shqyrtim të disa projekteve dhe ideve potenciale për zhvillim, por në të njëjtën kohë kam presion me ofertat jashtëzakonisht interesante të cilat vijnë nga shtete të ndryshme të cilat jam duke i menduar. Sidoqoftë, jeta në Kosovë vazhdon njëjtë ashtu siç ka qenë gjithmonë dhe shpresoj të mbetem gjithmonë i njëjtë dhe krenar që prezantoj vetën si kosovar.