Korrik 11, 2024 | Thursday

Aksioni për Deminimin e Kosovës – Garantimi i sigurisë dhe hapja e shtigjeve për zhvillimin e turizmit

Ky Aksion synon t’ua kthejë tokën e ndotur më parë nga municionet thërrmuese dhe minat tokësore në Kosovë komuniteteve lokale për përdorim të sigurt dhe produktiv, duke i mbrojtur kështu gratë dhe burrat civilë, duke e siguruar jetesën e tyre dhe duke mundësuar zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të mëtejshme. Ky Aksion do t’i kontribuojë qëllimit të shpallur nga qeveria e Kosovës për ta bërë Kosovën të lirë nga minat.

Mbi 400,000 m2 të kontaminuara nga minat dhe 3,600,000 m2 nga mbetjet e municioneve thërrmuese do të pastrohen dhe do t’u kthehen komuniteteve falë Aksionit për Deminimin e Kosovës – Pastrimin e Minave dhe Municioneve Thërrmuese që do të bëhet nga Norwegian People’s Aid dhe Halo Trust People, me mbështetjen bujare të BE-së. Komunitetet lokale duhet të sigurohen që toka e tyre të jetë e sigurt para se ta përdorin atë në mënyrë produktive. 

Përveç kthimit të tokave të kontaminuara më parë nga municionet thërrmuese dhe minat tokësore në Kosovë tek komunitetet lokale, Aksioni për Deminimin e Kosovës krijon mundësi të mëdha punësimi për komunitetet që jetojnë përreth këtyre zonave. HALO i ka rekrutuar, trajnuar, pajisur dhe vendosur katër ekipe për pastrimin e minave. 

Është e rëndësishme të theksohet se pjesa më e madhe e zonave të rrezikshme të mbetura ndodhen në rezervate natyrore, male dhe pyje, në kullota dhe toka bujqësore, duke e cenuar drejtpërsëdrejti sigurinë e njerëzve që jetojnë në këto zona, por edhe mundësitë për zhvillim të turizmit. Lirimi i tokës së këtyre zonave do ta mundësojë ringjalljen e turizmit, aktivitetet rekreative dhe mbrojtjen e mjedisit. 

Kosova duhet t’i shohë dobitë e drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta nga ky pastrim, të cilat variojnë nga rritja e hapësirës së tokës prodhuese për t’u kultivuar, numrit të bagëtive në pronësi të komuniteteve dhe rritja e turizmit ose trafikut tjetër në zonat e tyre pas pastrimit. Disa pronarë të bizneseve kanë raportuar se ata po ashtu parashikojnë që të jenë në gjendje të punësojnë më shumë njerëz si rezultat i drejtpërdrejtë i pastrimit, duke i kontribuar kështu përmirësimit të gjendjes ekonomike të popullatës lokale dhe mundësive të mëtejshme për zhvillim si brenda komuniteteve të ndikuara, ashtu dhe në mbarë Kosovën.