Janar 19, 2024 | Friday
Momentet më të bukura nga ngjarja: Liberalizimi i vizave: Eksplorimi i mundësive për studentët
“Mësimi më i vlefshëm nga diskutimi ishte për mundësitë për studime jashtë vendit, gjetjen e lidhjeve mes këndvështrimeve të ndryshme, si dhe pasurimin e njohurive. Do t’i shfrytëzoj këto njohuri për ta përmirësuar të kuptuarit tim rreth sfidave globale dhe për t’u përgatitur për një karrierë ndërkombëtare”, thotë Vesa Shatri, studente e Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë në Kosovë. Së fundmi, në një ngjarje për të festuar liberalizimin e vizave për Kosovën, me përqendrim në mundësitë e paraqitura për studentët, Vesa ndau mendime të ngjashme me shumë bashkëmoshatarë të saj që vijnë nga universitete të ndryshme publike dhe private të Kosovës. Liberalizimi i vizave për Kosovën që hyri në fuqi në fillim të vitit 2024 paraqet një moment historik të rëndësishëm për horizontin akademik dhe kulturor të studentëve të Kosovës.
Liberalizimi i vizave: Eksplorimi i mundësive për studentët ishte pjesë e një fushate më të madhe të zhvilluar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në dritë të liberalizimit të vizave për Kosovën. Nën sloganin ExploreEurope (Eksploro Evropën) dhe duke iu bashkuar fushatës PaViza të Qeverisë së Kosovës, kjo fushatë synon të informojë njerëzit në mbarë Kosovën për destinacionet kryesore turistike të BE-së, si dhe të nxjerrë në pah rregullat dhe rregulloret e udhëtimit pa viza në shtetet anëtare për vizita me qëndrim të shkurtër.
Më 14 dhjetor, studentë nga universitete të ndryshme publike dhe private në Kosovë u mblodhën në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në një diskutim festiv të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Me një panel të përzier me studentë dhe zyrtarë të BE-së e të qeverisë së Kosovës, studentët patën mundësinë të eksplorojnë mundësitë që u ofrohen me liberalizimin e vizave.
Zëvendës Udhëheqësja e Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Eva Palatova, e cila foli në hyrje të diskutimit festiv, nënvizoi implikimet më të gjera të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e afërsisë fizike për të përjetuar kultura të ndryshme dhe ndikimin që kjo ka duke u ndihmuar njerëzve të mësojnë rreth historive të vendeve të ndryshme përmes përvojave të drejtpërdrejta.
Znj. AnnaCarin Platon, Udhëheqëse e Seksionit për Integrime Politike, Ekonomike dhe Evropiane dhe për Shtyp dhe Informim në Zyrën e BE-së në Kosovë, hodhi dritë mbi përfitimet e shumanshme të vullnetarizmit. Ajo ndau rrugëtimin e saj frymëzues, duke ilustruar se si vullnetarizmi në vende të ndryshme e formësoi ndjeshëm atë personalisht dhe profesionalisht. “Vullnetarizmi është një mundësi e madhe për të dhënë diçka kuptimplotë”, tha ajo.
Fatmir Curri, Këshilltar i Jashtëm për Integrime Evropiane i Zëvendëskryeministrit të Parë të Kosovës, krahasoi kufizimet e kaluara për shkak të procedurave të komplikuara të vizave me momentumin e ri të paraqitur për studentët kosovarë me liberalizimin e vizave. Ai foli për përfitimet e drejtpërdrejta për studentët, si vizita në universitete para fillimit të studimeve dhe mundësitë për të marrë pjesë në konferenca të ndryshme, shkolla verore dhe programe të tjera edukative që zhvillohen në shtetet anëtare.
Aida Fejzullahu, ambasadore e re evropiane dhe e diplomuar për Ekonomi dhe Politika Shëndetësore, e cila mori pjesë në diskutim, dëshiron ta shfrytëzojë këtë mundësi për të eksploruar mundësitë e ofruara për studentët dhe profesionistët e rinj. “Unë jam absolutisht entuziaste për të eksploruar mundësitë e studimit jashtë vendit. Liberalizimi i vizave ka hapur shumë dyer për studentët kosovarë si unë, duke lehtësuar procesin e qasjes në arsimin ndërkombëtar. Kjo iniciativë ka hequr barrierat e mëparshme, duke ofruar qasje më të madhe dhe mundësi për t’u angazhuar me komunitetet akademike globale, duke nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin reciprok”, thotë Fejzullahu, duke theksuar rëndësinë e të mësuarit për programe të ndryshme arsimore, përvoja kulturore dhe qasje të ndryshme ndaj të mësuarit, dhe duke shtuar se të gjitha këto së bashku e kanë pasuruar të kuptuarit e e saj për mundësitë globale për rritje personale dhe akademike. Në mënyrë të ngjashme, Djellza Ibrahimi, një tjetër ambasadore e re evropiane, theksoi rëndësinë e frekuentimit të programeve të ndryshme arsimore, një ndjenjë e përhapur gjerësisht në mesin e të rinjve. “Të kesh mundësinë për të marrë pjesë në konferenca, punëtori dhe trajnime të ndryshme është një mundësi fenomenale për të gjithë të rinjtë në Kosovë”, na tha ajo.
Për Christian Böttcher – Udhëheqës i Kulturës, Mediave dhe Komunikimit në Ambasadën Gjermane në Kosovë, ky është fundi i një epoke. Liberalizimi i vizave është një mundësi e madhe për qytetarët e Kosovës që të lidhen me diasporën më të madhe të Kosovës në Gjermani. “Liberalizimi i vizave”, thotë ai ndër të tjera, “për ne nënkupton një shans që njerëzit tanë të afrohen me atdheun e tyre”.
Amina Kaja, ambasadore e re evropiane, dhe Elton Bajramaj, student i Arkitekturës dhe fitues i çmimit global Inspireli ishin gjithashtu pjesë e panelit të moderuar nga Naile Dema Selmani, ku u nënvizua roli kritik i këtij momenti historik në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Përveç për të mësuar më shumë rreth mundësive për studentët, të pranishmit në ngjarje u ftuan të bëhen pjesë e një loje shpërblyese për të fituar dy bileta kthyese për në Milano, duke simbolizuar momentumin e ri që ua lejon kosovarëve të udhëtojnë pa viza në Evropë për qëndrime të shkurtra. Gjatë hyrjes, të pranishmit u ftuan të shkruajnë emrat e tyre në kartolinat e prodhuara më herë në vitin 2023 në kuadër të fushatës Explore Europe. Në fund të ngjarjes Elton Behramaj ishte personi me fat, emri i së cilit u tërhoq nga kutia nën shoqërinë e brohoritjeve nga publiku.
Teksa studentët e Kosovës nisin këtë kapitull të ri, mundësitë për rritje personale, akademike dhe profesionale janë të pakufishme. Liberalizimi i vizave nuk është vetëm një ndryshim i politikave; ai është një urë që lidh rininë e Kosovës me botë të reja të mundësive, duke nxitur të kuptuar më të thellë dhe më gjithëpërfshirës të kulturave dhe shoqërive të ndryshme evropiane.