Tetor 4, 2021 | Monday
Sistemi arsimor në Kosovë ka mangësi në njërën nga fushat më të rëndësishme të kohës sonë, atë të inxhinierisë teknologjike. Duke u nisur nga ky fakt dhe përvoja shumëvjeçare me fëmijë në Akademine jCoders ku kemi identifikuar mungesën e veglave të nevojshme që i mundësojnë fëmijëve të mësojnë në mënyrë praktike se si krijohet dhe si funksionon teknologjia në përgjithësi, kemi themeluar kompaninë “Labbox”.
Labboxi ka zhvilluar një librari te blloqeve elektronike për fëmijë, përmes së cilave fëmijët në mënyre praktike mund të krijojnë projekte të ndryshme elektronike dhe të inxhinierisë. Ne kemi dizajnuar dhe prodhuar një seri të produkteve fizike, të cilat janë të dizajnuara sipas një plan-programi të certifikuar në STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë). Secili produkt është i lidhur me objektiva të caktuara mësimore, si dhe u mundëson fëmijëve në mënyrë praktike të kuptojnë koncepte të ndryshme të botës së teknologjisë, koncepte këto të cilat fëmijët i aplikojnë duke krijuar projekte elektronike.
Përpos kësaj, “Labbox” ofron lehtësim për prindërit që kanë rol aktiv në zhvillim e fëmijëve të tyre, duke ju ofruar strukturë të aktiviteteve të cilat angazhojnë kohën e fëmijëve të tyre në shtëpi në mënyrë me efektive. Edukimi i një fëmije nuk përbën vetëm kohën që fëmijët e kalojnë në shkollë, mirëpo është një bashkë-dyzim i eksperiencës totale që fëmijët e marrin në shkollë, në shoqëri dhe në shtëpi. Përmes “Labboxit”, prindërit sot kanë mundësi të punojnë me fëmijët e tyre në aktivitete atraktive edukative te fushës së elektronikës dhe inxhinierisë, të rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve.
Një gjë për të cilën jemi krenarë, është fakti se kemi arritur të zhvillojmë produkte edukative autentike, të cilat janë në pronësi intelektuale të “Labbox”. Për më shumë, falë zgjidhjeve inovative të ofruara, “Labbox” ka arritur të bëhet pjesë e “Techstars”, akseleratorit më të madh botëror i cili pranon globalisht 1-3% të start-upeve, si dhe kemi arritur të tërheqim kapital sipërmarrës nga investitorë institucional, sukses i cili edhe njëherë konfirmon potencialin e Labboxit.
Por suksesi ynë më i madh dhe ajo që na gëzon më së shumti padyshim është efekti i jashtëzakonshëm që “Labbox” ka në zhvillimin e fëmijëve. Efekti i matur nga shumë testime të realizuara nga Labboxi, tregon që fëmijët të cilët mësojnë për elektronikë dhe inxhinieri me produktet e “Labboxit”, shfaqin tre herë më shume njohuri të përthithura se me produkte tjera. Aq me tepër, kemi observuar ngritje eksponenciale të eksperimentimit, e cila mundësohet nga dizajnet specifike të produkteve tona.
Suksesi i “Labbox” nuk është arritur lehtë. Përkundrazi, ka kërkuar shumë punë dhe përkushtim. Ndërmarrësia është një fushë komplekse dhe multidisciplinare, e cila kërkon bukur shumë energji, mirëpo edhe ofron eksponencialisht shumë shpërblim në rast të suksesit. Zhvillimi individual dhe profesional në ndërmarrësi është gjithashtu eskponencial, dhe kjo ofron kënaqësi për ata që kanë ambicie. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në një fushë të caktuar, atëherë mund t’ju them se ndërmarrësia është një mundësi konkrete për ta realizuar idenë tuaj dhe për ta sjell në realitet. Ky proces është njëri nga proceset me shpërblyes në jetë, pasi që do të jeni dëshmitarë të krijimit të një gjëje të re në botë, e cila sjell përfitim të shumëfishtë për të gjithë të përfshirët: ekipin, konsumatorët, partnerët, investitorët dhe të gjithë hisedarët.
Arta Shehu – Bashkëthemeluese dhe drejtoreshë e “Labbox”