Nëntor 4, 2020 | Wednesday

Lend Mustafa: Shkelja e të drejtave të komunitetit LGBTI duhet të marrë fund

Parada e sivjetshme e Krenarisë është organizuar në një formë si kurrë më parë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Në kushte mjaft të vështira, kemi vazhduar traditën për të qenë të dukshëm duke shprehur kërkesat tona të fuqishme për të drejtat e personave LGBTI në Kosovë. Sllogani i këtij viti ka shfaqur këmbngulje për barazi në martesë, gjë që garantohet me kushtetutë. Kjo paradë ka përçuar një mesazh të fuqishëm tek personat LGBTI+ dhe qytetarët e Kosovës. Përmes kësaj parade e kësaj kërkese kemi dhënë fjalën që do t’i përkushtohemi lëvizjes deri në barazi dhe kemi treguar që nuk do të vazhdojmë të jemi të kënaqur me gjysmë drejtësie, gjysmë ligji dhe gjysmë përkushtimi nga institucionet përkatëse.

Po, du! ka qenë kërkesa për këtë paradë, si nevojë për ta pranuar propozimin, si kërkesë për barazi, e si këmbngulje për të drejtën e cila na takon me kushtetutë.
Ani pse këtë vit nuk kemi pasë Javë të Krenarisë e Muaji i Krenarisë nuk ka qenë si çdo vit tjetër, na ka mjaftuar një ditë e paradës për kërkesën tonë e cila është përkrahur nga ambasada, komuna e Prishtinës, donatorë të ndryshëm, organizata të shoqërisë civile dhe është manifestuar nga personat LGBTI+ në Kosovë.

Nuk do të tolerojmë më të jemi opsion sekondar apo terciar nga institucionet, nga individët në pushtet dhe në karrige vendimmarrëse e nga deputetët. Shkelja e të drejtave tona si komunitet duhet të marrë fund dhe asnjë sfidë e jona nuk duhet të lihet anash duke prioritizuar çështje të tjera kur është mundësia të shtyhen paralelisht. Ne, si qytetarë të Republikës së Kosovës, kemi të drejta të garantuara me kushtetutë e këto të drejta na takojnë menjëherë, pa pasur nevojë të pritet, të shtyhet apo të improvizohet. Të marrësh pjesë në paradë është një formë e përkrahjes, mirëpo asnjëherë nuk është mjaftueshëm – veçanërisht për personat në pozita të larta të cilët kanë mundësinë të bëjnë ndryshim, të mos mendojnë që do të verbohemi nga entuziazmi i Paradës. Është koha të kuptojnë që të luhet karta e njëjtë çdo vit nuk funksionon për shumë gjatë dhe do të vijë koha që do të duhen të fillojnë të marrin vendime në të mirën tonë. Përkrahja është gjithmonë mëse e mirëseardhur nga secili person, mirëpo të heshtët në momente padrejtësie është barabartë e dëmshme sa është edhe homofobia dhe transfobia.

Të drejtat e personave LGBTI+ janë prioritet e duhet të fillojnë të konsiderohen si të tilla dhe vlerat tona nuk duhet asnjëherë të vihen në dyshim dhe të nënvlerësohemi si qytetarë të Republikës së Kosovës.

Java e Krenarisë vazhdon të jetë javë në të cilën adresojmë çdo problem social që na pengon të jetojmë të barbartë në Kosovë, e nëse nuk janë mundësitë për organizimin e Javës së Krenarisë, për ne do të mjaftojë edhe një ditë, një paradë në këmbë apo vetura, që të jemi të dukshëm. E kur të mos ketë asnjë çështje për t’u adresuar, do të festojmë fitore për çdo vit.

Lend Mustafa, aktivist