Nëntor 25, 2021 | Thursday

Mirjeta Shatri – aktivistja e re e muajit e pasionuar pas natyrës dhe vullnetarizmit

Dashuria për natyrën, kulturën, arsimin dhe fëmijët, të transformuara në aktivizëm dhe punë vullnetare, përpos që e kanë përmbushur Mirjetën në nivel personal, kanë rezultuar në shpalljen e saj si ambasadore e rinisë vullnetare. E diplomuar në Psikologji ku edhe vazhdon t’i ndjek studimet master aktualisht, Mirjeta Shatri është angazhuar në aktivitete të ndryshme vullnetare qysh në moshë të re. 

Gjatë viteve 2020-2021 Mirjeta ka qenë mentore e klubit të super-vullnetarëve “Mokna” në Istog, program edukativ inovativ i iniciuar nga organizata TOKA, për të vazhduar me vet-iniciativën “Mokna Outdoors”, për përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në aktivitete edukativo-psiko-zhvillimore në natyrë. Ndërkohë që nga viti 2018, Mirjeta ka qenë vullnetare në organizatën edukativo-mjedisore GAIA Kosovo, për të vazhduar me tutje si koordinatore e qendrës së edukimit jo-formal për fëmijë  “Imaginatorium” në Graçanicë.

Falë dashurisë dhe pasionit të madh për natyrën dhe mjedisin, Mirjeta është aktive si udhërrëfyese malore në klubin e bjeshkatarisë “Kosovo Mountain Club”, ndërkohë ajo është anëtare e plotë e GUIDEKS, si dhe e certifikuar si udhërrëfyese turistike për komunën e Prishtinës nga PPSE Prorgam Swisscontact. Mirjeta synon që shumë shpejtë të jetë udhërrëfyese malore rajonale, pasi që veçse është në fillet e saj si udhërrëfyese për shtegun “Majat e Ballkanit”, qe përfshin Kosovën, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Duke qenë e lidhur me natyrën, Mirjeta mendon se në mënyrë që fëmijët të kenë zhvillim të shëndetshëm dhe të jenë sa më kreativ, ata duhet t’i ekspozohen natyrës sa më shumë që të jetë e mundur. Sipas saj, mjedisi natyror është burim parimor për stimulimin e shqisave, lirinë për të eksploruar dhe luajtur, si dhe është esencial për zhvillim të shëndetshëm.

Po ashtu, Mirjeta beson se përdorimi i tepërt i teknologjisë shmang kontaktin njerëzor, duke i larguar njerëzit nga përvojat e drejtpërdrejta me njëri tjetrin. “Përvojat vullnetare dhe kontakti i drejtpërdrejt me njerëz nga fusha  dhe prapavija të llojllojshme hapin mendjen dhe zemrën dhe sjellin plot të mira në aspekte ndërpersonale – thotë Mirjeta.

Ajo i bën thirrje të gjithë të rinjve të Kosovës, që të jenë sa më aktivë, të besojnë në aftësitë e tyre dhe të mos harrojnë vlerat që posedojnë. “Një i ri apo e re nga Kosova, duhet të besojë që e meriton të jetë i dukshëm, i dëgjuar si dhe i dashur prej vetës dhe rrethit të tij, dhe të jetë i vetëdijshëm për mundësitë e jetesës në mënyrë kreative dhe konstruktive” – thotë Mirjeta. 

Dashni e dritë!