Maj 26, 2016 | Thursday

Arsimi dhe Aftësimi Profesional në Kosovë

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë e ka përmbyllur fushatën dymujore për arsimin dhe shkrim-leximin me aktivitete të shumta që kanë hedh dritë dhe kanë reflektuar mbi sistemin aktual arsimor dhe sfidat dhe mundësitë.

 

Rrëfimi kryesor i këtij muaji është për panelet për Diskutimet e BE-së mbi temën Arsimi dhe Aftësimi Profesional (AAP) në Kosovë, të mbajtur me 19 maj me panelistë nga institucionet, organizatat ndërkombëtare dhe sektori privat. Paneli diskutoi për programet aktuale të arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, reformat e nevojshme dhe iniciativat ndërkombëtare për të mbështetur zhvillimin e institucioneve lokale, dhe se si do të mund të dizajnohen programet e reja të AAP-së për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës.

 

Raporti i Progresit për vitin 2015 nga Komisioni Evropian theksonte se “…Sistemi aktual i Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) nuk është i akorduar me nevojat e tregut të punës. Pak programe të AAP-së kanë standardet që kërkohen për të marrë akreditimin nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.” Ndër të tjera, rekomandohet fuqishëm që rrjeti i shkollave të AAP-së të harmonizohet me nevojat e tregut të punës dhe të rishikohen programet e ofrimit të programeve të AAP-së.

 

Julia Leuther, udhëheqëse e ekipit të projektit për Arsim dhe Aftësim Profesional në Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) foli për sfidat në AAP dhe përgjigjet e mundshme drejt zgjidhjeve të qëndrueshme. Ajo identifikoi disa prej çështjeve të cilat hasen si në teori ashtu edhe në praktikë, siç janë perceptimi i dobët për AAP-në, afiniteti i lartë për profesionet akademike, përcaktimi individual për AAP për shkak të mungesës së alternativave, interesimi i vogël në praktikën profesionale nga ana e studentëve, përderisa sektorit privat shpesh i mungon interesimi për të investuar në programet e AAP-së, të diplomuarit aktualë në AAP shpesh nuk arrijnë të punësohen pasi që aftësimi i tyre nuk i ka pajisur me aftësitë e nevojshme teknike. Shteti dhe programet e AAP-së luajnë një rol të madh në këto fusha. Në fund, si sfida të mbetura ajo e përmendi apatinë e mësimdhënësve të AAP-së për profesionin e tyre të mësimdhënies, që shpesh është si vend i dytë i punës, dhe mungesën e resurseve në dispozicion për shkollat e AAP-së.

 

Argjentina Grazhdani, përfaqësuese e projektit të financuar nga Zvicra për Rritjen e Punësimit për të Rinjtë (EYE) u tregua kritike për sistemin e AAP-së në Kosovë dhe veçanërisht për neglizhencën e autoriteteve lokale për të investuar në ketë segment të veçantë të arsimit.

 

Problemi më i madh që ajo e citoj ishte lidhja reciproke ndërmjet sektorit privat dhe shkollave. Sipas Znj. Grazhdani, sektorit privat i mungojnë informacionet për programet e aftësimit profesional që janë në dispozicion për studentët gjithandej Kosovës dhe për kapacitetet njerëzore që ofrohen nga këto shkolla për tregun e punës. “Sektori privat nuk është i gatshëm që të bashkëpunoj me shkollat profesionale, ndërsa as autoritetet komunale nuk i informojnë të diplomuarit e AAP-ve se cilët janë punëdhënësit më të mëdhenj në vend për praktikë ose për punësim,” theksoi Znj. Grazhdani. Departamentet e burimeve njerëzore në kompani nuk identifikojnë planet strategjike për të parë se çfarë lloj kapitali njerëzor nevojitet për zhvillimin e sektorit të tyre, përderisa bërësit e politikave nuk fokusohen në ndryshimin e kësaj situate, theksoi Znj. Grazhdani. Një problem tjetër sipas Znj. Grazhdani është se secili konkurs i shpallur në sektorin publik ose privat e specifikon kushtin e diplomës universitare si kusht parësor për të fituar një vend pune dhe kjo ua pamundëson aplikimin të rinjve që kanë kryer aftësimin profesional.

 

Megjithatë, përfaqësuesi nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARR), Z. Ragip Gjoshi, ka identifikuar disa të arritura të qeverisë në ketë fushë. Ai theksoi se përkundër të gjitha sfidave perspektiva nuk është aq pesimiste. Z. Gjoshi theksoi se qeveritë komunale lokale po ashtu duhet të konsiderohen përgjegjëse për prioritizimin e arsimit profesional, megjithatë, legjislacioni që rregullon ketë fushë mungon dhe nuk është në përputhje me kërkesat e tregut të punës, theksoi Z. Gjoshi.

 

Kompanitë private siç është Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) kanë krijuar partneritet publiko-privat për të adresuar AAP-në. ANP ka krijuar Institutin për Shërbime të Aeroportit të Limak-ut, pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, i cili shërben si shkollë profesionale në fushën e aviacionit. Valentina Gara, zëdhënëse e ANP-së, vlerësoi lart ketë Institut i cili deri më tani është duke funksionuar mirë dhe qëllimi i të cilit është që të mbuloj boshllëkun në sistemin arsimor të Kosovës kur është fjala për të rinjtë që duan të studiojnë dhe punojnë në sektorin e aviacionit. Instituti ka në shënjestër studentët më të mirë nga Universiteti i Prishtinës pasi që punësimi pas diplomimit është prioritet për këta studentë. Për të inkurajuar më shumë partneritete të tilla, Znj. Gara theksoi se duhet të reduktohet burokracia për të tërhequr bashkëpunimin e sektorit privat.

 

Seria e Diskutimeve të BE-së do të vazhdoj me një panel të ri diskutues për temën e qëndrueshmërisë mjedisore, fushata e ardhshme e EUICC do të filloi në qershor dhe korrik.