Gusht 2, 2017 | Wednesday

BARAZIA NJË VLERË THEMELORE EVROPIANE

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë priti ambasadoren e Kroacisë. Znj. Marija Kapitanoviq, si folëse në serinë e fundit të ngjarjeve “Takohu me Ambasadorin” me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së në Kosovë.  Fokusi kryesor i diskutimit ishte eksperienca kroate në procesin e integrimit në BE si dhe politika kroate ndaj Ballkanit Perëndimor.
 
Ambasadorja Kapitanoviq foli për Kroacinë dhe marrëdhëniet tradicionale miqësore midis Kroacisë dhe Kosovës, përfshirë bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve. Mes tjerash, Ambasadorja e theksoi rëndësinë e barazisë gjinore si parakusht për zhvillimin demokratik të shoqërisë.
 
Ambasadorja kroate e përshkroi përvojën kroate në aspektin e tranzicionit dhe rrugën drejt anëtarësimit në BE, veçanërisht procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe sfidat e saj, duke e tërhequr një paralele midis dy vendeve. Ajo e përshkroi atë si një lloj kalimi në një ekonomi liberale dhe nevojën që administrata shtetërore t’i përshtatet një numri standardesh rigoroze në fusha të ndryshme të zhvillimit. Për shembull, në bujqësi dhe në industrinë e anijeve, Kroacisë i është dashur t’u përshtatej rregullave të reja të përcaktuara nga BE-ja. Kapitanoviq e përshkroi procesin e MSA-së si të dhimbshëm nganjëherë, sepse vendimet e tilla kanë implikime sociale, duke përfshirë zvogëlimin e vendeve të punës dhe aplikimin e shkathtësive të reja për punonjësit. Sa i përket sundimit të ligjit, në vitin 2015, Kroacia është përballur me një numër çështjesh ligjore të grumbulluara në gjyqësor dhe kjo është dashur të adresohej fuqishëm dhe kjo nënkupton një ndryshim në mentalitet dhe një lëkundje të ekuilibrave”, vazhdoi Kapitanoviq.
 
Sa i përket barazisë gjinore dhe përfaqësimit të grave, ambasadorja e theksoi rëndësinë e konsensusit kombëtar. “Më shumë se thjesht përmbushja e kuotës, është e rëndësishme që angazhimi i grave në shoqëri dhe në jetën publike të jetë i bazuar në përmbajtje”, tha Kapitanoviq.
 
Si pjesë e aktiviteteve të muajit me temën e barazisë të promovuar nga qendrat, QIKBE në Mitrovicën e Veriut e shfaqi dokumentarin francez Des Femmes et Des Hommes (Gratë dhe Burrat). Filmi u jep zë aktivisteve femra nga kulturat dhe arsimimet e ndryshme duke e trajtuar çështjen e barazisë gjinore dhe mënyrën se si ajo perceptohet në kulturat e ndryshme anembanë botës. Gratë e ndryshme dhe dëshmitë e tyre i përshkruajnë pikëpamjet e tyre mbi rolin e grave në shoqëri.
 
Regjisori, Frédérique Bedos, i heton mospërputhjet dhe pjesëmarrjen e pamjaftueshme të grave në politikat vendimmarrëse përmes një sërë intervistash me gratë në mbarë botën. Duke arritur në kontinente dhe vende të ndryshme, filmi jep një pasqyrë të qartë të diskriminimit të gjithanshëm ndaj gruas, i cili e pengon përparimin shoqëror dhe ekonomik në mbarë botën, duke e dërguar një mesazh të qartë të barazisë dhe përparimit shoqëror. Shfaqja e dokumentarit u pasua nga një diskutim për të drejtat e grave me Sërgjan Simonoviqin nga Qendra e Avokimit për Kulturën Demokratike.