Nëntor 22, 2018 | Thursday
Bashkimi Evropian në Kosovë është fuqishëm i angazhuar të ndihmojë gjeneratat e reja, sidomos fëmijët dhe adoleshentët, të rrisë kapacitetin e tyre dhe të ndihmojë në gëzimin e të drejtave elementare sikur e drejta për mbrojtje edhe e drejta për arsim.
Duke iu referuar kësaj, nuk ka ditë më të mirë për të kujtuar këto angazhime sesa Dita Botërore e Fëmijëve, e cila festohet vit për vit me 20 nëntor.
Këtë vit, Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra e UNICEF në Kosovë organizuan një diskutim të përbashkët me rastin e kësaj dite, me pjesëmarrjen e Libor Chlad – dhe Murat Sahin, drejtor i UNICEF në Kosovë.
Pas një prezantimi fillestar të Vjosa Berishës, kryesuese e Qendrës Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian dhe pas shfaqjes së videos së re ‘Go Blue’ nga UNICEF, me pjesëmarrjen e emrave si Dua Lipa, Orlando Bloom e Millie Bobbyy, panelistët folën mbi pjesëët më të rëndësishme të arsimit të fëmijëve në Kosovë dhe për mjedisin si një territor i përbashkët i angazhimit për të gjithë fëmijët në Kosovë.
“Është shumë e lehtë të luftosh me atë që është më i dobët, por duhet të mëndosh dy herë para se ta ngacmosh dikë të tillë, sepse kjo tregon më shumë anën tënde të dobët, jo fuqinë. Sot jemi këtu në kuadër të një angazhimi më të madh për Kosovën, mjedisin dhe mbrojtjen e tij, por kjo nuk do të jetë e mundur të ndodhë pa ndihmën tuaj, të gjërave e veprimeve që ju mund t’i bëni, si shembull të mos hudhni mbeturina ku nuk duhet dhe ta ruani ambientin” tregoi mes tjerash Chlad në fjalën e tij të hapjes.
Chlad foli para audiencës e cila përbëhej prej nxënësve të disa shkollave nga Prishtina, duke treguar se ka plot mënyra se si mund të ruhet mjedisi. Ecja për në shkollë, mos-vozitja në distanca të shkurta, fikja e dritave kur jeni jashtë shtëpisë dhe vendosja e mbeturinave në shportat e mbeturinave janë vetëm disa prej mënyrave të cilat ndikojnë në përmirësimin e mjedisit ku jetojmë, sugjeroi Chlad.
“Me gjithë zemër dëshiroj që Kosova të jetë një vend më i mirë dhe më i gjelbër në të ardhmen” përfundoi Chlad.
Murat Sahin, drejtor i UNICEF për Kosovë, tregoi se çdo fëmijë ka dy ditëlindje, dita kur ka lindur dhe 20 nëntori.
“E drejta e arsimimit dhe e drejta për mbrojtje janë të garantuara për të gjithë fëmijët e Kosovës. Sfidat janë të mëdha, por kam parë shumë pasion nga të gjithë partnerët, përfshirë këtu edhe Bashkimin Evropian, që gjërat të ndryshohen. Ka shumë për tu bërë, por asgjë nuk mund të bëhet pa ju fëmijë. Bashkë me fëmijët gjithmonë vijmë deri tek zgjidhja e problemeve madhore” tregoi Sahin gjatë këtij diskutimi.
Fëmijët në audiencë kishin pyetje të ndryshme për të dy panelistët. Të pranishëm në aktivitet ishin fëmijët nga ‘Shkolla e Gjelbër’, Shkolla ‘Mileniumi i Tretë’, Shkolla ‘Faik Konica’ dhe Shkolla ‘Model – Qamil Batalli’.
Ky aktivitet zuri vend në kuadër të Fushatës për Mjedis organizuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Kosovë.