Qershor 30, 2016 | Thursday
Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë mbajti një diskutim në panel si pjesë e programit të Bisedimeve të BE-së për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë. Diskutimi ishte pjesë e fushatës dymujore të EUIC për Qëndrueshmërinë Mjedisore, ku u reflektua mbi sfidat mjedisore me të cilat ballafaqohet Kosova, me theks mbi cilësinë e ajrit, ndotësit kryesorë dhe ndikimin afatgjatë mjedisor nga shpyllëzimi. Paneli ishte i përbërë nga aktivistë të mjedisit, hulumtues dhe ekspertë për çështjet mjedisore të cilët paraqitën një pasqyrë mbi gjendjen e tanishme të mjedisit në Kosovë.
Në bazë të raportit të progresit në vitin 2015 për Kosovën, legjislacioni për adresimin e sfidave mjedisore në rritje në Kosovë nuk është harmonizuar plotësisht me acquis apo zbatuar. Veç kësaj, është bërë pak progres në zbatimin e acquis për mbrojtjen e natyrës dhe vëllimi i prerjeve të jashtëligjshme është ende shumë i lartë për menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve. Sistemi për monitorimin e cilësisë së ajrit është i pajisur por jo tërësisht funksional. Për më tepër, raportet e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë për cilësinë e ajrit nuk përmbajnë ndonjë inventar apo matje të ndotësve të ajrit dhe ndotjes nga burimet kryesore (në veçanti nga centrali elektrik Kosova A). Qendra për Energji dhe Resurse Natyrore RIT ka bërë një studim mbi shfrytëzimin e druve të zjarrit nga ekonomitë familjare në Kosovë dhe ka zbuluar që 2.05 milion metra kub dru zjarri shpenzohen çdo vit. Kjo është rreth 1.2-1.3 milion metra kub më shumë sesa prerjet e lejuara me ligj, siç vlerëson Grupi Norvegjez i Pylltarisë dhe Ministria e Bujqësisë në Kosovë.
“Çdo individ thithë 11,000 litra ajër në ditë dhe kjo na bën të kuptojmë rëndësinë e cilësisë së ajrit e cila e mban jetën apo shkakton vdekjen” theksoi panelistja Learta Hollaj, Hulumtuese në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) duke tërhequr vëmendjen kah cilësia e ajrit të cilin e thithim çdo ditë. Zsh. Hollaj shprehi brengat e saj për interesimit e ulët të institucioneve të Kosovës dhe të publikut për ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike, duke ju referuar raporteve të ndryshme të bëra në këtë fushë nga institucione kredibile ndërkombëtare (p.sh. Banka Botërore) viteve të fundit. Sipas Zsh. Hollaj, ndotësit më të mëdhenj të ajrit janë industritë me fabrikat më të mëdha si energjia dhe transporti. Institucionet publike shpesh racionalizojnë mungesën e progresit në mbrojtjen mjedisore duke i dhënë përparësi zhvillimit ekonomik.
Instituti INDEP ka filluar një projekt me komunat duke themeluar një fond për efikasitet të energjisë i cil mund të ndihmojë zvogëlimin e konsumit të energjisë së bazuar në thëngjill. Agron Bektashi, Drejtor i Qendrës Rajonale Mjedisore (REC) foli për shpyllëzimet dhe degradimet e pyjeve në rajonin tonë, duke theksuar rrezikun e paraqitur në pyjet tona nga prerjet e jashtëligjshme dhe zjarret pyjore. Shpyllëzimet gjithashtu rrezikojnë biodiversitetin dhe balancën në ekosistem, tha Z. Bektashi. Ai i kualifikoi shpyllëzimet në Kosovë si krim mjedisor dhe bëri apel për mobilizim institucional dhe social për ta luftuar këtë dukuri e cila po kërcënon shëndetin e pyjeve si dhe cilësinë e ajrit tonë. Ai theksoi përpjekjet e vazhdueshme të REC për ta informuar publikun dhe ngritur vetëdijen lidhur me problemet mjedisore. “Siç e dimë të gjithë ajri jonë pastrohet nga pyjet” tha Krenare Salihu, Eksperte e Menaxhimit të Pyjeve. Ajo theksoi që pyllëzimi ngadalë është bërë prioritet i qeverisë, megjithatë, duhet bërë më tepër, sidomos nga Departamenti i Pylltarisë në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencia Rajonale e Pylltarisë si dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me një rol më të madh në monitorimin e shëndetit të pyjeve. Zsh. Salihu paralajmëroi për vështirësitë në sanksionimin e prerjeve të jashtëligjshme duke konsideruar që kryerësit e veprës zakonisht janë kryefamiljarë të cilët mundohet të krijojnë të ardhura, por ajo gjithashtu theksoi sistemin e dobët ligjor i cili është duke ngecur mbrapa me zbatimin e dënimeve, duke ndikuar kështu në ripyllëzim dhe shpyllëzim në planin afatgjatë. Për më tepër, ajo theksoi rëndësinë e Programit Kombëtar të Kosovës për Shëndetin e Pyjeve dhe të Programit Kombëtar për Pyllëzim dhe Ripyllëzim të përkrahur nga Konventa Ndërkombëtare mbi Shëndetin e Pyjeve (ICP Forest). Kosova pritet të bëhet anëtare në vitin 2016, ndërsa anëtarët mund të monitorojnë shëndetin e pyjeve dhe ndotjen e ajrit në vendin e tyre dhe të raportojnë në selinë e ICP Forest në Gjermani. “Janë 32 pika monitorimi të ngritura për të raportuar mbi shëndetin e pyjeve dhe cilësinë e ajrit në vendin tonë si pjesë e kësaj Konvente,” sqaroi Zsh. Salihu.
Chad Briggs nga Global Interconnections dhe RIT Kosova theksoi mungesën e resurseve të ripërtritshme në Kosovë siç është uji dhe sfidat me impiantet e dobëta për trajtimin e ujërave të zeza. Ai theksoi që pjesa më e madhe e ujit shkon për furnizim të ekonomive familjare, krahasimisht shumë pak për industrinë dhe një pjesë e madhe shkon për Sistemin e Shpërndarjes së Energjisë në Kosovë (KEDS) dhe se në vete kufizon kapacitetet e veta për prodhimin e energjisë së ripërtritshme, tha Z. Briggs. Z. Briggs tërhoqi vëmendjen edhe te një çështje tjetër që është ndotja e brendshme, e cila mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme të frymëmarrjes për popullsinë vendore. Ai ilustroi se si uji dhe energjia janë të ndërlidhura kështu që mungesa e njërës kushtëzon tjetrën, kështu që shqyrtimet mjedisore duhet të bëhen prioritet.
Si përfundim, anëtarët e audiencës theksua n që shpesh mungesa e bashkërendimit ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare vështirëson përparimin në sektor, në mënyrë specifike shfrytëzimin e Eko-Fondit të Kosovës siç parashihet në Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.
Përdorimi i biomasës u rekomandua si zëvendësim i druve të zjarrit për të parandaluar shpyllëzimin në nivelin e tanishëm. Anëtarët e audiencës gjithashtu theksuan që sasia alarmuese e emetimit të CO2-it e shkaktuar nga trafiku i rëndë i automjeteve dhe industritë specifike, me shpresë do të adresohet shpejtë nga ana e qeverisë.