Mars 24, 2016 | Thursday

Cfarë është impakti i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) në ekonomine vendore të Kosovës

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë, ka organizuar panel diskutimi me temën “Cfarë është impakti i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) në ekonominë vendore?”

Në këtë edicion të panel diskutimit EU Talks që ishte pjesë e fushatës dy mujore të EUICC-së “BE ka të bëjë me Sundimin e Ligjit dhe Fuqizimin Ekonomik” morën pjesë  panelistët  Thomas Gnocchi – shef  i sektorit ekonomik dhe integrimeve evropiane në Zyrën e BE-së/EUSR , Bernard Nikaj – ish ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe ligjërues në universitetin e Prishtinës, Naim Huruglica –ekspert i tregut Evropian dhe ish menaxher në doganat e Kosovës, si dhe Besian Mustafa – drejtor i Agjencise për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë.

I tërë diskutimi vuri në dukje shumë aspekte të marrëveshjes së stabilizim asociimit, duke filluar nga aspekti ekonomik deri tek çështjet ligjore.

Është e rëndësishme  të theksojmë se MSA është vetëm një instrument. “Ndikimi që do të ketë kjo marrëveshje do të varet nga ajo se si Kosova do ta përdor atë përgjatë implementimit” tha Thomas Gnocchi.  Kosova duhet të luftojë për krijimin e një administrate të apolitizuar. “Mosfunksionalizimi i administratës do ti sjell vështirësi Kosovës që të përfitoj nga marrëveshja” ka vazhduar Gnocchi.

Marrëveshja e stabilizim asociimit do të ndikoj në çdo aspekt të jetës së konsumatorit, andaj kjo marrëveshje si më e mira a e mundshme duhet të implementohet me seriozitet nga të gjithë, si nga shoqëria ashtu edhe institucionet shtetërore, tha ndër të tjera ish ministri i tregtisë dhe industrisë Bernard Nikaj në fjalën e tij.

Në këtë panel diskutimi të cilin të pranishmit e ndoqën me interesim të madh, u diskutua gjatë për shumë pika të rëndësishme të përcaktuara me MSA-në, si liberalizimi i tregut, rregullat e konkurueshmërisë, promovimi i investimeve dhe përafrimi i legjislacionit.

Naim Huruglica ekspert i tregut Evropian, ka folur për impaktin që do të ketë marrëveshja e stabilizim asocimit tek bizneset e vogla dhe të mesme. Huruglica theksoi se falë kësaj marrëveshjeje, ndërrmarrjet kosovare do të mund të importojnë lëndën e parë, bëjnë përpunimin e produkteve, dhe pa ndonjë obligim tatimor shtesë për eksport ta kthejnë atë produkt ne tregun Evropian. Për rritjen e mundësisë së investimeve të huaja foli drejtori i KIESA-së Besian Mustafa. Në emër të Agjencionit ai poashtu bëri promovimin e aktiviteteve për implementimin e standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë themeluar si rezultat i kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA) pritet të hyjë në fuqi me datë 1 Prill 2016.