Gusht 25, 2017 | Friday

Diskutim mbi filmin dhe përparimin kulturor në EUICC

Në muajin gusht, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së e lansoi fushatën e saj më të re që synon të promovojë kinematografinë e Kosovës dhe përparimin kulturor të saj.

Më 11 gusht, EUICC shfaqi dokumentarin Zoti i Shpisë, i cili e portretizon një mami kosovare të rebeluar që lufton për njohje nga familja e saj, e cila gjithmonë ka jetuar sipas traditave shekullore shqiptare të bazuara në dominimin e meshkujve. Ky dokumentar – i cili është ndihmuar pjesërisht nga projekti “Culture for All”, i financuar nga BE-ja, dhe regjisore e të cilit është gazetarja dhe regjisorja holandeze Daniele Bremer, ndërsa producent i të cilit është aktori dhe regjisori kosovar Edon Rizvanolli, hapi fushatën e EUICC-së të titulluar Kinematografia Kosovare: Përparimi Kulturor. Gjatë prezantimit të saj, regjisorja dhe autorja Bremer tha se i është dukur interesante t’i eksploronte jetët e personazheve të saj dhe mënyrën se si ata bashkëveprojnë me familjet e tyre, e posaçërisht trysninë e shoqërisë mbi vajzat dhe gratë në zonat rurale.

Si pjesë e fushatës së gushtit, filmi i shkurtër Home [Shtëpia] u shfaq më 14 gusht, para një audience të madhe, për tu përcjellë me një bisedë në panel me regjisorin Mulloy dhe ekipin e producentëve nga Kosova dhe Britania e Madhe, Afolabi Kuti, Shpend Qamili dhe Shpat Deda, të cilët folën për procesin e xhirimit të filmit Home, për bashkëpunimin mes komuniteteve dhe për potencialin e madh që e ka Kosova në fushën e kinematografisë.

Filmi i metrazhit të shkurtër Home i Daniel Mulloy, i cili është edhe fitues i çmimit BAFTA, merret me trajtimin çnjerëzor të refugjatëve, duke e ndryshuar rrëfimin për refugjatin stereotipik dhe duke e portretizuar, në vend të tij, një familje angleze që jeton në rehati, për t’ia dërguar kështu audiencës një mesazh të fuqishëm se statusi i refugjatit nuk është veçori ekskluzive vetëm e vendeve në konflikt. Mulloy është anëtar proaktiv i Kombeve të Bashkuara që synon ta ngris vetëdijësimin për popujt dhe refugjatët në migrim.

“Meqë Kosova e ka një industri të filmit që ende është në fillet e saj, ky film ua ka bërë të mundur njerëzve që ishin të përfshirë që të vazhdonin me projekte të tjera dhe paraqet një hap të rëndësishëm tutje” – bëri me dije producenti Shpat Deda. Deda lëvdoi frymën e pjesëtarëve të komunitetit dhe bashkëpunimin e tyre, posaçërisht përkushtimin e madh të tyre për të bërë të mundur që ky film të xhirohej.

Shpend Qamili, producent dhe specialist i komunikimit në UN Kosovo Team, përmendi se filmi Home paraqet një film nismëtar që e trajton temën e migrimit dhe se njerëzit nga akademia, programet që merren me migrimin dhe projektet zhvillimore kanë shfaqur interesim që ta shfaqin filmin në universitetet e tyre si pjesë të planprogrameve të tyre.

Home është shfaqur për herë të parë në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, pasi kishte fituar shpërblime në festivalet e Clermont-Ferrand-it, Drezdenit dhe Palm Springs-it, krahas çmimit BAFTA. Ky film është mbështetur nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNKT dhe nga shumë agjenci të tjera të OKB-së.

Qëllimi i kësaj fushate ishte që të spikateshin arritjet më të fundit të kinematografisë kosovare dhe që të prezantohej përparimi dhe pranimi i saj në botën globale të kulturës dhe kinematografisë.