Qershor 8, 2015 | Monday
Qendra Kulturore dhe Informative e BE-së nisi fushatën e saj të re për ambientin dhe shëndetin, duke shënuar kështu Ditën Botërore të Mjedisit, e cila kremtohet çdo vit më 5 qershor. Për ta shënuar këtë ditë, Qendra Kulturore dhe Informative e BE-së ka ftuar shkollën fillore “Dëshmoret e Drenicës” nga Çikatovë e Vjetër për të prezantuar para nxënësve bashkëmoshatarë të Shkollës së Gjelbër të Prishtinës një video material për gjendjen e mjedisit në rrethinën e tyre. Kjo video ka për qëllim ngritjen e vetëdijesimit për mbrojtjen e mjedisit në nivel lokal. Kjo video ka pasqyruar lumin Drenica dhe gjendjen e degraduar të tij për shkak të nivelit të lartë të ndotjes të shkaktuar nga menaxhimi i dobët i mbeturinave dhe nga Ferronikeli, fabrika më e madhe në rajonin e Drenicës, e cila po ndikon edhe në florën dhe faunën përreth këtij lumi.
Pas këtij prezantimi, ambientalisti kosovar Labinot Salihu foli para nxënësve për rreziqet e mjedisit të ndotur dhe efektet e tij degraduese për shoqërinë e veçanërisht për më të rinjtë.
“Ndotja nuk do të ndalet nëse qytetarët nuk ndërmarrin veprime vetanake për parandalimin e saj” tha Salihu. Mysafiri ynë ambientalist shkëmbeu opinione me nxënësit e shkollës “Dëshmorët e Drenicës” nga Çikatova e Vjetër dhe me ata të Shkollës së Gjelbër të Prishtinës për çështjet që i shqetësojnë ata lidhur me mjedisin dhe hapat për mbrojtjen e tij. Ai theksoi poashtu rëndësinë e aktivizimit qytetar në këtë fushë, mirëpo pa neglizhuar edhe mekanizmat institucionalë përgjegjës në nivel komunal.
Ambientalisti Labinot Salihu ka përmendur rëndësinë e riciklimit të mbeturinave, si një nga hapat efikas për mbrojtjen e ambientit. Ai theksoi se kjo mund të bëhet në një formë bashkëpunimi në mes të qytetarëve, autoriteteve lokale dhe kompanive higjienike. Mes tjerash, ai përmendi edhe rolin qenësor që luajnë shkollat në edukimin e shoqërisë, gjegjësisht të rinjve, për mbrojtjen e mjedisit ku jetojmë. Kjo mund të bëhet si pjesë e kurrikulumit arsimor, duke i dedikuar një lëndë mësimore, në të cilën mësimdhënësit inkurajojnë nxënësit që nga mosha e hershme për mënyrën se si të krijojnë një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm në objektet e tyre shkollore dhe më tej, tha Salihu.