Mars 22, 2016 | Tuesday

EU Talks: Reforma e Ligjit të Punës në Kosovë: Më të rejat mbi Dialogun Social

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë dhe në Mitrovicë të Veriut kanë nisur fushatën 2-mujore të BE-ja ka të bëjë sundimin e ligjit dhe fuqizimin ekonomik në muajin shkurt, me një sërë aktivitetesh të organizuara.

Paneli i diskutimit Bisedat e BE-së mbi reformën e ligjit të punës në Kosovë dhe më të rejat në lidhje me dialogun social mblodhi panelistët: Arban Abrashi, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kushtrim Shaipi, koordinator i projektit të financuar nga BE-ja – Mbështetje për partnerët social nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Petrit Balija, përfaqësues i Odës Ekonomike të Kosovës. Panelistët diskutuan rolin e aktorëve kyç në Këshillin Social dhe Ekonomik dhe procesin e dialogut social në Kosovë, në veçanti lidhur me zbatimin e Ligjit të Punës dhe të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive në nivel kombëtar, si parakushte thelbësore për prosperitetin ekonomik por edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe të Programit Kombëtar për Miratimin e Acquis (NPAA).

Kushtrim Shaipi nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) paraqiti rezultatet nga anketa e fundit mbi perceptimet dhe mendimet e qytetarëve mbi gjendjen sociale, e publikuar në mars. Raporti tregon se shumica e qytetarëve nuk janë të njoftuar mbi politikat sociale. Një tjetër element i rëndësishëm në këto rezultate ka qenë fakti se qytetarët mendojnë se duhet të rriten tatimet, si parakusht thelbësor për ta përmirësuar buxhetin për shërbimet sociale. Z. Shaipi theksoi se në bazë të këtij hulumtimi qytetarët nuk besojnë se asistenca sociale do të çojë në zhdukjen e varfërisë.

Ministri Abrashi prezantoi më të rejat në dialogun social dhe reformat e miratuara, veçanërisht në legjislacion, nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).  Ministri shpalosi informatat mbi shumën e fondeve të alokuara për pensione, sa qytetarë përfitojnë nga skema e pensioneve dhe informatat për rritjen e fundit prej 25% të këtij buxheti. Një reformë kyçe e miratuar tani kohëve të fundit u mundëson komunave që të gjenerojnë fonde për shërbimet e tyre sociale. Megjithatë, ministri në fund shprehi mendimin se mbështetja mbi asistencën sociale nga ana e qytetarëve i dekurajon ata nga punësimi afatgjatë. Ministri përshëndeti llojin e studimit të kryer nga ISK-ja pasi që ky studim do t’i ndihmojë qeverisë në marrjen e vendimeve mirë të informuara sipas pritjeve të qytetarëve në lidhje me politikat sociale. Ai prezantoi nismën e re të MPMS-së që kufizon dhënien e pensioneve bazë vetëm qytetarëve që jetojnë në Kosovë, një veprim që do t’i kursejë gati 20 milionë euro të cilat pastaj mund të ri-alokohen për skemat tjera të mbështetjes sociale.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Haxhi Arifi, foli për sfidat e zbatimit të ligjit të punës dhe të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, veçanërisht nevojën për harmonizim. “Për shkak të numrit të vogël të inspektorëve të punës, është shumë e vështirë të monitorohet zbatimi i ligjit dhe marrëveshjes kolektive, në veçanti kur bëhet fjalë për sektorin privat”, theksoi Arifi. Ai i bëri thirrje ministrit që ta rrisë numrin e inspektorëve të punës. Disa kritika nga z. Arifi iu drejtuan Odës Ekonomike të Kosovës e cila përfaqëson komunitetin e biznesit, në mënyrë të veçantë në lidhje me zbatimin e ligjit të punës dhe marrëveshjes kolektive e cila bëhet në mënyrë selektive në bazë të gatishmërisë së biznesit për t’i respektuar marrëveshjet e nënshkruara.

Të njëjtin mendim nuk e kishte Petrit Balija, përfaqësues i Odës Ekonomike i cili beson se të gjitha bizneseve duhet t’iu sigurohet një zgjedhje, pavarësisht se a duan ta zbatojnë kontratën kolektive mbi burimet e tyre njerëzore dhe të hyrat. Kosova karakterizohet me biznese të vogla dhe të mesme kështu që shumë prej tyre nuk mund të jenë në përputhje me kërkesat që rrjedhin nga marrëveshja kolektive, si vendet tjera evropiane.

Audienca shtroi shumë pyetje në lidhje me këtë temë duke shprehur pakënaqësinë e tyre me zbatimin e pjesshëm të ligjit të punës si dhe të marrëveshjes kolektive. Besa Luzha, nga Friedrich-Ebert-Stiftung, vuri në dukje se asnjë biznes nuk duhet të përjashtohet nga zbatimi i marrëveshjes pasi që të nënshkruhet, duke sugjeruar kategorizimin e sektorëve të punësimit sipas konventave evropiane. “Unë e zgjedhë modifikimin dhe përshtatjen e marrëveshjeve kolektive për sektor, e jo për biznes, pasi që llojet e ndryshme të punës kanë kërkesa të ndryshme, prandaj marrëveshja duhet të ndryshohet dhe të negociohet në mes të punëdhënësve dhe punonjësve, ndërkohë që qeveria ka bërë punën e saj duke u pajtuar me dispozitat themelore të marrëveshjes”, tha znj. Luzha.

EUICC në Prishtinë dhe në Mitrovicë të Veriut do të vazhdojë me fushatën, BE-ja ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe fuqizimin ekonomik, me shfaqje të filmave, klasave Master dhe EU Talks gjatë muajit mars. Vizitoni www.euicc-ks.com për më shumë informata mbi ngjarjet e ardhshme.