Korrik 27, 2015 | Monday
Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë dhe Mitrovicë Veriore ka organizuar një varg aktivitetesh për mjedisin, shëndetin dhe të ushqyerit gjatë muajit korrik, në kuadër të fushatës së saj për mjedisin dhe shëndetin.
Në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, EUICC në Prishtinë ka filluar shfaqjen e serisë së dokumentarëve për mjedisin, të cilët janë mundësuar nga platforma online “iFCinema”/Institut Français. Kinemaja e Gjelbër është lansuar më 2 korrik dhe do të vazhdojë çdo të enjte mbrëma deri më 27 gusht. Kjo është një mundësi për dashamirët e filmit që të rrisin njohuritë e tyre dhe të vetëdijësohen për ngrohjen globale dhe çështjet tjera mjedisore si dhe një mundësi që t’i inspirojë ata të veprojnë përmes ndryshimit të sjelljeve.
Ndërkohë, në Prishtinë është mbajtur edhe një diskutim për jetën e shëndetshme dhe diabetin, në të cilin është theksuar nevoja për të parandaluar përhapjen e diabetit përmes edukimit për shëndetin dhe përmes rritjes së vetëdijësimit të qytetarëve për këtë sëmundje. Endokrinologja Dr. Merita Emini Sadiku, tha se jeta dinamike moderne po i bën njerëzit që të ushqehen me ushqime të shpejta e të pashëndetshme dhe kjo bashkë me mungesën e aktivitetit fizik ka ndikim në përhapjen e diabetit te të gjitha grupmoshat. Përveç faktorëve gjenetik, stresit etj., mbipesha dhe obesiteti janë disa prej faktorëve kryesorë që ndikojnë në këtë sëmundje, tha Dr. Emini Sadiku.
Shprehitë e të ushqyerit shëndetshëm dhe mënyra se si ta luftojmë obesitetin u diskutuan edhe gjatë një ligjërate me nutricionisten Mirlinda Bejta në EUICC Prishtinë dhe me Suzana Milutinović në EUICC Mitrovicë Veriore. Të dy nutricionistet ofruan këshilla falas për publikun me udhëzime për dietë të shëndetshme, të cilat u shoqëruan me një tryezë me ushqime të gjelbra dhe me pak kalori për të ilustruar menynë e shëndetshme ditore. Gjatë kësaj ligjërate për publikun u shpërndanë fletëpalosjet informuese për të ushqyerit e shëndetshëm dhe dietën me pak kalori.