Shtator 27, 2015 | Sunday
Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së (EUICC) në Prishtinë ka nisur fushatën e saj dymujore për shoqërinë civile aktive me një diskutim lidhur me transparencën dhe llogaridhënien e fondeve publike për organizatat e shoqërisë civile, të organizuar në bashkëpunim me platformën CiviKos.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë shprehur shqetësim lidhur me mënyrën e dhënies së fondeve publike nga buxheti i Kosovës. Ata potencuan mungesën e kritereve dhe procedurat jo transparente të përzgjedhjes së organizatave përfituese, mungesën e mekanizmave të raportimit dhe mbikëqyrjes si dhe mungesën e një mekanizmi që do të siguronte ruajtjen e pavarësisë së veprimit të organizatave të shoqërisë civile që përfitojnë fonde qeveritare.
Ndërtimi i një sistemi dhe përcaktimi i kritereve për përkrahje financiare për organizatat e shoqërisë civile është një nga objektivat strategjike të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017. Drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Valdete Idrizi tha se një vit pas krijimit të mekanizmit për zbatimin e strategjisë, ende ka mjaft probleme. Sipas saj, disa ministri vazhdojnë të bëjnë shkelje në ndarjen e fondeve publike, siç tregon edhe raporti i auditorëve. Rrjedhimisht mungojnë statistikat që tregojnë shumën e mjeteve të ndara për shoqërinë civile dhe numrin e organizatave përfituese, mungon monitorimi i punës që kanë bërë organizatat përfituese dhe nuk ka transparencë në raportimin e tyre.
Hajrulla Çeku, drejtor ekzekutiv i organizatës “EC Ma Ndryshe” që është e përqëndruar më shumë në fushën e kulturës tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka kurrfarë baze të shpërndarjes së fondeve. Kësisoji sipas tij, kjo ministri ka ndjekur praktikën e ndarjes së fondeve të vogla dhe të barabarta për një numër të madh organizatash, pa kritere për përzgjedhjen e tyre. Çeku tha se në këtë mënyrë ministritë që ndajnë fonde i shfrytëzojnë ato për kontroll të pushtetit politik.
Ndërkaq Rexhep Vasolli nga Ministria e Financave që është edhe koordinator për zbatimin e strategjisë qeveritare për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile – grupi III u shpreh më pozitiv për bashkëpunimin e qeverisë me organizatat e shoqërisë civile. Vet strategjia është shenjë e bashkëpunimit, tha ai duke vënë theksin tek përpjekjet që po bëhen aktualisht për ndërtimin e një sistemi transparent dhe llogaridhënës për mbështetjen financiare të shoqërisë civile nga buxheti i Kosovës.
Ndërkohë në kuadër të fushatëse “BE ka të bëjë me shoqërinë aktive civile”, EUICC në Prishtinë ka organizuar edhe në turne çiklizmi për të shënuar Javën Evropiane të Lëvizshmërisë. Një grup entuziastësh të biçikletës filluan turneun nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së për të përfunduar destinacionin në parkun kombëtar të Gërmisë me moton “Bëni kombinimin e duhur”. Aktiviteti kishte për qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të shqyrtuar forma të reja ta transportit për trajtimin e sfidave urbane, siç është ndotja e ajrit.
Në anën tjetër, fushata e EUICC-së për shoqërinë civile aktive në Mitrovicën Veriore u hap me një diskutim për vullnetarizmin, që synonte t’i nxiste të rinjtë që vullnetarisht t’i bashkohen organizatave të shoqërisë civile duke kontribuar kështu në përmirësimin e shkathtësive të tyre dhe përgatitjen për tregun e punës.