Mars 22, 2016 | Tuesday
Qendrat e EUICC në Prishtinë dhe Mitrovicë kanë vazhduar fushatën dy mujore, “BE ka të bëjë me parandalimin e dhunës në baza gjinore” gjatë muajit janar. Këtë muaj, qendrat kanë lansuar ngjarjet e reja të EUICC, përfshirë serinë e Diskutimeve të BE-së si dhe Shtëpinë e Hapur te EUICC që do të vazhdojë gjatë gjithë vitit përveç mbrëmjeve të filmit të EUICC-së dhe seritë e Ligjeratave.
EUICC filloi vitin me shfaqjen e dokumentarit të BBC-së “All that stands in the way-Girls”, i cili paraqet jetën e katër vajzave nga rajone të ndryshme të botës të cilat diskutojnë dhe kontestojnë lirinë e tyre dhe barazinë gjinore në shoqëritë e tyre përkatëse përgjatë gjithë dokumentarit. Dokumentari u pasua nga një diskutim me panelistët në të dy Qendrat. Në Prishtinë, Sibel Halimi, sociologe dhe aktiviste për barazi gjinore dhe Fadil Hysaj, regjisor dhe dramaturg, diskutuan pozicionin e Kosovës ndaj të drejtave të grave, lirinë që ato kanë në shoqëri dhe seksizmin me të cilin ato përballen çdo ditë. Znj. Halimi deklaroi se, “Vetë gratë duhet të luftojnë seksizmin pasi që është shkalla më e lartë e vetëdijesimit, e cila do ti frymëzojë burrat që të dalin nga pozita e tyre e ndërtuar në shoqëri.”
Në qendrën në Mitrovicë të Veriut, pjesëmarrësit në audiencë identifikuan aspekte të ndryshme të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore duke diskutuar thelbin e problemit me udhëheqësin e programit në Qendrën Avokuese për Kulturë Demokratike, z. Srxhan Simonoviq. Duke punuar si udhëheqës i projektit që ka të bëjë me fuqizimin e të drejtave pronësore të grave, z Simonoviq ka shprehur pikëpamjet e tij mbi barazinë gjinore në veri të Kosovës, duke theksuar nevojën për arsim te mirëfilltë dhe lirinë e zgjedhjes dhe shprehjes për luftimin e stereoptipeve gjinore.
Shtëpia e Hapur e EUICC-së është një aktivitet i ri i prezantuar nga të dy Qendrat në vitin 2016. Këtë muaj, EUICC në Prishtinë ka hapur një ekspozitë fotografike të titulluar “6×6” që paraqet punën e gjashtë fotografëve të rinj nga Kosova, të zgjedhur nga fotografi i njohur, Hazir Reka ku pasqyrohen komunitetet etnike nëpër rajonet e Kosovës. Ekspozita do të jetë e hapur në EUICC në Prishtinë deri në datën 22 shkurt, çdo ditë nga ora 12:00 – 14:00. EUICC në veri të Mitrovicës, në bashkëpunim me Institutin për Zhvillimin Ekonomik Territorial organizoi një ekspozitë fotografike mbi promovimin e turizmit në veri, duke shfaqur aktivitete në natyrë, peizazhet dhe horizonte të Mokra Gorës.
EUICC në Prishtinë filloi programin Diskutime të BE-së në janar duke mbajtur një diskutim mbi mënyrën sesi e pasqyrojnë gjininë mediat e Kosovës, si një mjet dominues për formësimin e opinionit publik. Panelistë ishin: Vjollca Krasniqi, profesoreshë e Studimeve Gjinore në Universitetin e Prishtinës, Besa Luci, kryeredaktore në Kosovo 2.0, Naile Selimaj Krasniqi, Kryeshefe Ekzekutive e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Shqipe Gjocaj, aktiviste feministe në PEN dhe kolumniste në Sbunker. Panelistët konkluduan se barazia gjinore nuk është pjesë përbërëse e prodhimit të lajmeve të Kosovës, politika editoriale është e dominuar nga meshkujt. Komisioni i Pavarur për Media, edhe pse nuk është nën fushëveprimin e tyre për të monitoruar përfaqësimin gjinor në media, kanë identifikuar një përqindje të ulët të pranisë së grave në media dhe çështjeve gjinore në mediat kombëtare gjatë një jave të programit transmetues.
Seria e Ligjëratave të BE-së vazhdoi një prezantim mbi artin feminist me drejtorin e teatrit dhe artisten feministe Zana Hoxha Krasniqi që u shfaq më 29 janar për një audiencë të artistëve dhe studentëve. Zana Hoxha Krasniqi përshkroi punën e saj artistike si një nga mjetet për ndryshime sociale dhe barazi gjinore e cila përcjell mesazhe që bëjnë thirrje jo vetëm për gratë, por edhe për burrat. Seria e Ligjëratave të BE-së vazhdoi edhe në EUICC e Veriut, nëpërmjet një ligjërate mbi dhunën në internet dhe rreziqet e saj për përdoruesit e mitur të internetit me ligjëruesen Ruzhica Simiq, aktiviste për të drejtat e grave në veri. Znj Simiq theksoi se përveç ofrimit të përfitimeve të shumta në jetë, përhapja e medias dhe teknologjisë gjithandej ka hapur edhe një portë për ngacmim kibernetik, atë të ngacmimit online dhe llojet e tjera të dhunës elektronike që ndikojnë tek gratë e reja në veçanti.
Aktivitete e organizuara nga qendrat në Prishtinë dhe veri të Mitrovicës gjatë muajit dhjetor dhe janar ishin pjesë e muajit të fundit të fushatës për parandalimin e dhunës në bazë gjinore në kuadër të fushatës globale të OKB-së për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.