Gusht 30, 2016 | Tuesday
Gjatë muajit gusht, EUICC-të në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut organizuan aktivitete që lidhen me fushatën dymujore të EUICC-së për Fuqizimin e Rinisë. Në bashkëpunim me DokuFest, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, EUICC shfaqi një film nga Riahi Brothers “Everyday Rebellion” për të lansuar fillimin e një prej festivaleve më të mëdha të filmit në Kosovë, një festival që futë në përdorim kinematë dhe vendet tjera të improvizuara për shfaqje të filmit rreth qendrës historike të qytetit të Prizrenit, me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filma nga e gjithë bota.
“Everyday Rebellion” është dokumentar ndërmedial rreth formave kreative të protestave paqësore dhe të mosbindjes civile në mbarë botën dhe një tregim për thesarin e protestës paqësore, që realizohet çdo ditë nga njerëzit e pasionuar nga Spanja, Irani, Siria, Ukraina, SHBA, Britania e Madhe dhe Serbia. Filmi ilustron se si protestat paqësore kanë provuar shkencërisht se janë më efektive dhe më të suksesshme sesa protestat e dhunshme. Pavarësisht kësaj, protestuesit paqësor paraqesin frikë sepse ata me shpejtësi po e ndryshojnë botën duke sfiduar fuqinë e diktatorëve, si dhe të korporatave globale.
Duke mbështetur fushatën dymujore për Fuqizimin e Rinisë, EUICC nisi konkursin për filmin e shkurtër duke ftuar të gjithë prodhuesit e filmit në Kosovë që të prodhojnë një film të shkurtër nën 5 minuta të fokusuar në një projekt zhvillimor të financuar nga BE-ja. Për t’i ndihmuar prodhuesit e rinj të filmit dhe entuziastët e interesuar në paraqitjen e filmave të tyre të shkurtër, EUICC organizoi një master-klasë që fokusohej në këshilla dhe truke për prodhimin e dokumentarit apo të filmit, me tutorë Blerta Zeqiri dhe Gazmend Bajri, dy regjisorë të rinj të filmit në skenën kosovare. Disa nga pikat kryesore të prezantuara gjatë punëtorisë u përqendruan në identifikimin e temës dhe të tregimit, metodat e hulumtimit gjatë bërjes së dokumentarit, veçanërisht, planifikimi dhe koordinimi. Pjesëmarrësit u njohën me bazat e prodhimit të filmit, pikat kryesore të tregimit dhe si t’i transmetohet spektatorit intriga e njëjtë, në mënyrë të kuptueshme.
Blerta Zeqiri i dha udhëzime prodhuesve të rinj të filmit përmes një liste të shkurtër duke filluar me intervistat dhe njerëzit e interesit, këshillat për redaktim, dhe më e rëndësishmja, struktura e skenarit. Prodhuesi i filmit Gazmend Bajri foli për përdorimin e muzikës në film dhe çështjet e të drejtave të autorit, çështje që duhet të theksohet për të gjithë regjisorët e ardhshëm. Disa nga pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit ishin rreth kritereve të vlerësimit të aplikacioneve dhe cilat projekte të BE-së kishin prioritet gjatë prodhimit të filmit dokumentar. Ekipi i EUICC-së prezantoi listën e të gjitha projekteve zhvillimore të BE-së që po realizohen në Kosovë dhe udhëzimet se si t’i qasen atyre për intervista dhe informacione.
EUICC do të vazhdojë me fushatën e saj dymujore për Fuqizimin e Rinisë, gjatë muajit shtator me ngjarje të ndryshme kulturore dhe informative.