Gusht 25, 2015 | Tuesday

Kinemaja e Gjelbër në EUICC

Me lansimin e Kinemasë së Gjelbër me dokumentarë nga seria e filmave për mjedisin, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së gjatë muajve të nxehtë të verës u shndërrua në kinema alternative për dashamirët e filmit. Kinemaja e Gjelbër është mundësuar falë bashkëpunimit me Ambasadën Franceze, përmes platformës online iFCinema/Institut Français. Partnerët tjerë përfshijnë Dokufest, 7 Arte dhe Qendrën Informative të BE-së në Podgoricë.

Dokumentarët mjedisorë kanë mbuluar çështje që kanë të bëjnë me degradimin mjedisor, ndryshimin klimatik dhe ndikimin e tyre në shëndetin tonë, ndikimin te kafshët dhe krijesat tjera, bashkë me çështje tjera të ngjashme. Njëri prej vizitorëve të Kinemasë së Gjelbër, Visar Ahmetxhekaj, thotë që shoqëria e Kosovës duhet të rrisë vetëdijen për shumë shqetësime mjedisore dhe dokumentarët si këta që janë shfaqur në EUICC shërbejnë si mjet i shkëlqyeshëm për të arritur këtë.

“Organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët kanë një rol të rëndësishëm në avokimin për të pasur politika mjedisore më të mira. Së bashku ne mund t’i ndryshojmë këto politika dhe mund të ndërmarrim hapa të vegjël drejt arritjes së standardeve mjedisore evropiane. Prandaj, mendoj se njerëzit që i kanë parë këta filma do të reflektojnë më shumë për mjedisin përreth dhe për masat që ata mund të ndërmarrin për mbrojtjen e tij”, tha ai.

Ross Bull, ekspert nga një projekt i financuar nga BE-ja në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ishte një prej vizitorëve të rregullt të Kinemasë së Gjelbër në EUICC. Ai thotë se filmat e shfaqur gjatë Kinemasë së Gjelbër kanë theksuar abuzimin e planetit nga njerëzit.

“Ata tregojnë se mund të ndërmerren veprime për të ngadalësuar dëmin. Veçohen dy filma: i pari, rreth shfrytëzimit pothuajse të dukshëm të rërës në nivel global; dhe i dyti, ai për riciklimin e mbeturinave në Brazil, (me mundësi ndërkombëtare për riprodhim). Të dy filmat kanë qenë mjaft sqarues dhe ishte privilegj t’i shikosh parë; në fakt, ata me të vërtetë t’i hapnin sytë. Neve na duhen më shumë ngjarje si kjo”, tha Bull.