Mars 22, 2016 | Tuesday
Në kuadër të fushatës së saj dymujore për shoqërinë civile aktive, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë ka organizuar një punëtori me studentë për politikat e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGj). Donjeta Morina nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrRGK) u shpjegoi pjesëmarrësve se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor nënkupton buxhetimin për barazi dhe drejtësi sociale, si dhe shërben si një udhëzues për planifikimin e buxhetit. Ky është një koncept mjaft i ri për Kosovën, ndonëse ai është përmendur nga qeveria dhe nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile e donatorët në pesë vitet e fundit.
” Së fundi, Kosova po shkon dalngadalë drejt institucionalizimit të BPGj-së, dhe suksesi i parë përfshin faktin se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor tani është një detyrim ligjor për të gjitha organizatat buxhetore. Megjithatë, do të duhet më shumë kohë, mbikëqyrje dhe gatishmëri politike për t’a institucionalizuar atë plotësisht”, thotë Donjeta Morina, koordinatore për zhvillimin e kapaciteteve në Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës.
Pabarazia gjinore mbetet një prej problemeve më të përhapura zhvillimore dhe sociale në Kosovë. Morina thekson se burrat dhe gratë nuk janë të barabartë ekonomikisht, politikisht, në aspektin kulturor e as atë shoqëror. Sipas statistikave të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, gratë janë prapa në shumicën e sferave, duke qenë të paprivilegjuara dhe të nën-përfaqësuara në shumicën e fushave të jetës.
“Të dhënat tregojnë se 91.8% e të gjitha bizneseve janë në pronësi të burrave, në krahasim me 8.2% në pronësi të grave. Më tej, vetëm 7.9% e grave kanë prona të tyre, në krahasim me 83.4% të meshkujve (shih Profili Gjinor i Kosovës). Anketa e fundit e tregut të punës e vitit 2014, tregon se shifrat e papunësisë janë shumë më të larta për gratë dhe vajzat e reja sesa për burrat dhe djemtë e rinj. Shkalla e papunësisë për gratë është 41.6% ndërsa për meshkujt është 33.1%. Shifrat janë edhe më të frikshme për femrat e reja me 71.7% prej tyre të papunësuara në krahasim me 56.2% të meshkujve të rinj. Për më tepër, Kosova nuk ka lidere partiake femra, ndërkohë që vetëm 2 nga 20 ministritë udhëhiqen nga gratë. Në nivel lokal, gratë përbëjnë vetëm 15.3% të të gjitha pozitave vendimmarrëse “, shtoi Donjeta Morina e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës.
Sipas saj, roli i organizatave të shoqërisë civile në përmirësimin e barazisë gjinore është thelbësor dhe mund të bëhet përmes dy rrugëve kryesore: e para, me anë të fuqizimit të grave në nivel lokal, dhe e dyta, me anë të nismave avokuese në nivel lokal dhe qendror. “Shumë anëtare të RrRGK-së punojnë me gra të komuniteteve të tyre; duke i fuqizuar ato ekonomikisht dhe politikisht. Kjo është një punë shumë e rëndësishme pasi ajo bëhet edhe me gratë më të margjinalizuara, përfshirë gratë rurale të përkatësive të ndryshme etnike. Përveç kësaj, shumë anëtare të RrRGK-së angazhohen në nisma avokuese si në nivel lokal ashtu edhe qëndror. Avokimi është një instrument shumë i rëndësishëm që mund të përdoret nga OSHC-të në përmirësimin e barazisë gjinore në komunitetet e tyre. Kjo mund të ndihmojë në ndryshimin e politikave publike, në mënyrë që ato të pasqyrojnë parimet e barazisë gjinore “, përfundoi Donjeta Morina, koordinatore për zhvillim të kapaciteteve në Rrjetin e Grave të Kosovës.