Mars 28, 2025 | Friday

Muaji i Grave Kosovare: Farija Mehmeti

Gruaja rome në pikturë

Farija Mehmeti është artiste autodidakte. Lindur dhe rritur në Kosovë, rrugëtimin e saj artistik e ka nisur që në fëmijëri, kur ka eksperimentuar me talentin dhe pasionin e saj për pikturën. Veprat e saj plot ngarkesë emocionale, kryesisht portrete të grave rome, portretizojnë identitetin dhe reziliencën. Ajo filloi të pikturonte gra rome në vitin 2000, kur praktika e saj artistike hyri në një rrugëtim më të strukturuar.

Artin e saj ajo e përshkruan si një formë të artit naiv dhe të lirë. Farija e gjen frymëzimin tek komuniteti të cilit i përket – gratë rome – dhe në artin e saj ajo portretizon veshjet shumëngjyrëshe dhe shajet plot motive të grave që e rrethojnë, në një farë mënyre, edhe pse subjektet e saj shpesh janë imagjinare, me fytyra dhe pozicione që lindin nga kujtesa, ndjenja dhe vizioni i saj. Nga martesa e hershme dhe dhuna në baza gjinore te forca e nënës dhe përjashtimi social, pikturat e saj përmbledhin jetën e komunitetit rom në një mënyrë të shtresuar dhe të vetëdijshme në rrafshin emocional. “Kjo është qasja ime”, thotë Mehmeti për punimet e saj, “të prezantoj gratë e mia rome, veshjet, kulturën dhe emocionet e mia dhe të tyre. Dhe fytyrat e tyre të trishtuara, ku përpiqem të tregoj martesën e hershme, dhunën, emocionet sociale dhe amënore, si të miat ashtu edhe të grave të popullit tim”.

“Kjo ishte kur u panë punimet e mia për herë të parë. Ishte shumë e veçantë”, thotë Farija për ekspozitën e saj të parë të madhe që u mbajt në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2011, kuruar nga Erzen Shkololli. Kjo ekspozitë shënoi edhe hyrjen e saj formale në skenën e artit kosovar. Ekspozita ishte veçanërisht e rëndësishme për Farijen, sepse hapi dyert për njohjen e mëtejshme të veprës dhe artit të saj. Një dekadë më vonë, në vitin 2022, vepra e saj u kthye në publik në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, duke riafirmuar zërin e saj unik brenda peizazhit kulturor.

Kjo vepër është porositur nga Manifesta – e njohur edhe si Bienalja Evropiane Nomadike, e cila në vitin 2022 u zhvillua në Prishtinë, e kuruar nga Catherine Nichols. Pjesëmarrja e saj në këtë ekspozitë prestigjioze ishte një momentum i madh për karrierën e saj, por gjithashtu i dha asaj mundësinë që të kishte një ekspozitë personale kushtuar tërësisht portreteve të grave rome, duke u paraqitur jo vetëm si rrëfim vizual, por edhe si një akt i ruajtjes kulturore.

Farija eksperimenton me punime në format të vogël në letër, pikturë mëndafshi, art tekstili dhe aksesorë të punuar me dorë si fustane, kapëse flokësh dhe çanta. Dizajnet e saja shkrijnë traditën me shprehjen bashkëkohore. Përkundër sfidave prej resurseve të kufizuara, Farija vazhdon ta praktikojë pasionin e saj. Punimet e saj janë të vetë-financuara dhe të vetë-iniciuara.

Nëpërmjet artit të saj, Farija Mehmeti nuk pikturon thjesht gra – ajo pikturon kujtesën, luftën dhe shpresën. Vepra e saj është një dëshmi se çka do të thotë të jesh grua rome, artiste dhe tregimtare në një botë që shumë shpesh refuzon t’ia hedhë sytë.