Mars 5, 2025 | Wednesday

Muaji i Grave Kosovare: Feride Rushiti

“Ballafaqimi me traumën kolektive më ka nxjerrë nga të menduarit e vetvetes si mjeke”

Në fund të viteve të ‘90-ta, Feride Rushiti, themeluese dhe drejtore ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës Civile, u ballafaqua për së afërmi me të zhvendosurit nga lufta në Kosovë. Atëbotë studente e mjekësisë në Tiranë, kjo përvojë ia ndryshoi plotësisht trajektoren e jetës. Me mbarim të luftës, sapo u kthye në Kosovë themeloi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës Civile, e cila njihet si organizatë udhëheqëse për shërim, avokim e artikulim të nevojave dhe të drejtave të grave dhe burrave të mbijetuar/a nga dhuna seksuale nga lufta e viteve ‘98-’99 në Kosovë. Në bisedën e mëposhtme, Rushiti shpalos rrëfimin e saj dhe të organizatës nga themelimi deri tek nominimi për çmimin Nobel për Paqe që erdhi këtë vit. 

Europe House Kosovo: A mund të na tregoni për fillimet e punës suaj në aktivizëm? 

Feride Rushiti: Fillimet e punës sime kanë qenë diku kah shtatori i vitit ‘98, kur organizata të ndryshme ndërkombëtare dërgonin pako të ilaçeve në formë të ndihmës humanitare. Ato pako kryesisht vinin në doza të mëdha dhe ishin të pamenaxhueshme për terrenin. Ne si studentë të rinj të mjekësisë në Shqipëri, tentuam të organizoheshim për të bërë diçka për Kosovën. Kështu, u mobilizuam për të krijuar disa pako të cilat mund të hynin në zonë lufte dhe të menaxhoheshin nga paramedikët.

Pastaj kam dëgjuar për një organizatë [Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës] që kishte filluar punën me persona të zhvendosur dhe, kështu, i kemi marrë pakot e ilaçeve e i kemi dërguar atje, me idenë që njerëzit që vijnë tek ajo organizatë, të marrin edhe ilaçe. Pas dy javësh, personi që e menaxhonte këtë ndihmë humanitare më kërkoi ta gjeja një farmacist që do t’i menaxhonte këto ilaçe. Fatkeqësisht, nuk arrita ta gjej një farmacist të gatshëm për t’u angazhuar vullnetarisht, kështu që unë si studente e mjekësisë thashë, “Mjeku mund ta zëvendësojë farmacistin, farmacisti mjekun nuk mundet!” 

Kështu, kam filluar punën si farmaciste tek Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për t’i administruar këto ilaçe. Me kalimin e kohës, numri i personave të zhvendosur u rrit dhe u shfaq nevoja për doktor, kështu që unë fillova punën si doktore. Organizata ka pasur psikiatër, neurolog, gjinekolog dhe mjek të përgjithshëm. Unë kam filluar punën me idenë se do të jetë punë vullnetare, mirëpo me kohë më është ofruar një kompensim financiar i cili ka qenë i mirë për kohën. 

Europe House Kosovo: Si filluat punën si koordinatore në Qendrën për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në Shqipëri?

Feride Rushiti: Me kalimin e kohës u rrit vëllimi i punës. Kështu, filluam të rekrutojmë mjekë të rinj dhe meqenëse isha aktive, m’u ofrua pozita e koordinatores. Trajnimin e parë në Ndërhyrje Psikosociale me UNICEF-in e kemi pasur në nëntor të vitit 1998. Në këtë trajnim na është shpjeguar si duhet të punohet me fëmijë; cila është qasja e duhur me fëmijët e traumatizum. 

Pastaj në janar, unë vazhdova të punoj, të rekrutoj njerëz të rinj, studentë, mjekë. Kah fundi i janarit, na thanë se numri i refugjatëve në Kukës po rritet drastikisht dhe, si e trajnuar nga UNICEF-i për Ndërhyrje Psikosiciale, u shfaq nevoja që unë të shkoj në Kukës, si e vetmja nga Kosova në një ekip bashkë me tri vajza nga Shqipëria. Më thanë se ishte e nevojshme të jem edhe unë aty për shkak se kishim të bëjmë me fëmijë dhe dialekti ishte i rëndësishëm paoshtu. Thashë, “Me gjithë dëshirë!” Na dërguan me helikopter në Kukës. Kukësi ka qenë i mbipopulluar. Organizatat humanitare të bashkësisë ndërkombëtare nuk kishin ku t’i vendosnin as çadrat.

Në Kukës kam punuar tek rajoni i xhamisë ku kanë qenë të strehuara kryesisht nëna që nuk kanë pasur bashkëshortë, por kanë qenë aty vetëm me fëmijët e tyre. Punoja me fëmijë prej orës 08:00 deri në 17:00, pastaj pas orës 17:00 vullnetarisht shkoja në kufi sepse aty ishte fluksi i parë i njerëzve që vinin dhe pastaj filluan të më thërrasin edhe për raste individuale. 

Aty i kam takuar për herë të parë gratë e dhunuara. Kjo ngjarje mua ma ka ndryshuar orientimin profesional, por edhe jetësor dhe më ka shndërruar në këtë që jam sot. E kam parë se ato thjesht nuk ishin në gjendje të flasin për mënyrat si ishin abuzuar. 

Si mjeke ti mund ta dish konceptin e dhunimit dhe pasojat e tij. Por kur dëgjon tregime për dhunimet në prani familjare, për format më brutale të mundshme, për zhveshjet, lënien pa rroba e forma të tjera të abuzimit, kupton se bëhet fjalë për një dimension tjetër të dhimbjes. 

Europe House Kosovo: Ky është tregim tejet specifik, pra mënyra si ju hiçni dorë nga thirrja juaj primare profesionale në emër të një misioni. Pra, nga profesioni i mjekes, të ktheheni në Kosovë dhe të themeloni një organizatë si KRCT? 

Feride Rushiti: Ka qenë ballafaqimi me traumën kolektive që më ka nxjerrë nga të menduarit e vetvetes si mjeke. Domethënë ka qenë periudhë përgjatë të cilës nuk ke mundur të dokumentosh, të shkruash e as ta mendosh veten si një mjeke ashtu siç bëjnë mjekët, që ulen dhe e kanë mundësinë të bisedojnë me pacientin. Jo, çështja ka qenë çka të bëhet më parë! 

Krejt këto sfida jetësore më kanë bërë të reflektoj. Edhe pse deri në atë moment nuk e kam imagjinuar veten në ndonjë profesion alternativ përveç mjekësisë,  krejt kjo më ka shtyrë të mendoj që kur të kthehem në Kosovë ta krijoj një organizatë ku këto gra që i kam dëgjuar, po edhe burrat, ta kenë një ambient të sigurtë ku thjesht mund të shprehen lirshëm. Natyrisht kthimi në Kosovë ka qenë sfidë më vete. . 

Europe House Kosovo: SI ishte procesi i kthimit në Kosovë dhe themelimi i organizatës?  

Në Kosovë jam kthyer diku kah 15 qershori. Fillimi ka qenë kryesisht punë për krijimin e ekipit. Kam shkuar në zyrën e UNHCR këtu në Kosovë, për ta dërguar konceptin për  regjistrim të organizatës. Aty më treguan se një shërbim i atillë ende nuk ekzistonte në Kosovë dhe më orientuan tek UNMIK. Kur shkova tek UNMIK-u, ka qenë aty një doktor nga Finlanda, ai më tha: “Na ke frymëzuar të mendojmë që në fakt në Kosovë nuk kemi zyrë për regjistrimin e organizatave të shoqërisë civile.”  Pastaj mbi atë kërkesën që e kam bërë, e kanë ndërtuar një departament për regjistrimin e OJQ-ve dhe unë në dhjetor pastaj e kam marrë çertifikatën e regjistrimit për KRCT-në. Kjo ka qenë në aspektin administrativ. 

Në aspektin e përgjithshëm e atë të testimit të kësaj nisme, gjithësecili me të cilin kam folur më ka thënë se do të jetë e pamundur, se [të mbijetuarat] nuk do të flasin…Plus edhe për mua Mbështetja Psikosociale ka qenë koncept i ri. Unë i kisha vetëm tri ditë trajnim. Por në rrethana të luftës, nuk mund të them se më kanë shërbyer mësimet e trajnimit, aty më ka folur zemra, më kanë folur dhimbjet e njerëzve që i dëgjoja. 

Fillimi ka qenë shume skeptik, shumë i errët, shumë i paqartë, shumë i mjegullt. Në të njëjtën kohë këtu filloi të punojë OBSH [Organizata Botërore e Shëndetësisë], që në atë kohë organizonte mbledhjet koordinuese për shëndetin mendor e të cilat unë i ndiqja. Në këto rrethana kemi filluar punën. Fillimisht mendonim se duhet të punojmë në Prishtinë, të organizojmë aktivitete mediatike. Pastaj kemi provu me televizion, por as kjo nuk funksionoi shumë. 

Kemi filluar të organizohemi për punë në terren dhe aty e kam parë qe ne si organizatë duket ta kemi selinë në Prishtinë, por puna jonë e vërtetë është në terren, aty ku janë njerëzit e prekur, aty ku është dhimbja. Njerëzit ballafaqohen me dhimbjen në terren. E kemi krijuar ekipin për dalje në terren dhe e kemi përgatitur një broshurë shumë të thjeshtë për atë kohë me titull, “Reagimet normale në ngjarje jonormale”. Pra, lufta ishte ngjarja jonormale dhe reagimet ndaj saj ishin normale, sepse bëhej fjalë për viktima në njerëz e dëme të shumta. 

Uleshim nëpër fusha, i mbledhnim gratë, burrat kur vinin, edhe bisedonim për këto ngjarje. Aty ke mundur ta shohësh një grua që ka qëndruar e heshtur, kokëulur. Ka qenë tipike viktimë, ashtu siç kishim mësuar për reagimet e tyre. Por edhe kur tentonim të bisedojmë me gruan në fjalë, ishte e pamundur të ishte e pashoqëruar nga ndonjë familjar, për shkak se bëhej fjalë për marrëveshje që ajo ndodhi të trajtohet brenda për brenda familjes. Kjo natyrisht ishte si shkak i stigmatizimit, kulturës  së nderit që ndërlidhet me turpin e kështu me radhë. 

Pastaj dalëngadalë, i kemi ftuar në organizatë sepse në ato rrethana ishte e pamundur të krijohet ai ambineti i sigurtë. Ndërkohë, ato kishin nevojë të flasin, sepse kur trauma është e freskët, njeriu ka nevojë të shkarkohet, të shprehet tek dikush. Kështu, fillimisht i kemi ftuar në organizatë, kanë ardhur gjoja për të marrë ilaçe, e pastaj i kemi vendosur në kontakt me psikologun dhe psikiatrin e gjinekologun që ishin atëherë të angazhuar.  

Europe House Kosovo: Si u shtri organizata nëpër Kosovë?

Prej janarit të vitit 2000, i kemi shtrirë qendrat tona satelite në Skënderaj, në Pejë, në Deçan. Kur ndodhi lufta në Maqedoni, e kemi pasur një qendër edhe në Gjilan. Kemi pasur qendra edhe në Malishevë, Rahovec e Podujevë. Në secilën qendër i kemi pasur nga dy doktorë edhe një infermiere, pse thua ti? Sepse kanë qenë gjithsej dy psikologë të kualifikuar në gjithë Kosovën. Njëri prej tyre ishte në staf tek ne, por nuk kishte kapacitet t’i mbulonte të gjitha nevojat. Pastaj kemi filluar me trajnime për këta mjekë dhe infermierë për qasjen psikosociale në relacion me plagët e luftës. Në fillim aktiviteti ynë ka qenë ndërhyrje në krizë. Mandej kemi krijuar ekipe profesionale edhe filluam përtej shërbimeve të mendojmë për avokimin, për trajnimet, për ndryshime ligjore, për bërje të politikave, për hulumtime shkencore e deri tek dokumentimi.

Europe House Kosovo: Si ju është bashkuar BE-ja në misionin tuaj? 

Feride Rushiti: Ne organizatën e kemi filluar me BE-në! Projekti i parë ka qenë EFE, European Funds for Emergency. Strukturën e organizatës e ka krijuar BE-ja, edhe përveç kësaj, pas këtij fondi kemi marrë fonde nga European Institute for Democracy and Human Rights. Kemi marrë fonde edhe drejtpërdrejt në Bruksel. Ishte ajo linja për “Torture Rehabilitation, Torture Prevention”. Puna me BE-në për ne ka qenë fakultet më vete, sepse administrata e BE-së është e atillë që kur e mëson, puna me donatorët tjerë bëhet shumë e thjeshtë. 

Kështu që ne deri në 2008-2009, kemi funksionuar kryesisht me fonde prej BE-së, por edhe më vonë kohë pas kohe. Konsolidimin e organizatës e ka bërë BE-ja dhe pse e ka bërë? Sepse projektet kanë qenë trevjeçare, ke pasë mundësi të zhvillohesh përbrenda, të ofrosh shërbime dhe ta ndash përvojën nga jashtë. Kështu, mbështetja nga BE ka lënë gjurmë në organizatë të cilat na kanë ndihmuar të konsolidohemi. 

Europe House Kosovo: Si erdhi nominimi për Çmimin Nobel për Paqe? 

Feride Rushiti: Para se të flasim për atë, më duhet ta përmend se takimet individuale me përfaqësues e me delegacione të ndryshme ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme për ne. Unë mendoj se aty bëhet transmetimi i drejtpërdrejt i përvojave dhe dhimbjes. Sa herë ka pasur delegacione në Kosovë, unë i kam sjellur edhe viktimat, për ta kuptuar secili e secila se këto gjëra kanë ndodhur vërtet, për shkak se krimet në Kosovë janë mohuar për një kohë të gjatë. 

Nominimi për Çmimin Nobel për Paqe ka qenë moment emocional i papërshkrueshëm. Nderi më i madh që mund t’i bëhet një organizate a një individi. Po flas specifikisht për nominimin e jo për çmimin sepse çmimin besoj duhet ta marrin njerëzit që kanë nevojë për më shumë dukshmëri dhe përkrahje, njerëzit nga vendet ku luftërat po ndodhin aktualisht.  

Nominimi është i rëndësishëm mbi të gjitha për të konfirmuar reziliencën e grave që ne e kemi shtyrë përpara. Më e rëndësishme është për këto gra dhe për Kosovën, sepse tashmë jemi në një nivel të ri botëror ku njihen krimet e dhunës seksuale. 

Mendoj që veç nominimi për ne ka qenë fitore në vetvete, jo veç për ne si organizatë, jo veç për mua si individ, por për kauzën që e bartim. Mbi të gjitha për historinë e re të Kosovës, sepse pa marrë parasysh a e fitojmë apo jo, fakti që kemi hyrë në mesin e të nominuarve është njohje. Njohja është sidomos e rëndësishme kur jetojmë në një periudhë kohore që në të gjitha formatet mohohen krimet e luftës. Mendoj që kjo është antipropaganda më e mirë që e ngrit kauzën në nivel ndërkombëtar. 

Përtej asaj, fakti që ka ardhur deri tek nominimi, edhe për ato gra që janë duke u dhunuar momentalisht është njëfarë thirrje ndërkombëtare që dhuna seksuale si armë e luftës duhet të ndalet!