Mars 12, 2025 | Wednesday

Muaji i Grave Kosovare: Shpresa Agushi

“Besimi, afërsia dhe puna e drejtpërdrejtë me komunitetet, na ka bërë që të vazhdojmë të kemi vullnet për punë”

Për më shumë se dy dekada, Shpresa Agushi ka qenë në ballë të aktivizmit dhe avokimit për të drejtat e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë, me përqendrim në përmirësimin e jetëve të grave dhe vajzave të këtyre komuniteteve. Rrugëtimi i saj nisi qysh në vitin 1999 dhe vazhdon sot e kësaj dite. Për aktivizmin e saj, Agushi është nderuar me disa çmime ndërkombëtare, të cilat i kanë shërbyer si njohje e motiv për të vazhduar. Sot ajo udhëheq Rrjetin e Organizatave të Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane në Kosovë, ndërsa puna e drejtpëdrejtë me komunitetet mbetet në qendër të angazhimit të saj. Në intervistën e mëposhtme, me Shpresën ecim nëpër shtigjet e saj të aktivizmit. 

Europe House Kosovo: A mund të na flisni për fillimet e punës suaj aktiviste dhe avokuese për të drejtat e komuntiteteve romë, ashkali dhe egjiptianë, me përqendrim tek gratë dhe vajzat e këtyre komuniteteve në Kosovë?

Shpresa Agushi: Punën time si aktiviste e kam filluar në vitin 1999, kur në Kosovë, pasojat e luftës kishin lënë shumë paragjykime për komunitetet pakicë. Fillimisht jam angazhuar në qytetin ku jetoj, në Gjilan, me qëllim që përmes punës dhe kontakteve me organizata të ndryshme që në atë kohë operonin në Kosovë, të mbroheshin të drejtat e njerëzve që ishin të pafajshëm dhe po ballafaqoheshin me paragjykime të formave të ndryshme. Pastaj u punësova në organizatën International Rescue Committee, ku merresha me shpërndarjen e ndihmave humanitare ushqimore dhe joushqimore për komunitetin rom. Koha e pasluftës ishte e vështirë, me sfida e rreziqe të ndryshme, për shkak të të cilave më duhej ta fshihja identitetin e vërtetë që të mos kuptohej se isha rome.  

Më vonë u bëra pjesë e takimeve me gratë e rajonit dhe kështu u bëra pjesë e një rrjeti të madh ndërkombëtar të grave rome dhe kështu krijova kontaktet e para me gratë dhe organizatat e grave rome në rajon e në botë. 

Në atë kohë, ne merreshim me problemet e përgjithshme të komunitetit rom, pa u përqendruar në grupe të ndryshme demografike brenda për brenda komunitetit. Kështu që vendosa që punën time aktiviste ta përqendroja në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave, pasiqë duhej dikush të artikulonte problemet, kërkesat dhe nevojat që kishin gratë e këtyre komuniteteve. 

Europe House Kosovo: A u kanalizua kjo punë nëpërmjet ndonjë organizate?

Shpresa Agushi: Në vitin 2001, hapa organizatën e parë që në gjuhën shqipe quhej “Gratë rome”. Edhe pse nuk kishim shumë njohuri, na ndihmuan qendrat e burimeve përmes OSBE-së. Ajo që mund të them është se përkundër mungesës së njohurive atëbotë, kishim vullnet shumë të fortë. Kemi punuar fort që të luftojmë paragjykimin e diskriminimin.

Në vitin 2001 poashtu nga komuniteti rom në Gjilan u zgjodha si këshilltare në Asamblenë Komunale në Gjilan. Atëherë kishte vende të rezervuara për komunitetet, kështuqë unë u zgjodha nga vetë komuniteti rom në Gjilan, pa u bërë pjesë e asnjë formacioni politik të atëhershëm, për t’i përfaqësuar në Asamblenë Komunale. 

Europe House Kosovo: Ndërkohë ju keni punuar në disa organizata vendore e ndërkombëtare, brenda për brenda së cilave e keni artikuluar çështjen e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë…

Shpresa Agushi: Nga International Rescue Comittee kalova në CARE International, pastaj edhe në KCSF – Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile e QKSGj – Qendra Kosovare për Studime Gjinore. Në KCSF kam punuar për herë të parë në një projekt të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Bëhet fjalë për vitin 2003, kur përmes mbështetjes nga BE kryesisht kemi dhënë bursa për edukim për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë për të gjitha nivelet e edukimit nga shkolla fillore deri tek studimet master. 

Europe House Kosovo: Në këtë periudhë, teksa jeni angazhuar në kapacitete të ndryshme nëpër organizata të ndryshme, ju vetëm se kishit formuar një grup joformal të grave rome, që pastaj u shndërrua në Rrjetin e Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane, të cilin ju e udhëhiqni sot. Si ka qenë ky rrugëtim? 

Shpresa Agushi: Ne kishim formuar grupin joformal në vitin 2000, me idenë që të krijonim një rrjet të grave rome, ashkalike dhe egjiptiane. Këto takime fillimisht u filluan nga OSBE-ja me përkrahjen e KFOS-it. Atëherë ne morëm pjesë nëpër trajnime të ndryshme, por kërkesa e të gjitha atyre grave mbetej që ky rrjet joformal të formalizohej. Kjo kërkesë u dëgjua nga UNIFEM-i i atëhershëm që është UN Women i sotëm. 

Pas takimeve të shumta, projekti ju dha njërës Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ku unë u angazhova si koordinatore dhe detyra ime ishte regjistrimi formal i organizatës apo rrjetit. Për herë të parë në këtë proces, unë dhe shumë gra e organizata të tjera të këtyre komuniteteve, mësuam shumë gjëra. Organizatat që i kishim themeluar më herët ishin shumë të thjeshta, ndërsa gjatë regjistrimit të rrjetit mësuam të punojmë së bashku në statut, objektiva, ide, qëllime, aktin themelues, logo, uebfaqe e gjithçka që duhet të ketë një organizatë. Takimet e përbashkëta, planifikimi dhe puna e përbashkët na ndihmoi të krijonim një rrjet prej disa anëtarëve. Anëtarësia përbëhej kryesisht prej ogranizatave të grave dhe aktivistet, sepse qëllimi ishte të krijohet mundësia që pjesë e rrjetit të bëhen edhe vajzat e gratë që nuk ishin pjesë e asnjë organizate, mirëpo kishin vullnet. 

Europe House Kosovo: Cilat janë disa nga fushat në të cilat është përqendruar puna e rrjetit? 

Shpresa Agushi: Duke qenë se kur unë kam filluar aktivitetin tim, nëpër takime kanë qenë të gjithë burra dhe unë isha e vetmja grua e komunitetit rom nëpër këto takime, qëllimi im ka qenë që nga unë një, të bëhen sa më shumë gra e vajza me të cilat së bashku do të punonim për pozitën dhe të drejtën tonë. 

Kemi filluar me ngritje të kapaciteteve, vazhduam me hulumtime të ndryshme për të kuptuar gjendjen dhe e pamë se edukimi është në nivel të ulët. Filluam me avokim nëpër institucione, pjesëmarrje nëpër grupe të ndryshme punuesepër strategji të integrimit të komuniteteve dhe pastaj edhe në grupe të ndryshme të cilat kishin të bënin kryesisht me këto tri komunitete. 

Pastaj kemi trajtuar çështjet si martesat e hershme e dhuna në familje. Për të gjitha këto ka qenë shumë e vështirë të bisedohet në fillim, për shkak se fillimisht ishte e vështirë t’i nxjerrim gratë dhe vajzat e komuniteteve nga shtëpitë, sepse nuk ndiheshin të sigurta dhe e dyta ato shpesh nuk lejoheshin të marrin pjesë në takime nga anëtarët burra të familjeve të veta. 

Duke qenë se për shkak të normave kulturore, gratë në këtë rajon shpesh detyrohen të jetojnë me dhunuesit e tyre, fillimisht kemi pasur probleme me raportimin e dhunës. Pas një kohe, duke i përkrahur, duke avokuar së bashku, filloi të thyhej mosguximi për raportim. Këtë e kemi bërë ashtu që në secilin takim, pa marrë parasysh se çfarë teme ka pasur takimi, i kemi ftuar edhe organizatat dhe institucionet, në mënyrë që gratë dhe vajzat të shohin se kush punon, kujt mund t’i drejtohen dhe si mund të bashkëpunojnë për çështjet që i brengosin ato. Në fillim ishte shumë e vështirë që të flitej për dhunën në familje dhe në momentin kur bëmë hulumtimin kryesisht komunitetet nuk e kuptonin çështjen e dhunës sepse dhunën e kuptonin vetëm rrahje. Mirëpo gjatë hulumtimit na është dashur që edhe t’ju shpjegojmë çka në fakt është dhuna në mënyrë që ato të raportonin e të na informonin në mënyrë më adekuate. Pastaj punuam në takime dhe kampanja të ndryshme, takime me burra, takime me gra, takime me të rinj, ku përpos që kemi informuar për format e dhunës, kemi informuar edhe në lidhje me shërbimet dhe legjislacionin në fuqi që i mbron ato. 

Guximi ndoshta tani është pak më i madh por ende kemi gra që nuk e kanë atë guxim. Kërkohet punë shumëvjeçare. 

Besimi është shumë me rëndësi për të punuar dhe për të arritur qëllimet. Besimi, afërsia dhe puna e drejtpërdrejtë me komunitetet, na ka bërë që të vazhdojmë të kemi vullnet për punë.