Mars 10, 2025 | Monday
“Jeta jetohet vetëm një herë”
Rajmonda Sylbije është zë i fuqishëm në betejën për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave LGBTIQ+ në Kosovë. Ajo u rrit bashkë me lëvizjen LGBTIQ+ pas luftës në Kosovë. Nga angazhimi i hershëm në nisma komunitare, tek themelimi i CEL Kosovës, sot drejtore e programit në organizatën CSGD, Sylbije nuk i është ndarë kauzës asnjëherë. Në intervistën e mëposhtme, rrugëtojmë me të nëpër momentet kyçe të zhvillimit të saj si aktiviste por edhe të lëvizjes LGBTIQ+ në Kosovë, nga hapësirat e mbyllura, tek ecja haptazi në sheshe. Beteja për dinjitet për personat LGBTIQ+ nuk ndalet.
Europe House Kosovo: A mund të na tregosh për fillimet e aktivizmit tënd dhe mënyrën se si aktivizmi yt kanalizohet nëpër organizata joqeveritare. Përtej kësaj, edhe pak për kontekstin shoqëror në periudhën kur ke filluar si aktiviste dhe si janë përmirësuar rrethanat për personat LGBTIQ+ në Kosovë ndërkohë, falë punës së aktivistëve e aktivisteve?
Rajmonda Sylbije: Mendoj se pavarësisht nëse atëherë është quajtur aktivizëm apo jo, me aktivizëm kam filluar të merrem si shumë fëmijë të pasluftës në Kosovë. Atëherë kemi pasur qasje në disa organizata të pranishme nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, njësoj edhe në Prizren, të cilat janë marrë me çështje të ballafaqimit me të kaluarën dhe ndërtimit të paqes. Mendoj se pavetëdijshëm aty ka filluar angazhimi im me çështje shoqërore dhe e kam kuptuar se më pëlqen të merrem me këtë.
Kështu që, kur kam ardhur në Prishtinë, veçse kam qenë e familjarizuar me punën e organizatave joqeveritare dhe organizimin në komunitet, mirëpo absolutisht jo me ndonjë organizatë që merrej me çështjet LGBTIQ+. Atëbotë, komuniteti ka qenë pothuajse hermetikisht i mbyllur dhe qasja në të ka qenë e vështirë nëse nuk e ke njohur dikë dhe kjo për shkak se çështjet e sigurisë dhe konfidencialitetit kanë qenë ndër çështjet më të rëndësishme për personat LGBTIQ+ në atë kohë.
Hapësirat e sigurta dhe mirëqenia kanë qenë çështje me të cilat është marrë lëvizja LGBTIQ+ në Kosovë për një kohë të gjatë. Ka qenë shumë e nevojshme të krijohet një ambient mirëbesimi me njëri-tjetrit, të krijohet pikë së pari rehatia me vetveten dhe të kesh mundësi të bisedosh me dikë që është sikur ti apo me dikë që është përkrahës për çështjet që të preokupojnë ty si person.
Nëse duhet ta krahasojmë gjendjen me si e kam gjetur në vitin 2006 dhe si është sot, është pothuajse e pakrahasueshme. Organizatat joqeveritare që merreshin me çështjen LGBTIQ+ në atë kohë punonin në mënyrë shumë të mbyllur. Kanë funksionuar qendrat “drop in”, të cilat janë shfrytëzuar edhe si zyra edhe si vendtakime. Puna avokuese ka qenë e rrallë. Kështu që mund të themi se në fillimet e lëvizjes, ka qenë shumë e rëndësishme të krijohen këto hapësira të sigurta.
Europe House Kosovo: Si u kyçe ti në lëvizje dhe cilat ishin prioritetet që ti i kishe si person në atë kohë dhe a gjete mënyrë t’i adresosh ato nëpër organizatat që punonin në atë kohë?
Rajmonda Sylbije: Ka qenë rastësi që disa persona më kanë treguar se në Prishtinë ekziston një organizatë e cila merret me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave LGBT. Atëherë nuk është përmendur as si emërtim kështu. Më kujtohet hera e parë kur kam marrë pjesë në një mbledhi, siç organizoheshin atëherë. Ka qenë një gëzim në vete, një stil jetese ndryshe nga ajo që shihej jashtë. Jam ballafaquar me një komunitet shumë solidar dhe mbështetës mes vete. Mendoj që çështja e parë që më ka pëlqyer ka qenë ambienti i mbështetjes. Ndërsa nëse më pyet se cila ka qenë arsyeja që më ka mbajtur në lëvizje, ka qenë pikërisht nevoja fakti se e kam parë sa njerëz ndihen të papërfaqësuar, sa shumë gjëra mbesin brenda katër mureve, sa jetë të dyfishta jetohen. Kjo gjendje më është dukur e rëndë, një komunitet i tillë të vazhdojë të jetojë një jetë të atillë.
Mendoj se jo vetëm unë, por disa prej nesh është dashur të ndërmarrim një hap ashtu që ajo mënyrë e funksionimit të këputej, sepse mendoj që njeriu pastaj fillon e rehatohet në një zonë të rehatisë dhe harron se faktikisht duhet të punohet që të ndryshohet gjendja e jashtme. Nëse e jashtmja është ajo që na preokupon më së shumti, atëherë, aty duhet të punohet, ajo duhet të ndryshohet. Me këtë bindje kam vazhduar të angazhohem nëpër organizata, fillimisht në QeSh, pastaj në LIBERTAS.
Europe House Kosovo: Ju jeni themeluese e CEL – Qendrës për Liri dhe Barazi, e cila vazhdon të jetë zë i fuqishëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave LGBTIQ+ në Kosovë. Fillimisht ka qenë CSGD, pastaj vijnë edhe QeSh dhe LIBERTAS, e më vonë ju e themeloni edhe CEL-in. Cili ka qenë konteksti që e ka bërë urgjent themelimin e CEL-it për ty?
Rajmonda Sylbije: LIBERTAS në atë kohë udhëhiqej nga një i huaj dhe kemi menduar se kemi kapacitet dhe nevojë për më shumë përfaqësim vendor. Pas mbylljes së LIBERTAS, veç ishte një momentum kur të rinjtë kishin filluar të jenë shumë më të zëshëm dhe me aktivitete më të shumëllojshme të ndërtimit të komunitetit sesa thjesht me qendrat ‘drop-in’. Kështu, sidomos pas sulmeve ndaj Kosovo2.0 dhe LIBERTAS, ka qenë e nevojshme të bëhet një përmbyllje e gjithë asaj trashëgimie të përpjekjeve që kishim bërë për më shumë dukshmëri, për të qenë më publikë.
Në atë kohë, është dashur të themelohet një organizatë si CEL, nga njerëz të ri dhe me qasje pak më ndryshe, jo ndryshe në kuptimin e çështjeve që trajton, por ndryshe në kuptimin që të krijohet një vend ku jo vetëm komuniteti, por edhe mbështetësit kanë hapësirë për t’u mbledhur në mënyrë që personat LGBTIQ+ ta ndiejnë mbështetjen.
Mendoj se themelimi i CEL-it shënon një pikë kthese, kur jemi bërë më të zëshëm si lëvizje. Kjo jo vetëm për shkak të CEL-it, por edhe për shkak se tanimë ishim tri organizata, tre udhëheqës, dy prej tyre gra. Mendoj se i dhamë një frymë lëvizjes ku tashmë kishte njerëz të cilët dilnin dhe flisnin publikisht e i mbronin të drejtat e personave LGBTIQ+. Filluam të marrim më shumë pjesë nëpër medie, filluam të organizojmë marshet e para të cilat konsideroj se janë themelet mbi të cilat sot kemi edhe parada edhe shumë çështje të tjera. Pa mbështetjen e disa personave të cilët kanë qenë të kyçur në atë kohë, kjo nuk do të ndodhte. Mirëpo mendoj se është dashur që diçka të dalë prej binarëve të zakonshëm të funksionimit.
Europe House Kosovo: Prej perspektivës tënde, si dikush që ka qenë në lëvizjen LGBTIQ+ në Kosovë qysh herët, cilat i konsideron të arriturat kyçe të saj nga paslufta deri më sot?
Rajmonda Sylbije: Nuk di nga të filloj kur flas për arritjet. E para është definitivisht rehatia e personave LGBT dhe vetë fakti që sot kemi shumë aktivistë të zëshëm dhe vetë persona LGBTIQ+ që janë të zëshëm për këto çështje. Atëherë kjo ka qenë pothuajse ëndër.
Nëse në atë kohë gjithçka ka qenë temë tabu, sot flitet hapur për shëndetin mendor tek personat LGBTIQ+ për shembull dhe ka shërbime që ofrohen nga organizatat për shëndetin mendor. Fatkeqësisht nuk mund të them se këto janë përparime institucionale, sepse këto shërbime nuk ofrohen nga institucionet tona, anipse do të duhej të ishin të mirëqena. Mirëpo arritje është fakti se kemi arritur të identifikojmë nevojat dhe kemi arritur të ofrojmë shërbimet për marrjen e të cilave komuniteti nuk heziton. Pastaj puna edukative që është bërë me trajnime për institucione të ndryshme si me gazetarë, prokurorë, policë, studentë.
Një arritje tjetër është mbrojtja kundër diskriminimit. Ligji si i tillë ka ekzistuar edhe më herët mirëpo nuk ka qenë mirë i promovuar e as mirë i kuptuar nga personat LGBTIQ+ e as nga grupet tjera minoritare apo të margjinalizuara. I kemi krimet e urrejtjes ku në mënyrë eksplicite specifikohen karakteristikat si orientimi seksual apo identiteti gjinor. Sot flasim për çështje transgjinore. Sot flasim për terapitë e nevojshme për personat transgjinorë, hormonoterapia e çështje të tjera. Sot kemi persona të cilët e kanë ndryshuar shënjuesin e gjinisë në dokumente zyrtare.
Nëse do t’i kisha menduar këto në fillim të lëvizjes, do të më ishin dukur të pamundura. Për të mos folur për faktin e të dalurit plotësisht hapur në rrugë apo marrjes së vendeve publike, siç janë paradat dhe numri i mbështetësve. Nuk ka qenë e lehtë në fillim, mirëpo sot ecim nëpër rrugë. Sot kemi çdo vit slogane të ndryshme përmes të cilave ju drejtohemi institucioneve për çështje të ndryshme. Sot kemi pasur kryeministër, president, ministra të ndryshëm, të cilët kanë ecur në paradë.
Natyrisht edhe një çështje që mendoj se është shumë pozitive është numri i hapësirave publike që i kemi, qofshin ato të organizatave, qofshin ato vende si kafiteri, klube apo qendra kulturore në përgjithësi, të cilat janë të qasshme për personat LGBTIQ+, edhe pse ende fatkeqësisht vetëm në kryeqytet.
Poashtu, vetë fakti se jemi duke diskuuar për një çështje kushtetuese është një lloj treguesi që lëvizja ka qenë e gatshme të merret me disa çështje, sepse po të mos kishte qenë lëvizja e gatshme të merret me disa zhvillime politike, mbase sot nuk do të bisedonim fare për kodin civil. Fatmirësisht gjithmonë e them, mirë që e kemi kushtetutën e cila na e ofron një bazë të fortë ligjore. Përpos besimit dhe vullnetit të plotë që çdo njeri duhet të ketë të drejtë në martesë, natyrisht ligjërisht kushtetuta është një bazë e fortë. Sikur mos ta kishim këtë bazë, do të duhej të luftonim për ndryshime edhe më rrënjësore të legjislacionit.
Europe House Kosovo: Cilat janë urgjencat, apo nevoja në të cilat duhet të ndërhyhet në të ardhmen?
Rajmonda Sylbije: Institucionet tona duhet ta kuptojnë se organizatat joqeveritare nuk mund të vazhdojnë edhe për kohë të gjatë që tërë kapacitetet e veta t’i orientojnë kah ofrimi i shërbimeve të cilat do të duhej të ofrohen nga institucionet. Momentalisht 60-70 përqind e punës së organizatave përbëhet nga ofrimi i shërbimeve. Këtu bëhet fjalë për ofrime të shëndetit mendor, çështje të tjera shëndetësore si dhe ndihmë juridike. Nëse kjo nuk institucionalizohet, do të jetë barrë e madhe për organizatat që të sigurojnë ofrimin e këtyre shërbimeve.
Çështja tjetër është rregullimi i boshllëqeve ligjore. Personat LGBTIQ+ nuk kanë më kohë për të humbur sepse jeta jetohet vetëm një herë. Këtu flasim për jetë njerëzish dhe mendoj se është paguar mjaftueshëm shumë para nesh dhe gjatë kohës sonë që brezat sot por edhe të gjithë personat LGBTIQ+ të kenë trajtim të dinjitetshëm dhe qasje të barabartë. Prandaj, çështje si Kodi Civil, martesa mes gjinive të njëjta, e drejta në adoptim e çështje të ngjashme nuk do të duhej as të ishin të diskutueshme.
Mendoj që këto çështje janë zgjidhur qëmoti nëpër botë dhe Kosova kur është përcaktuar për të ndjekur rrugët evropiane, është dashur t’i kryejë edhe këto diskutime. Natyrisht, gjithmonë duke e pasur njeriun në qendër të bisedës. Njeriu nuk mund ta jetojë jetën e vet dy herë!