Tetor 24, 2018 | Wednesday

Ndikimi i mjedisit në sukseset e notuesit olimpik Lum Zhaveli

Lum Zhaveli nuk është një djalë i rëndomtë. Kur ishte vetëm 26 vjeçar ai përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike 2016 në Rio te Janeiro, në kategorinë e notit në stil të lirë për meshkuj, në 50 metra.

Muajve të fundit, Zhaveli është një nga katër kampionët e Fushatës për Mjedisin në Kosovë, e cila po organizohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementohet nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Kosovë. Bashkë me Rita Saraçin – blogere e modës, alpinisten Arineta Mula dhe aktorin Vedat Bajrami, Zhaveli është pjesë e rëndësishme e Fushatës për Mjedis, duke synuar ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë. Zhaveli po përkushtohet në këtë Fushatë duke e ndarë me të tjerët përvojën e tij dhe rëndësinë e një mjedisi të shëndetshëm në jetën e tij dhe në arritjet e tij profesionale.

“Kam marrë pjesë në nisma të ndryshme për pastrimin e mjedisit në pjesë të ndryshme të Kosovës. Gjithashtu kam marrë pjesë edhe në pastrimin e Liqenit të Batllavës. Kur dal në natyrë, përkujdesem që gjithmonë ti hudh mbeturinat aty ku duhet. Si fëmijë më kujtohet që kam dalë në natyrë dhe i kam pa prindërit e mi të cilët përkujdeseshin që të largonin mbeturinat në mënyrë që të kënaqeshim më shumë. Kjo traditë edhe sot qëndron në mendjen time. Kudo ku shkoj, e pastroj ambientin para se të ulem dhe pasi largohem” tregon Zhaveli.

Zhaveli gjithmonë ka qenë i dhënë pas teknologjisë. Ai ka studiuar shkenca kompjuterike në Selanik të Greqisë në City College, University of Sheffield, atje ku edhe nuk e ka ndaluar notimin.

Zhaveli është shpërblyer tetë herë si notuesi më i mirë në Kosovë dhe mban rekorde për kohën më të mirë në disa stile dhe kategori të ndryshme për notim në Kosovë. Zhaveli po avokon për Ujin, një prej katër shtyllave kryesore të Fushatës për Mjedis, e cila ka nisur me 24 shtator të këtij viti dhe do të vazhdojë deri në mes të dhjetorit të këtij viti.

45025443712_7ef098ab35_b

“Në Kosovë na mungon infrastruktura për sport, sidomos për notin, por kjo megjithatë nuk më ka ndalur asnjëherë. Unë jetoj në qendër të Prishtinës dhe jam fatkeqësisht i rrethuar nga shumë mbeturina dhe ajër të ndotur. Gjatë verës kam notuar sidomos në Liqenin e Batllavës, por gjithmonë më irriton fakti se si njerëzit e vizitojnë këtë pjesë të bukur dhe më pas hudhin mbeturinat në ujë dhe në breg të Liqenit” shton Zhaveli.

Momentalisht Zhaveli është koncentruar më shumë në karrierën profesionale por ende angazhohet në not. ‘LSP – Learn-to-Sëim, Prevent Droëning’ është programi ku ai momentalisht është më aktiv. Bashkë me Federatën e Notit të Kosovës, ai po provon që këtë program ta implementojë edhe në Kosovë.

Lum Zhaveli është i lumtur të jetë pjesë e Fushatës për Mjedis në Kosovë.

“Kjo Fushatë më shumë më duket një edukim për mjedisin dhe një Fushatë për të ndërgjegjësuar qytetarët. Të jem pjesë e saj, më bën shumë të lumtur sepse është një mënyrë tjetër e imja për të ngritur zërin drejt mbrojtjes së ambientit dhe pastrimit të mjedisit. Besoj fuqishëm se kjo Fushatë do të ndihmojë qytetarët të zhvillojnë një njohje më të thellë të problemeve me mjedisin. Jeta jonë varet prej ujit, ajrit dhe tokës së pastruar” përfundon Zhaveli.