Prill 5, 2019 | Friday

Në EUICC diskutohet për martesën dhe bashkëshortët në Kodin Civil modern të Republikës së Kosovës

Me datë 4 prill, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian është mbajtur diskutimi “Martesa, bashkëshortët dhe bashkimi civil në Kodin Civil modern të Republikës së Kosovës”.

Kjo ishte ngjarja e radhës në kuadër të ngjarjeve tematike që do të mbahen muajve në vazhdim në EUICC në Prishtinë.

IMG_0529

Në diskutim morrën pjesë Alfons Benjamin Lentze, Udhëheqës i Projektit të BE-së për Kodin Civil, Kerstin Niethammer-Jürgens – eksperte në Programin e BE-së për Kodin Civil, Igballe Igo Rogova, Drejtoreshë Ekzekutive në Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës dhe Blert Morina – Drejtor Ekzekutiv në Qendrën për Barazi dhe Liri.

Diskutimi nisi me fokus Kodin Civil të Kosovës, një dokument i cili ende nuk ka kaluar në Parlamentin e Kosovës dhe në të cilin duket se ka probleme të cilat janë adresuar gjatë debatit.

IMG_0521

Alfons Benjamin Lentze përmendi gjatë diskutimit se ai është pjesë e grupit punues për këtë Kod Civil dhe Kodi si i tillë do të regullojë plot aspekte të fuksionimit të jetës në Kosovë. Lentze ka treguar se po jep rekomandimet e tij që Kodi Civil të jetë sa më i larmishëm dhe modern, ndërsa është i gatshëm që si konsulent të japë ndihmën e tij në ato pjesë të cilat ngjallin debat të fuqishëm, sikur martesa mes gjinisë së njëjtë apo përcaktimi i moshës së gatshme kur duhet martuar.

Blert Morina vlerësoi se Kodi Civil si i tillë është problematik dhe në disa pjesa duhet ndryshuar, ose do të krijohet konfuzion dhe më pas do të dalin probleme të reja dhe nën-ligje të reja që do të duhet ta kundërshtojnë Kodin Civil.

IMG_0531

Kerstin Jurgens tregoi se ka mospajtime në grupin punues por i tërë ekipi do të mundohet që gjithçka të jetë në pajtim edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Jurgens është eksperte në programin e BE-së për Kodin Civil, një program me anë të të cilit Bashkimi Evropian në Kosovë po e ndihmon Ministrinë e Drejtësisë dhe instancat tjera të përfshira në këtë process.

Igballe Rogova përmendi rekomandimet nga RRGGK për këtë Kod Civil, mes tjerash këtu edhe ndryshimet që duhet bërë në aspektin e martesave të hershme, pjesës së familjes dhe bashkëjetesës, të cilat aspekte në Kod Civil janë problematike.

IMG_0532

Kodi i ri Civil nuk parasheh martesat e personave të gjinisë së njëjtë, edhepse Kushtetuta e dëshmon të kundërtën dhe ndalon diskriminimin ndaj çdo personi pa marrë paraysh këtu edhe orientimin seksual. Kjo pikë ka paraqitur problem dhe ka ngjallur debatin e nxehtë, me aktivistët që treguan se nuk do të dorëzohen deri në plotësimin e kërkesave dhe marrjen parasysh të rekomandimeve nga organizatat e tyre.

Debati u moderua nga Arbër Selmani nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë.