Shtator 6, 2019 | Friday

Në Europe House u hap ekspozita ‘Vendi im’ nga Zana Ramadani

Dy katet e Europe House – Shtëpisë së Evropës në kryeqytet mbrëmë u zbukuruan me punën artistike të Zana Ramadanit, e cila e hapi ekspozitën e saj të tretë personale – “Vendi im”.

Ngjyrat më të ndezura e të ngrohta e sollën Prishtinën e shpirtit të Zana Ramadanit para publikut në hapjen e ekspozitës.

“Prishtina është vendi ku kam lindë dhe jam profesionalizu. Këtu kam familjen, punën, dhe inspirimi im vjen prej këtu. Unë në natyrë dal dhe akumulohem ndërsa më pas inspirimin e shprehi në mundësitë e mia shprehëse” tregon Zana.

Vjosa Berisha nga Europe House tregoi se ardhja e Zanës me ekspozitë veç sa e begaton këtë hapësirë dhe qasjen kulturore të cilën kjo hapësirë nuk e lë asnjëherë anash, duke sjellë artistë të rinj e të dëshmuar me punët e tyre më të reja.

Zana Ramadani është aktive në ekspozita kolektive, brenda dhe jashtë vendit,.

Punët e ekspozitës “Vendi im” janë në shitje. Ekspozita do të qëndrojë e hapur 1 muaj në Europe House në Prishtinë.