Prill 21, 2016 | Thursday
Nga Albatros Rexhaj
Një personazh që bën jetë të dyfishtë – i zënë në mes të asaj që ia kërkon shpirti dhe mundësive të pakta që ofron realiteti ynë i të jetuarit – dhe që pjesën më të madhe të kohës e kalon duke u marrë me gjërat më mondane, duke e lodhur shpirtin me imtësirat më të mërzitshme të jetës së një vdekatari të rëndomtë, vetëm e vetëm që të mund të fitojë mjaftueshëm të ardhura sa të mund ta ruajë dinjitetin e vet. Dhe është po ky që, përkundër lodhjes si fizike ashtu edhe shpirtërore, gjithnjë ia del që të gjejë kohë për t’ia kushtuar profesionit të tij prej artisti, që në realitetin e tij të vlerave të përmbysura tashmë i është kthyer në një hobi dhe pasion për të mbajtur gjallë shpirtin.
Ky personazh është shkrimtari, por edhe pothuajse secili artist tjetër në Kosovë. Një personazh tipik për rrëfime të papërfunduara, ku autori nuk mund të përcaktohet apo nuk mund të gjejë fundin e duhur. Peng i ëndrrave dhe shtytjeve më fisnike të shpirtit të vet! Dhe në këtë pikë ngjizet vuajtja e tij më e madhe, vuajtja e shpirtit që nuk mund të pajtohet me realitetin që i servohet.
Të shkruaj për sfidat e të qenit shkrimtar në Kosovë, për mua, është një përjetim shumë personal, me fuqi të më shtyjë në dimensionin ku pikëllimi mveshet me petkat e mllefit. Përkundër rekordeve në shitje, edhe unë jam shumë i vetëdijshëm se edhe më i suksesshmi ndër ne nuk mund ta realizojë qëllimin që të mund të jetojë dinjitetshëm nga puna e vet si shkrimtar e artist, pa pasur nevojë që të angazhohet në profesione të tjera.
Ndihem si një personazh që është arratisur nga një libër i papërfunduar dhe që tani, me shumë ngulm, po kërkon autorin.
Tërë kohën në dilemë!
Ta adhuroj si Krijues timin?
Apo ta qortoj pse më ka dënuar të jem një kërkues i përhershëm i lumturisë në një botë ku një gjë e tillë qëmoti shihej vetëm si utopi?
Me këto vargje e kam filluar librin tim të fundit, një përpjekje e imja për të gjetur një përgjigje në pyetjen: çfarë e bën një shkrimtar të lumtur?
Ithtarët e vaniteteve pa hezitim do të thoshin “fama”, pasi që në botën e tyre gjithçka ka vlerë vetëm nëse mund të konvertohet në publicitet. Por një artist e di shumë mirë se fama nuk ka ndonjë vlerë nëse kjo nuk nënkupton vlerësimin e merituar për punën krijuese. Dhe me fjalën “vlerësim” nuk nënkuptoj fjalët e mira të kritikës dhe elozhe të ngjashme boshe, por nënkuptoj mundësinë që shkrimtari të mund të jetojë dinjitetshëm nga vepra e vet.
Tregu i librit në Kosovë është larg të qenit qoftë edhe hije e një ndërrmarrësie industriale të aftë për të siguruar të ardhura, sepse në fund të fundit edhe krijimtaria artistike, në këtë rast libri, është një produkt, gjithsesi intelektual, por që, njëlloj si produktet tjera, kërkon tregun e vet dhe vlerën e merituar sociale. E vërteta e trishtë është se shoqëria jonë, e zënë në labirintin e shumë problemeve të tjera, shpesh krejtësisht themelore, as që e ka në rend të ditës çështjen e dhënies së vlerës meritore për produktet intelektuale/artistike. Por, sikur kjo të mos mjaftonte, mbi këtë pamundësi tonën rëndon edhe izolimi ynë kulturor që e pengon depërtimin në një treg më të madh. Për arsye krejtësisht jo kulturore dhe jo artistike, peng i bllokadave absurde politike, shkrimtarët e Kosovës, por edhe artistët tjerë, nuk janë pjesë e programeve kulturore dhe as të shkëmbimeve letrare dhe artistike që zhvillohen nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe pothuajse çdo kontakt i yni me botën zhvillohet nëpërmjet kanaleve private.
Fizikisht jemi në Evropë, madje në zemër të asaj që dikur ishte djepi i civilizimit evropian, ndërkaq privohemi nga e drejta e të qenit pjesë e familjes kulturore Evropiane. Sipas ideatorëve të identitetit evropian, Bashkimi Evropian, si simbol i Evropës së re, në radhë të parë paraqet përafrim kulturor, bashkim rreth vlerave të përbashkëta civilizuese të cilat më pas jetësohen edhe në vlera të përbashkëta ekonomike, politike dhe norma juridike. Thënë këtë, qasja evropiane ndaj artistëve të Kosovës paraqet një nonsens të madh, pasi që indirekt nënkupton se vlerat tona evropiane duhet të gatuhen nga politika dhe jo nga bota e artit dhe e kulturës. Paradoks!
Dhe kjo më kthen në fillim. Sado i formuar dhe i motivuar që të jetë personazhi, për të gjetur një zgjidhje dinjitoze për fundin e rrëfimit (në këtë rast shkrimtari në Kosovë) nuk mund të bëjë mrekulli përderisa rrëfimin e tij akoma vazhdon ta shkruajë dikush tjetër. Çështja është se ky personazh më nuk pranon që të trajtohet si viktimë, por ngulmon për të drejtën që të jetë i lumtur dhe që ta përfundojë vetë rrëfimin e tij.
(Prishtinë, 14.04.2016)