Maj 3, 2018 | Thursday
Në Prishtinë, Florent Boshnjaku, Kaltrina Krasniqi, Valon Kashtanjeva dhe Nimon Racaj folën për rëndësinë e ligjit për të drejtat e autorit dhe implementimin e tij në media, ndërsa në Mitrovicë u fol për jetën e shëndetshme dhe për zakonet personale drejt një jete më të fokusuar në përmirësimin e shëndetit.
Në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, një diskutim interesant erdhi me anë të katër panelistëve që sollën ekspertizën e tyre në fushën e Ligjit për Drejtat e Autorit dhe të drejtat e Përafërta. Sipas panelistëve muajve në vazhdim do të duhet shumë punë në implementimin e drejtë të këtij ligji në Kosovë, pas nënshkrimit të marrëveshjes para pak kohësh. Në anën tjetër, në Mitrovicë në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së u fol për jetën e shëndetshme dhe për zakonet që mund të sjellin pasoja të këqija për shëndetin.
Florent Boshnjaku, kompozitor dhe Kryetar i Asociacionit për Menaxhimin e të Drejtave Kolektive APIK, gjatë panelit tha se para pak kohësh është nënshkruar një marrëveshje historike me mediat rreth tarifave që ato do të duhet të paguajnë për transmetimin e muzikës, por megjithatë është i tmerrshëm fakti që ka pak interes publik për këto të drejta.
“E drejta e autorit është si një pension për artistin, ndërsa unë nuk dua as të flas se sa kanë humbur artistët nga mungesa e Ligjit për këto të drejta. E drejta e autorit sot konsiderohet një luks, por sipas mendimit tim është një e drejtë njerëzore dhe e drejtë e autorit të punës artistike. Kemi pasur humbje të mëdha dhe të pakthyeshme për shkak të mungesës së këtij ligji, jo vetëm humbje financiare por edhe morale” ka thënë mes tjerash Boshnjaku.
Valon Kashtanjeva, Drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tregoi se janë dashur pesë vite negociata për të ardhur deri te marrëveshja me mediumet në Kosovë dhe se rasti e praktika e tillë ka ndodhur edhe në regjion por edhe në shtetet e Bashkimit Evropian.
Sipas Kashtanjevës, e drejta e autorit është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe duhet të merret seriozisht edhe nga mediat, edhe pse këto ishin problematike gjatë procesit në fjalë shkaku i mospajtimeve e madje edhe kërcënimeve të ndryshme në disa raste.
“Çdo punë artistike është e mirë e përgjithshme, një pronë intelektuale dhe askush nuk mund ta përdorë pa të drejtë dhe pa kompensim adekuat. Nëse e shohim këtë ligj vetëm nga perspektiva e implementimit atëherë është problem, sepse duhet ta shohim edhe nga aspekti i investimit në kulturë dhe zhvillimit të tij për të mirën e përgjithshme të qytetarit. E drejta e autorit është kërkesë edhe nga Marrëveshja për Asocim Stabilizim dhe nga Bashkimi Evropian” shtoi Kashtanjeva.
Nimon Racaj nga Komisioni i Pavarur i Mediave gjatë panelit tregoi se mbetet tani si përgjegjësi e Komisionit të ndihmojë në këtë process pune dhe ta shtyjë përpara implementimin e ligjit dhe pagesën e tarifave nga mediat e ndryshme në Kosovë.
“Artikulli 30 i ligjit e tregon saktë se marrëveshja është valide vetëm nëse arrihet në bashkëpunim me Asociacionin e të Drejtës Kolektive. Më përpara e drejta e autorit në Kosovë është konsideruar si një çështje e dorës së tretë. Tash mund të vazhdojmë me kërkesën e mediave dhe me Komisionin dhe të shohim sa do të ketë implementim një marrëveshje e tillë” ka thënë Racaj.
Kaltrina Krasniqi, regjisore dhe producente, tregoi se është e rëndësishme të kujtojmë se Ligji për të Drejtat e Autorit në Kosovë është shumë progresiv dhe i modeluar sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian. Ajo ka studiuar për një kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku edhe ka mësuar më shumë mbi aspektin ligjor të punës në projekte kinematografike dhe kësisoj e ka kuptuar kompleksitetin e problemit në fjalë.
“Kinematografia e Kosovës për disa arsye i ka dyert e hapura për bashkëpunimet ndërkombëtare por në mungesë të mekanizmave për implementimin e të drejtës së autorit kjo shpesh i zhdukë mundësitë në këtë fushë në aspektin e bashkë-produksionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Duhet ta kemi në mendje se filmi është i kushtueshëm dhe është e pamundur të funksionojmë vetëm me fonde shtetërore, dhe kësisoj kjo bëhet më komplekse kur merr fonde nga shtete të tjera pasi duhet analizuar e drejta e autorit edhe në këto shtete” shton Krasniqi.
Paneli u moderua nga Arbër Selmani, gazetar dhe pjesë e EUICC në Prishtinë.
Në anën tjetër, në po të njëjtën ditë në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Mitrovicë, në bashkëpunim me Educational Club Synergy është organizuar një ligjëratë në zakonet personale të të jetuarit shëndetshëm, me ligjërues Stefan Zhivkoviq, përfaqësues i International Federation of Medical Students Association.
Fokusi kryesor i Zhivkoviq ishte biseda rreth zakoneve të cilat shpesh nuk na lënë të kemi jetë të shëndetshme dhe mendje të shëndetshme. Pos që i dha mundësi publikut të kuptojë më shumë mbi zakonet e mira, ato të kqija dhe mbi obsesionet e ndryshme, ligjëruesi ndihmoi edhe me këshilla për një shëndet më të mirë për të rinjtë dhe për balancing trupor.
Ngjarja u organizua me qëllim të përmirësimit të imazhit të përgjithshëm rreth zgjedhjeve që kanë të rinjtë sot për të bërë një jetë më të shëndetshme dhe për të krijuar një rutinë ditore në këtë aspekt.