Maj 31, 2022 | Tuesday

“Nevojitet përkrahje shumë më e madhe institucionale për personat me sindromën Down” – Sebahate Beqiri

Mungesa e përkrahjes institucionale dhe shoqërore, trajtimi jo i barabartë dhe mangësitë legjislative, janë vetëm disa nga sfidat me të cilat ballafaqohen personat me Sindromën Down në Kosovë. Organizata Down Syndrome Kosova (DSK), që nga viti 2007 avokon dhe angazhohet për përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me sindromën Down në Kosovë. Për të kuptuar më shumë, kemi biseduar me znj. Sebahate Hajdini Beqiri, Drejtore ekzekutive e organizatës “Down Syndrome Kosova”.

Sebahate Beqiri – Drejtore ekzekutive e “Down Syndrome Kosova”

EH: Mund të na tregoni shkurtimisht për organizatën “Down Syndrome Kosova?

S.H: Shoqata Down Syndrome Kosova (DSK) është themeluar me 4 mars 2007 nga prindër të personave  me sindromën Down. DSK ka punuar dhe vazhdon te punojë fuqishëm në mbrojtje dhe realizim të të drejtave të personave me sindromën Down. Deri më tani, DSK ka inicuar nisma inovatore të suksesshme të cilat kanë prekur drejtpërsëdrejti nevojat dhe interesat e komunitetit te  personave me aftësi të kufizuara, nisma  të  cilat janë vlerësuar të dobishme dhe me interes të përgjithshëm shoqëror. Misioni i organizatës mbetet promovimi, respektimi dhe mbrojtja  e të drejtave të personave me sindromën Down në Kosovë, dhe familjarëve të tyre.

EH: Cilat janë programet dhe aktivitetet kryesore që i ofron organizata që ju drejtoni në mbështetje të personave me Sindromën Down?

S.H: Shoqata Down Syndrome Kosova brenda qendrave të saj ofron shërbime direkte në kuadër të dy  programeve: Programi i Intervenimit dhe Edukimit të Hershëm në kuadër të të cilit ofohen shërbime terapeutike mbështetëse për fëmijët 0-12 vjeç, trajnime për prindërit, edukatorë, mësues, profesionistë të fushës dhe studentë të fushave sociale. Programi për Autonomi dhe Aftësim Profesional: në kuadër të të cilit personat me sindromën Down mbi moshën 12 vjeç aftësohen në fushën e autonomisë personale, shtëpiake dhe sociale si dhe aftësohen për tregun e punës.

Programi ka punëtoritë si: – Kafiteritë X21, Punëtoria  e paketimit të mjaltës natyrale “AMË”, Punëtoritë e kartolinave punë dore, Punëtoria e prodhimit  te xhemit, xhem mjedre, – Punëtoria e qirinjëve. Punëtoritë kanë dhënë dhe vazhdojnë te japin kontribut në zhvillimin e aftësive profesionale të të rriturëve me sindromën Down, duke krijuar mundësi punësimi për personat me sindromën Down brenda shoqatës dhe jashtë.

EH: Sa arrin organizata që ju drejtoni të përmbush kërkesat e personave me Sindromën Down?

S.H: Shoqata Down Syndrome Kosova përmes objektivave të saj synon përmbushjen e kërkesave të personave me sindormë Down. Marrë parasysh faktin që shoqata Down Syndrome Kosova si OJQ të hyrat financiare i siguron përmes projekt propozimeve dhe donacioneve të tjera, mungesa e fondeve të nevojshme shpesh vështirësojnë realizimin e aktivitetetve ditore të shoqatës.

EH: Sa kanë përkrahje institucionale dhe sa janë të integruar në shoqëri personat me Down Syndrome në Kosovë?

S.H: Bazuar në nevojat e komunitetit me sindromë Down, mbështetja institucionale nuk është e mjaftueshme. Edhe pse legjislasioni në përgjithësi garaton respektimin dhe realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, personat me sindromë Down dhe familjarët e tyre vazhdojnë te përballen me vështërsi të mëdha në të gjitha fushat e jetës si pasojë e mos mbështetjes së duhur dhe të mjaftueshme nga institucionet përkatëse publike.

EH: Çka duhet bërë më shumë për trajtim të barabartë dhe gjithëpërfshirje për personat me Sindromën Down?

S.H: Legjislacioni në Kosovë edhe pse në pergjithësi garanton respektimin dhe realizimin e të drejtave  të personave me aftësi te kufizuara në Kosovë, nuk përmbush nevojat e personave me aftësi të kufizuara dhe nuk është gjithëpërfshirës në raport me grupet e personave me aftësi të kufizuara. Bazuar në këtë fakt si shoqatë Down Syndrome Kosova, në bashkëpunim me shoqatat e tjera dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, që nga viti 2016 kemi ndërmarrë hapa për draftimin e një ligji i cili synon që t’i trajtoj në mënyrë te barabartë të gjithë personat me aftësi të kufizuar në Republikën e Kosovës. Një ligj i tillë do të krijojë mundësi më të mëdha për t’i mbështetur nevojat që personat me aftësi te kufizuar i kanë, dhe tashmë ky proces që nga viti 2016 ka kaluar procedurat e parapara, edhe pse është stërzgjatur për shkak të zgjedhjeve të shpeshta qeveritare gjatë viteve të fundit. Projekt ligji është në agjenden legjislative të Qeverisë/2022, dhe pritet të aprovohet brenda kësaj periudhe nga Qeveria, për të vazhduar me procedurat më tutje deri në aprovim.

Gjithashtu, për krijimin e e mundësive për trajtim të barabartë për personat me aftësi të kufizuara, institucionet e Republikës së Kosovës të nivelit qendror dhe lokal, duhet  t’i fuqizojnë mekanizmat institucional për të krijuar mundësi më të mëdha për realizimin e të drejtave të personave me sindromën Down.

EH: Falë angazhimit tuaj, së fundmi keni qenë e nominuar nga Zyra e BE-së në Kosovë për çmimin “Evropiania e Vitit 2022 në Kosovë”. Sa ka qenë i rëndësishëm një vlerësim i tillë për ju?

S.H: Që nga momenti kur kam nisur inciativën për të kërkuar prindër të tjerë me qëllimin që kisha  për të themeluar shoqatën Down Syndorme Kosova, pra nga 2007 deri më sot, ka qenë një rrugëtim ku përveç suksesit të arritur ka qenë edhe shumë sfidues. Nominimi  për çmimin “Evropiania e Vitit 2022” ka lartësuar kauzën time dhe ky fakt më ka bërë te ndihem jashtëzakonisht mirë për vlerësimin që kam marrë nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

EH: Mesazhi juaj për fund?

S.H: Të punojmë për një Kosovë ku secili qytetar gëzon të drejta të barabarta dhe trajtim të dinjitetshëm!