Shtator 25, 2023 | Monday

Një epokë e re e subvencioneve për efiçiencë të energjisë

Në një lëvizje historike të dizajnuar për të promovuar efiçiencën e energjisë dhe për të forcuar përdorimin e energjisë së ripërtërishme në Kosovë, duke përmirësuar gjithashtu mirëqenien sociale të banorëve të saj (një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Evropian), më 18 gusht 2023 u hap zyrtarisht aplikimi për pakon gjithëpërfshirëse të subvencioneve. Ministria e Ekonomisë e Kosovës e shpalli këtë paketë të subvencioneve për familjet që dëshirojnë të investojnë në pajisje shtëpiake me efiçiencë të energjisë dhe sisteme solare për ngrohje të ujit.

“Mbështetja e BE-së në këtë iniciativë nënvizon përkushtimin tonë të ndërsjellë për zhvillim të qëndrueshëm dhe përfshirje sociale”, tha Alessandro Bianciardi në ditën e shpalljes, duke ilustruar rolin integral të Bashkimit Evropian në këtë lëvizje progresive.

Si pjesë e Paketës më të madhe të Mbështetjes Energjetike të mbështetur nga BE-ja, paketa e re e subvencioneve është krijuar për të lehtësuar presionin financiar mbi amvisëritë, duke i bërë pajisjet dhe shërbimet jetike shtëpiake më të qasshme dhe duke i ndihmuar Kosovës në rrugën e saj për një tranzicion të qëndrueshëm dhe të gjelbër.

Artikujt e subvencionuar përfshijnë makina larëse, enëlarëse, frigoriferë, madje edhe sisteme solare të dizajnuara për ngrohjen e ujit sanitar. Teksa paketa është e hapur për publikun e gjerë, ka një theks të veçantë në ndihmën ndaj grupeve të cenueshme financiarisht. Konkretisht, nga këto masa të reja do të përfitojnë më shumë prindërit vetushqyes dhe qytetarët që janë përfitues të skemave të ndihmës sociale të kategorive I dhe II.

Për makinat larëse, ndërkohë që ofrohet një subvencion standard prej 200 eurosh, nënat vetë-ushqyese dhe ato me ndihmë sociale do të marrin subvencione më të larta, përkatësisht 300 dhe 400 euro. Enëlarëset subvencionohen në përgjithësi me 150 euro, por rriten në 250 dhe 300 euro për kategoritë e personave vetë-ushqyes dhe me ndihmë sociale. Frigoriferët ose ngrirësit subvencionohen me 100 euro për popullatën e përgjithshme, me një rritje në 150 dhe 200 euro për grupet e targetuaa të cenueshme.

Në përputhje me fokusin në përfshirjen sociale, mbështetja për grupet e pafavorizuara u lavdërua veçanërisht nga Shoqata e Prindërve të Ndarë. Ata e përshkruan masën si vendimtare për prindërit vetushqyes, veçanërisht për nënat vetushqyese, të cilat zakonisht mbajnë barrën e plotë të kujdesit për fëmijët dhe shpesh përjashtohen nga masa të ngjashme të politikave.

Me mbështetjen e BE-së, Ministria synon gjithashtu të inkurajojë përdorimin e sistemeve të energjisë së ripërtërishme, veçanërisht të sistemeve solare për ngrohje të ujit. Për këtë do të subvencionohet 40% e vlerës së investimit për sistemin e ri të ngrohjes solare të ujit, deri në maksimumi 1000 euro.

Kjo iniciativë është vlerësuar si një shembull i shkëlqyer se si politika energjetike mund të harmonizohet me qëllimet e mirëqenies sociale. Duke ofruar subvencione më të larta për ata që janë në situata më të pasigurta financiare, skema siguron që nxitja drejt efiçiencës së energjisë dhe përdorimit të energjisë së ripërtërishme në Kosovë, të jetë gjithëpërfshirëse.

Në gusht u lansua edhe një program tjetër i rëndësishëm i subvencionimit të energjisë, i mbështetur nga BE-ja. Më shumë se 2000 amvisëri do të kenë mundësinë t’i izolojnë shtëpitë e tyre, falë një kontributi financiar prej 10 milionë eurosh nga BE-ja, që synon krijimin e një Kosove më të gjelbër dhe me më shumë efiçiencë të energjisë.

Qytetarët mund të aplikojnë për subvencione që mbulojnë deri në 45% të kostos së izolimit të mureve të jashtëm, izolimit të kulmit dhe zëvendësimit të dyerve dhe dritareve të jashtme, me kufizim në 5500 euro. Kjo iniciativë përfaqëson skemën e parë për efiçiencë të energjisë të dizajnuar posaçërisht për sektorin e banimit nga institucionet e Republikës së Kosovës. Programi administrohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Me afrimin e dimrit intensifikohet urgjenca për këto përmirësime të efiçiencës së energjisë, duke i ofruar popullit të Kosovës edhe shtëpi më komode dhe një gjurmë më të vogël karboni. Këto iniciativa janë pjesë e përgjigjes vendimtare të BE-së ndaj nevojave urgjente, me alokimin e shpejtë të 75 milionë eurove nga Paketa e saj e konsiderueshme prej 1 miliard eurosh për Mbështetjen Energjetike për Ballkanin Perëndimor.

Kjo paketë, një kundërveprim vendimtar ndaj rritjes së çmimeve të energjisë si pasojë e agresionit të papritur të Rusisë ndaj Ukrainës, zoton fonde të konsiderueshme për të luftuar krizën energjetike mbizotëruese në Kosovë dhe në vendet fqinje.

Më specifikisht, plot 25 milionë euro nga paketa do të zvogëlojnë drejtpërdrejt shpenzimet e energjisë dhe do të mbrojnë integrimin e ngrohjes alternative, duke përfshirë drurin dhe peletin, duke targetuar rreth 200,000 amvisëri. 

Duke theksuar më tej përkushtimin e BE-së për energjinë e qëndrueshme, 15 milionë euro shtesë shërbyen si stimul, duke u ofruar amvisërive një subvencion të barabartë me kursimet e energjisë që kishin arritur në krahasim me vitin e kaluar. Nga kjo qasje u përfituan rreth 160,000 amvisëri.

Pjesa e mbetur prej 35 milionë euro është zotuar për projekte kyçe afatgjata: përmirësime të izolimit termik për 12,000 amvisëri, pajisje me kursim të energjisë për 10,000 amvisëri shtesë dhe integrimi i 1,000 NMVM-ve në sektorin e energjisë së ripërtërishme, me fokus të veçantë në panelet solare.

Si partneri më i madh tregtar i Kosovës, BE-ja vazhdon të jetë donatori kryesor financiar për Kosovën. Nëpërmjet Instrumenteve të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) I dhe II, BE ka investuar 1.2 miliardë euro në vend, dhe ky përkushtim po vazhdohet me IPA III.