Janar 31, 2014 | Friday
Si vend, ne vazhdimisht përpiqemi që të përmirësojmë shumë fusha të jetës sonë, mirëpo sa i përket të ushqyerit dhe jetesës në mënyrë të shëndetshme, ne nuk jemi të vetëdijshëm se sa pak kujdesemi në fakt për trupin tonë.
Një prej prioriteteve më të mëdha në jetë duhet të jetë arritja dhe mbajtja e një trupi të shëndetshëm, sepse pa shëndet arritja e gjithçkaje tjetër është shumë më e vështirë. Jo vetëm qëllimet më të mëdha, mirëpo edhe sukseset madje botërore bazohen në shëndet dhe formë. Çfarëdo që dikush dëshiron të bëjë, qoftë në aspekt shpirtëror, shoqëror ose kombëtar, duhet ta bëjë përmes trupit. Mendimet tuaja manifestohen përmes trupit tuaj dhe ju mund t’i plotësoni dëshirat tuaja vetëm përmes trupit.
Dieta e dobët dhe moskonsumimi i vlerave ushqyese, veçanërisht gjatë fëmijërisë dhe më vonë në moshë madhore, shpijnë në rrezikshmëri më të lartë të zhvillimit të një ose më shumë sëmundjeve, si trashësia e tepërt, mungesa e hekurit, anemia, kariesi i dhëmbëve, sëmundja koronare e zemrës, hipertensioni, osteoporoza, kanceri dhe problemet e ndryshme që ndërlidhen me mungesë diete dhe vlera ushqyese. Ne duhet të fillojmë me vënien e prioriteteve për të përmirësuar standardet tona shëndetësore dhe për të rritur konsumimin e vlerave ushqyese. Ky problem kërkon vëmendje dhe konsideratë më të madhe.
Është detyrë e jona që të jemi vetë të shëndetshëm. Çfarëdo që hamë dhe që nuk hamë do të ndikojë në shëndetin tonë. Ne po ashtu dëshirojmë të ndihemi mirë dhe të dukemi mirë pa marrë parasysh se çfarë moshe kemi. E di që është shumë e vështirë të bëjmë zgjedhje të shëndetshme, mirëpo kjo është mënyra se si e dëmtojmë veten me ushqim dhe jetesë të dobët. Në mënyrë ideale, kjo do të ishte e mundur nëse do të jetonim në një mjedis ku kanë jetuar paraardhësit tanë dhe me mënyrën e tyre të të ushqyerit; jetesa në një mjedis pa ndotje, të ushqyerit vetëm me produkte të papërpunuara dhe plotësisht organike, pirja e ujit të pastër e të freskët, ushtrimet e rregullta fizike dhe shmangja e stresit, ndotësve dhe kemikaleve do të ishte shumë vitale. Fatkeqësisht, kjo është e pamundur për shkak të niveleve të larta të stresit, ndotjes, teknikave moderne të bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit, të kombinuara me ndikimet e drejtpërdrejta të dietës perëndimore. Dieta perëndimore është sot shumë e lartë me sheqer, karbohidrate të rafinuara (karbohidratet e rafinara kanë një sasi të lartë glikemike), ushqime të përpunuara dhe dhjam të keq; i mungojnë shumë lëndë ushqyese kryesore, ka shumë prezervativë dhe pesticide. Me gjithë këtë ushqim të përpunuar dhe të trajtuar në mënyrë kemikale shoqërohen edhe ndikimet e tjera negative në shëndetin tonë, si kafeina, alkooli dhe duhani, të cilat shpijnë në formim të vazhdueshëm të radikalëve të lirë. Përveç kësaj, është po ashtu shumë e rëndësishme të rimendohen metodat e gatimit që i përdorim të gjithë, si fërgimi, futja e ushqimit në mikrovalë dhe skara. Këto metoda të gatimit jo vetëm që zvogëlojnë sasinë dhe cilësinë e enzimeve ushqyese më të rëndësishme, por edhe përshpejtojnë formimin e radikalëve të lirë.
Një prej fushave që kam vërejtur se ka mungesë të lëndëve ushqyese në vendim tim është ajo që të rriturit dhe fëmijët po hanë më pak se gjysma e pesë shujtave të pemëve dhe perimeve që rekomandohen për ditë. Shumica prej tyre nuk hanë pemë fare gjatë javës. Sot shumica prej nesh ka shumë pak aktivitet fizik.
Dieta jonë ditore moderne tani ka shumë pak lëndë ushqyese kryesore, enzime dhe mikro-lëndë ushqyese (vitamina dhe minerale); prandaj përdorimi i lëndëve plotësuese të cilësisë së mirë ka një rëndësi të madhe dhe po bëhet një domosdoshmëri. Gjatë këtij krahasimi të dietës sonë dhe jetesës dhe të asaj diete dhe jetese në Kohën e Gurit, ne mund të shohim qartë se ka një lloj mospërputhjeje në mes të dietës sonë dhe psikologjisë sonë të përcaktuar gjenetikisht, e cila shkakton zhvillimin e të ashtuquajturave “sëmundje të civilizimit modern”, si: trashja e tepërt, sëmundja kardiovaskulare, hipertensioni, diabeti i llojit 2, kanceri, kolesteroli i qartë dhe stresi. Dieta ideale për ne dhe për fëmijët tanë për një shëndet më të mirë do të ishte e ngjashme me dietën e Kohës së Gurit e cila ka përmbajtur: 17% proteina, 65% karbohidrate, 0% sheqer dhe 18% dhjamë.
Si vend, ne duhet të përqendrohemi shumë më shumë në edukim të të ushqyerit, veçanërisht në ngritjen e vetëdijesimit për rëndësinë e të ushqyerit në mënyrë të drejtë, arritjen dhe mbajtjen e shëndetit të mirë, parandalimin e trashësisë së tepërt për të ardhmen tonë dhe më e rëndësishmja për të ardhmen e fëmjëve tanë.