Gusht 2, 2019 | Friday

Panelistët në Shtëpinë e Evropës diskutuan për rëndësinë e punës vullnetare

Më 15 gusht, Shtëpia e Evropës në Prishtinë mirëpriti një grup të panelistëve për të diskutuar për rëndësinë e punës vullnetare në Kosovë dhe bazën ekzistuese të të dhënave të Ministrisë së Rinisë dhe Kulturës në Kosovë për ta regjistruar dhe njohur punën vullnetare.

Edonis Hashani në emër të Termokiss, Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Vedat Jashari nga Ministria e Rinisë, Sportit dhe Kulturës dhe Hana Ilazi nga PEN – Peer Education Network (Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë) sollën ekspertizën e tyre në fushën e punës vullnetare. Edonis Hashani bëri një prezantim të plotë për Termokiss-in, qendra e parë e udhëhequr nga komuniteti në Kosovë, një vend i ri alternativ në qytet i cili nga zero është shndërruar në një hapësirë ​​kulturore të dobishme me ndihmën e shumë vullnetarëve. Edhe sot, Termokiss-i funksionon me ndihmën e vullnetarëve të cilët çdo ditë e krijojnë dhe e sjellin më të mirën në Termokiss.

Marigona Shabiu nga NRDN dhe gjithashtu Hana Ilazi nga PEN-i diskutuan pak për numrat e vullnetarëve që tashmë janë aktivë dhe të gatshëm për të ndihmuar në këto dy organizata, ndërsa Ilazi theksoi edhe nevojën për ta mbajtur punën vullnetare thjeshtë si një nevojë për të bërë diçka nga vullneti dhe qëllimet e mira dhe jo vetëm si parakusht për të gjetur mundësi të ardhshme për karrierë. Vedat Jashari në emër të Ministrisë së Rinisë, Sportit dhe Kulturës së Republikës së Kosovës e prezantoi bazën e të dhënave të kësaj Ministrie për t’i regjistruar orët e punës vullnetare të secilit vullnetar në Kosovë.

Vullnetarët e Kosovës janë platforma e parë e llojit të vet e gjetjes së vullnetarëve në Kosovë. Kjo është një platformë falas ku organizatat jofitimprurëse mund të postojnë mundësi për punë vullnetare dhe ku vullnetarët që kanë aftësi dhe pasion mund ta gjejnë mundësinë e duhur për ta huazuar talentin dhe kohën e tyre.

Përveç gjetjes së vullnetarëve dhe rekrutuesve, platforma u jep të dyja palëve mjete dhe burime për të ndihmuar në përmirësimin e programeve të tyre të angazhimit në komunitet. Platforma e Vullnetarëve të Kosovës është zhvilluar nga UNICEF Innovations Lab Kosova (Laboratori i inovacioneve të UNICEF-it në Kosovë) me përkrahjen e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC), zyrës së Fondit të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) në Kosovë dhe Rrjetit të edukatorëve bashkëmoshatarë (PEN). Diskutimin e moderoi Arbër Selmani nga Shtëpia e Evropës.