Qershor 17, 2024 | Monday
Pas një ngjarje të rëndë në Beograd në vitin 1999, nga e cila e ndihmoi të dalë nga znj. Natasha Kandiq dhe Fondi për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj u kthye në Kosovë në vitin 2000. Në një bashkëbisedim me zonjën Natasha Kandiq kur u kthye, ai nuk e kishte idenë se pyetja e saj, “E tash çka?”, do të ishte fillimi i misionit të jetës së tij drejt paqes dhe pajtimit.
Bekim Blakaj është Drejtor Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ku ka filluar punën në vitin 2000, fillimisht si hulumtues duke punuar për Librin e Kujtesës së Kosovës. Në kremtimin e Ditës së Evropës 2024, Zyra e BE-së në Kosovë i ndau atij çmimin prestigjioz Evropian i Vitit “për kontributin e tij të rëndësishëm në promovimin e ideve dhe vlerave evropiane në Kosovë”.
“Ky çmim është për krejt organizatën, jo veç për mua”, thotë z. Blakaj, duke shpjeguar më tej se çmime të tilla janë të rëndësishme sepse janë shenjë e vlerësimit për përkushtimin e tij, të Fondit për të Drejtën Humanitare dhe të komunitetit të viktimave ndaj ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimit.
FDH Kosova punon për dokumentimin e fakteve që do t’i ndihmojnë shoqërisë kosovare të ballafaqohet me të shkuarën e vet të dhunshme. Organizata vepron kundër mohimit dhe manipulimit politik të humbjeve njerëzore, si dhe që të sigurohet integriteti dhe transparenca e gjyqeve për krimet e luftës.
Ndër pikat më të rëndësishme të Fondit për të Drejtën Humanitare në përpjekjet e veta për të nxitur një gravitacion drejt pajtimit, z. Blakaj rendit Rrjetin e Pajtimit KOMRA, përmes të cilit, me mbështetjen e BE-së, deri në 2000 anëtarë nga rajoni punojnë drejt qëllimit të përbashkët të dokumentimit të duhur të mizorive të ndodhura në vendet e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 90-të. Siç thotë Bekim Blakaj, “edhe pse ka shumë sfida në këtë proces, rezultatet nga diskutimet mes anëtarëve të KOMRA-s janë një thesar i vërtetë”.
Blakaj thekson përkushtimin e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe partnerëve për të dokumentuar dhe promovuar një narrativë të saktë të historisë së vendeve të ish-Jugosllavisë, të cilën do ta arrijnë përmes më shumë projekteve edukative dhe artistike në të ardhmen, duke u përqendruar kryesisht tek të rinjtë dhe fëmijët, me synimin që të mos lejohet që brezi i ri të rritet me narrativa të anshme dhe diskriminuese, të cilat sipas tij mund të çojnë vetëm në konflikte të tjera.
“Ky vlerësim për punën time dhe të kolegëve të mi në këtë proces, përmes Çmimit Evropiani i Vitit, më motivon që të mos ndalem kurrë në misionin dhe përkushtimin tim. Pos paqes dhe pajtimit, nuk kemi alternativë tjetër”, na motivon ai në fund të bisedës sonë.