Nëntor 27, 2023 | Monday

Festivali Peja Jazz – Simbol i shpresës dhe unitetit në qytetin e Pejës

Edicioni i katërt i Peja Jazz Festivalit, i realizuar nga Anibar, u zhvillua mesa datave 16-19 nëntor në Pejë, duke ngjitur në skenë artistë vendës dhe ndërkombëtarë. Në blogun e mëposhtëm, Vita Kasapolli nga Anibar ofron një rrëfim të shkurtër se si ky festival i financuar nga BE-ja u kthye në pikë referimi kulturore në Pejë.

Nga: Vita Kasapolli, Koordinatore e Komunikimit dhe Programit të Festivalit pranë Anibar-it

Fotografia: Elmedina Arapi

Çka nisi si përpjekje për thyerjen e akullit të distancimit social në vitin 2020, tanimë vazhdon si një nga ngjarjet më emocionuese në qytetin e Pejës, gjatë muajit të ftohtë të nëntorit.

Me siguri nuk e prisnim që Peja Jazz Festival të bëhej kaq i pranishëm në qytet dhe të kishte këtë ndikim tek pejanët për një kohë kaq të shkurtër.

Duke qenë festivali i parë i xhazit në këtë rajon të vendit, Peja Jazz filloi në kohë ndasish, konfuzioni dhe paqartësie. Kur jeta kulturore në qytetin e Pejës kishte filluar të kishte njëfarë konsistence dhe po lulëzonte me ngjarje, situata me pandeminë COVID-19 i detyroi këto aktivitete kulturore ose të ndaleshin ose të gjenin një model të ri për ekzistencë. Pikërisht atëherë, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, pandemia na solli një fenomen të ri.

Nisma e lindur në kuadër të kinemasë Jusuf Gërvalla u përcoll me shpresa të mëdha dhe takime virtuale. Fillimisht i mbështetur përmes fondit Goethe International Fund for Relief, gjatë viteve të fundit, festivali është mbështetur nga Anibar, Kinema Jusuf Gërvalla dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. 

Edicioni i parë i Peja Jazz Festival ishte pothuajse si një eksperiment social. Kërkonte bashkim, por jo grumbullim, i mirëpriste qytetarët, por nuk është se po i ftonte, ishte prezent, por duke qëndruar larg. Është thuajse komike kur të kujtohen këto kohë, kur gjykonim kolegët sepse nuk i mbanin maskat. Megjithatë, nëse festivali nuk do të kishte nisur pikërisht në atë kohë, nuk e di a do të ishte kaq i dashur për publikun sot. Edicioni i parë ishte ai që e ktheu Ilir Bajrin (kompozitor xhaz dhe pianist i lindur në Pejë) tek rrënjët e tij. Performanca e tij para mësueses së tij të shkollës fillore na i ngrohu zemrat. Së bashku me Enes Beu Quartet, Duo Dukagjin Muhaxheri & Visar Kuçi, dhe Armend Xhaferi Trio, programi përmbante disa prej emrave kryesorë të skenës së xhazit në Kosovë. Kur e mendon, është për të ardhur keq që ata nuk arritën të performonin para publikut të madh që ka sot festivali, por ky publik (që i pret në skenë) nuk do të ekzistonte nëse ata muzikantë xhaz nuk do të kishin guxuar t’i ndiznin shkëndijat atëherë. 

Fotografia: Elmedina Arapi

Pas një viti, edicioni i dytë ishte ndoshta edhe më i çuditshëm se i pari, por kaloi një tranzicion të përsosur sa i përket zhvillimit të tij. Periudha pas pandemisë ishte hibride, dhe për ne hibrid nënkuptonte muzikantë ndërkombëtarë me performanca live. Daniele di Bonaventura dhe Roberto Zechini erdhën nga Italia, për të ofruar një sesion xhaz para një salle gjysmë të mbushur. Grupi i famshëm i xhazit i skenës muzikore shqiptare, AJS Quartet, udhëtoi nga Tirana për t’u ngjitur në skenën e Kinemasë “Jusuf Gërvalla”, e po ashtu edhe Kejdi Barbullushi nga Shkodra. Këta ishin muzikantë që ose vinin për herë të parë në Pejë ose nuk kishin qenë atje për një kohë të gjatë.

Viti 2022 shënoi një momentum të madh për të ardhmen e Peja Jazz Festival. Më në fund arritëm kënaqësinë dhe unitetin e vërtetë që kjo iniciativë kishte synuar që në fillim. Lajmi se do të kishte një edicion të tretë u përhap shpejt. Jehona ishte e madhe kur shpallëm programin, me performanca nga Elina Duni, Rona Nishliu, Vinicio Capossela dhe Anna Carla Mazza. Ishte një festë e merituar pas dy vitesh të izolimit dhe distancimit. Hapësira mori një pamje krejtësisht të re dhe publiku nguteshin të rezervonin vende. E pamë sa shumë ishte ndjerë mungesa e muzikës xhaz dhe sa të përmalluar ishin veçanërisht gjeneratat e 70-ve dhe 90-ve. Që atëherë jemi bindur se ky zhanër nuk ka kufij, diçka që e kishim thënë edhe kur e lansuam fillimisht festivalin, por që u kuptua plotësisht pas edicionit të tretë. 

Fotografia: Elmedina Arapi

Sot, katër vite më vonë, Peja Jazz është bërë diçka që ne e kemi kultivuar gjithë këto vite. Sipas traditës, ekipi organizator i Peja Jazz – pjesë e të cilit është edhe Kinema “Jusuf Gërvalla” – mblidhet menjëherë pasi e marrin veten nga festat e verës – për të filluar përgatitjen për festivalin e famshëm dimëror të qytetit. 

Duke ftuar Vjollca Robelli Mripën së bashku me grupin AJO, këtë vit, Peja Jazz sfidoi degë të reja progresive të muzikës xhaz, duke sjellë një përzierje të muzikës folklorike shqiptare dhe xhazit modern për natën e hapjes së festivalit. Në natën e dytë, dyshja Golnar & Mahan ndanë mënyrën e tyre të rrëfimit përmes elementeve të xhazit bashkëkohor, mënyrave mikrotonale të Azisë Jugperëndimore, motiveve poli-ritmike dhe muzikës eksperimentale. Sheki & Friends, një grup kosovar i përbërë nga basisti i njohur Sheki Hoxha, vokalistja Donika Dugolli, saksofonisti Arian Randobrava, kitaristi Driton Bejta dhe bateristi Tomor Shkoza, performuan në Pejë, në natën e tretë të festivalit. Të pestë janë muzicientë aktivë të skenës së xhazit, që punojnë dhe edukojnë brezat e rinj të muzicientëve. Për mbyllje, interpretuesi nga Stokholmi, Ikiz, solli një lojë krejtësisht eksperimentale në bateri, duke u përzier me instrumente orientale dhe duke ndarë ritme origjinale. 

Në total, katër netët e Peja Jazz e sollën edhe një herë fokusin në qytetin e Pejës, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Për këtë, ne aspirojmë ta bëjmë vendin tonë një hapësirë mikpritëse dhe të ngrohtë në stinët e ftohta, duke e përmirësuar programin tonë artistik dhe duke vazhduar të sfidojmë ide të reja progresive për vitet në vijim.