Tetor 31, 2021 | Sunday

“Përmes kulturës synojmë t’i bashkojmë të rinjtë e Ballkanit Perëndimor” – Desar Sulejmani

Në intervistën e muajit, Desar Sulejmani, Drejtor artistik i “European Summer Music Academy (ESMA)” dhe i Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor (WBYO)”, na tregon më shumë për edicionin e 10-të të ESMA-s të mbajtur në Kosovë.

  • A mund të na tregoni më shumë për Orkestrën e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor (WBYO)?

Desar Sulejmani: Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Youth Orchestra, WBYO) i ka fillimet e saj në organizimet e mëparshme të European Summer Music Academy (ESMA) në Kosovë, atëherë kur gjatë kurseve të ndryshme instrumentale e punës pedagogjike në ansambël, lindi ideja për zgjerimin e aktivitetit artistik, e cila më pas u zhvillua në fund të vitit 2019 deri në krijimin e orkestrës si institucion i pavaruar dhe i përhershëm, përfaqësuese e të gjithë rajonit.

WBYO është një ansambël orkestral me muzikantë të rinj profesionistë nga të paktën gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria), i cili kishte për të nisur rrugëtimin e tij artistik në marsin e 2020. Organizatorët, organizata kulturore Artium Eudora – ArtEu, me qendër në Prishtinë, në marrëveshje të plotë me partnerët lokalë e ndërkombëtarë, mori vendimin për shtyrjen e aktivitetit si hap mbrojtës ndaj përhapjes së shpejtë të pandemisë SarS-CoV 2 anembanë botës.

Fillimisht projekti i WBYO është financuar nga një fond i rëndësishëm i Distriktit 1810 të Rotary International (zona e Aachen-it në Gjermani). Gjatë organizimeve të mëvonshme të fundvitit 2020 dhe në aktivitetin e sapo përfunduar tani në tetor (1st Training & Concert Phase), WBYO ka patur gjithashtu mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, Shtëpisë së Evropës, Ambasadës së Republikës së Çekisë në Kosovë, Ambasadës Gjermane në Tiranë si dhe të partnerëve të tjerë lokalë, të cilët përfitoj nga rasti t’i falenderoj përzemërisht për mbështetjen e çmuar të dhënë në kuadër të projektit tonë.

  • Cili është qëllimi i krijimit të një orkestre rinore në Ballkanin Perëndimor?

Desar Sulejmani: Zhvillimet historike na kanë mësuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor është për të gjithë kontinentin evropian sa i rëndësishëm, aq edhe i trazuar, i ndërlikuar e në vazhdim me plot çështje të pazgjidhura. Pas dekadash mungese stabiliteti, kepkuptimesh, mosnjohjesh reciproke, polemikave të ndryshme politike, ka ardhur koha që brezi i ri i të gjithë rajonit të marrë në dorë fatet e tija, të drejtojë zhvillime paqësore, bashkëpunuese mes vetës, duke iu drejtuar të ardhmes me një qasje të kundërt nga çfarë kanë bërë brezat e kaluar.

WBYO synon që nëpërmjet organizimit të aktiviteteve pedagogjiko-artistike, takimeve orkestrale, koncerteve e programeve të formateve të ndryshme muzikore t’i sjellë të gjithë publikut të rajonit një frymë të re bashkëpunimi, një ide lidhjeje shpirtërorë të ngushtë nëpërmjet artit e kulturës, muzikës e zhvillimit të vetëdijes shoqërore. Janë këto virtyte, të cilat përpos nevojave të zhvillimit profesional të gjithësecilit pjesëmarrës në projektet tona, do të jenë edhe synimet kryesore të punës sonë afatgjatë me të rinjtë profesionistë të Ballkanit Perëndimor.

  • Sivjet keni mbajtur edicionin e 10-të European Summer Music Academy in Kosovo. Cila ka qenë veçantia e këtij viti?

Desar Sulejmani: Sezoni i ESMA 2021 ka qenë pjesë e rëndësishme e të gjithë projektit prej dy fazash “Bulding Musical Bridges in the Western Balkans 2021” dhe ka ardhur si e tillë edhe pse në kushte kufizimesh për shkak të pandemisë, me mjaft prurje interesante. Në vitin 2021 ESMA është rikthyer në Prishtinë, atje ku edhe u lind si organizim pedagogjiko-artistik para nëntë vitesh. Gjatë ditëve të fundshtatorit e fillimtetorit 2021 u zhvilluan në Fakultetin e Arteve të Universitetit “Hasan Prishtina” kurse përformimi të pianos (Ardita Statovci, Kosovë/Austri), violinës (Prof. Dr. Orhan Ahiskal, Turqi/SHBA), flautit (Prof. Ljubiša Jovanović, Serbi) e klarinetës (Jordi Pons, Spanjë/Zvicër), sikurse u mbajtën edhe paraqitje artistike qoftë nga disa pedagogë të huaj, apo mbi të gjitha edhe nga studentët pjesëmarrës të kurseve tona.

Gjithashtu në kuadër të ESMA 2021 ne kemi organizuar nga data 23 deri me 29 shtator klasa përformimi e prezantime artistike të instrumentit të kitarës me Danijel Cerović, (Mali i Zi), Erhan Mujka (Kosovë) dhe Sanel Redžić (Bosnje dhe Hercegovinë) në qytetin e Mitrovicës, ku kemi krijuar tashmë një histori të perbashkët suksesi me organizatën kulturore Kosova Ars, e kryesuar nga kitaristi kosovar, z. Erhan Mujka.

Koncerti i 3-të i WBYO në Tiranë

Disa ditë pas përfundimit të organizimeve të ESMA 2021 organizata jonë filloi fazën e dytë të projektit “Building Musical Bridges in the Western Balkans”, konkretisht organizimin e kurseve të përformimit të instrumenteve me hark të shoqëruara këto me prova të përditshme orkestrale si dhe të turit koncertal të Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor nga data 7 deri me 18 tetor 2021. Pas një zhvillimit të kurseve përkatëse, punës intensive pedagogjiko-artistike me pedagogët e ftuar të violinave, z. Önder Baloglu (Turqi/Gjermani) dhe znj. Yukiko Tezuka (Japoni/Austri), të violave, z. Dominik Travniçek (Republika Çeke), të violonçelëve, z. Diego Hernandez Suarez (Spanjë/Gjermani) e të kontrabasëve, z. Tomas Vybiral (Republika Çeke) WBYO iu paraqit publikut në Prishtinë, Shkup e Tiranë me një program të larmishëm me vepra të kompozitorëve të spikatur evropianë, disa prej të cilave iu prezantuan për herë të parë publikut pjesëmarrës.

Pra siç e shikoni ne kemi zhvilluar një program shumë të gjerë e shumë planesh si pjesë e mendimeve tona artistike, zhvillimeve të mëtejshme e afatgjata të idesë sonë parësore.

  • A ka qenë e vështirë t’i grumbulloni 30 muzikantë të rinj nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor e të krijoni orkestrën “Western Balkans Youth Orchestra” me ta?

Desar Sulejmani: Siç e theksova edhe më sipër, ne e kemi filluar punën tonë për krijimin e jetësimin e WBYO që në fundin e vitit 2019, kështu që kemi patur kontakte të vazhdueshme me anëtarët e mundshëm të orkestrës që prej asaj kohe. Duke patur parasysh faktin që WBYO është një orkestër e cila do të jetësohet fillimisht mbi bazën e projekteve të ndryshme gjatë vitit kalendarik, ndryshimet emërore në formacionin tonë janë të vetëkuptueshme.

Me këtë rast dëshiroj të theksoj ndihmën që unë kam marrë personalisht nga pedagogë të fakulteteve të muzikës në Beograd dhe Niš të Serbisë për plotësimin e anëtarëve përkatës të formacionit orkestral.

Autor i fotos: Besnik Hamiti

Përzgjedhja e anëtarëve të WBYO është një kompetencë ekskluzive e drejtorit artistik të orkestrës e unë në këtë rast kam patur si pjesë të punës sime më së shumti këto kritere përzgjedhjeve, si p.sh. të qënurit muzikant i ri nga mosha 16 deri 26 vjeç, të qënurit pjesë e sistemit të përgatitjes profesionale muzikore, përgatitja e duhur dhe interesi i sinqertë për pjesëmarrje aktive në orkestër.

Gjatë përzgjedhjes së muzikantëve unë kam patur gjithashtu kujdes në përfaqësimin sa më të drejtë e të barabartë të etnive të ndryshme të rajonit të Ballkanit Perëndimor, pra kam dashur që në orkestër të kishim një balancë të mirë në kuadër të përfaqësimit sa më real të etnive të ndryshme, pjesë e tanishme e Ballkanit Perëndimor.

  • Cila mendoni që ka qenë e arritura kryesore e edicionit të sivjetshëm të projektit “Building Musical Bridges in the Western Balkans?

Desar Sulejmani: Ne mendojmë se me zhvillimin e këtij projekti në formën e menduar, gërshetimi i përvojave pedagogjike në terren, apo duke përcjellë më së miri bashkërisht rezultatin e arritur artistik, mundësohet në formën më të mirë edhe edukimi i të rinjve pjesëmarrës me nevojat, kërkesat e mbi të gjitha virtytet më të mira të një profesionisti të vërtetë. Gjithashtu lidhja mes vete e instrumentistëve të WBYO, bashkëpunimi i ndërsjellët ndërmjet studentëve e pedagogëve pjesëmarrës në ESMA 2021, ndikon jo vetëm në një përgatitje më të thellë profesionale të të rinjve, por mbi të gjitha heq automatikisht e në emër të zhvillimit artistik çdo barrierë, pengesë, apo mëdyshje tjetër, e cila mund të vijë natyrshëm në jetë.

Nga ana tjetër sjellja bashkë e shumë të rinjve nga Ballkani Perëndimor, mundësimi i një përditshmërie artistike të përbashkët, e cila më pas i sillet komunitetit si një element i fortë prezantimi, forcon ndjenjën shoqërore të pikërisht këtyre të rinjve, mundëson lidhjen miqësore, pa tabu etnike, gjuhësore e kulturore mes brezit të ri në Ballkanin e Perëndimor, brez i cili në vitet e në vazhdim do të marrë në dorë stafetën e gjithë zhvillimeve jetësore në vendet përkatëse.

Ne e shikojmë punën tonë si shumë të rëndësishme në forcimin e ndjenjës njohëse, përkrahëse e bashkëpunuese në radhë të parë ndaj vetes e më pas ndaj të tjerëve në rajonin e Ballkanit perëndimor. Ne dëshirojmë që nëpërmjet çdo aktiviteti që do të zhvillojmë në të ardhmen të jemi shembull i një profesionaliteti të kudondodhur në hapat e punës sonë e mbi të gjitha dëshirojmë të jemi kurdoherë pararoja e një mendësie të re pune e zbatimi projektesh në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

  • Cilat janë planet për edicionet e ardhshme të WBYO-së?

Desar Sulejmani: Ne tani jemi duke u marrë me përgatitjen e një udhëtimi të shkurtër koncertal të WBYO në Luksemburg, ku do të jemi pjesë e një festivali ndërkombëtar orkestrash, i cili mbahet në mesin e dhjetorit të këtij viti. Ndërkohë pas përfundimit të plotë të fazës zbatuese të projektit “Building Musical Bridges in the Western Balkans”, ne së shpejti do të fillojmë përgatitjet e organizimeve të ESMA 2022, të cilat shënojnë edhe 10 vjetorin e krijimit të saj në Kosovë. Me këtë rast do kemi mundësinë e zhvillimit të programeve më të gjera pedagogjiko-artistike e do mbajmë koncerte e aktivitete artistike gjatë vitit 2022 në të gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor. Gjithashtu ne planifikojmë të kemi edhe faza pune e koncerte të WBYO në vitin 2022 në Gjermani, Holandë e Republikën Çeke.

Essen, Gjermani, 29 tetor 2021