Korrik 31, 2022 | Sunday
Dëshira për të mësuar vazhdimisht, për të ndryshuar dhe për të ecur përpara, janë tre parimet kryesore që kanë formësuar personalitetin e Agnesa Jasharit dhe kanë udhëhequr aktivizmin dhe punën e saj rinore të deritanishme. Si çdo aktiviste tjetër rinore, historia e Agnesës është unike dhe siç e thotë ajo me fjalët e saja “secila prej përpjekjeve tona mund të drejtohet nga qëllime të ngjashme, por historitë tona janë të gjitha të ndryshme”.
Një nxënëse që mëson shpejtë dhe një vajzë e re shumë e motivuar, aktivizmi i Agnesës filloi në klasën e 6-të. Duke folur rrjedhshëm gjuhën e shenjave për shkak se është gjuha e nënës së saj, atëherë Agnesa 11-vjeçare filloi të ofrojë shërbime përkthimi në baza vullnetare për Komunitetin e të Shurdhërve të rajonit të Gjilanit përmes Shoqatës së të Shurdhërve.
Por ky ishte vetëm njëra nga aktivitetet vullnetare që Agnesa ofronte, pasi deri në studimet universitare ishte aktive edhe në organizatat rinore lokale të qytetit të saj.
Në kohën kur Agnesa u regjistrua në Universitet dhe mori një bursë të plotë univerzitare për të mbuluar studimet e saj, ajo e kuptoi se sa shumë do të thotë fuqizim ekonomik për të rinjtë. Më pas, duke diplomuar në Ekonomi dhe Politika Publike në nivelin bachelor, fokusi i Agnesës më vonë u kthye në Fuqizimin Ekonomik, domethënë, në kuptimin e politikave dhe avokimin për t’i ndryshuar ato, për t’iu përshtatur më mirë nevojave të njerëzve.
Më pas, ajo ishte pjesë e fushatës ‘Kërkoni llogaridhënie’ dhe gjithashtu fitoi një çmim si një nga videot më të mira pjesë e konkursit të kësaj fushate.
Ajo shpjegon se në përpjekjen e saj për të ndërtuar mendimin kritik, veçanërisht në politikëbërje dhe strategji, ajo vendosi të bëhej pjesë e shumë programeve ndërkulturore ku eksploroi shumë kultura për t’u kthyer dhe për t’i lidhur ato së bashku me të sajat. Ajo ishte pjesë e programit CIEE Work and Travel dhe Global UGRAD të financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Si pjesë e përvojës së saj të shkëmbimit, ajo studioi në Universitetin Marymount, Arlington VA, ku bëri shumë orë shërbimi në komunitet brenda Klubit Ndërkombëtar të Studentëve MU.
Tashmë Agnesa shërben si këshilltare për Integrimin në BE dhe Politikat Rinore në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, përkatësisht në kabinetin e Zëvendëskryeministrit të Parë, dhe njëkohësisht mban titullin e Ambasadores së Re Evropiane. Si pjesë e platformës së saj YEA, ajo është e fokusuar në promovimin e fushave të Fuqizimit Ekonomik, Integrimit në BE, të Drejtave të Njeriut dhe Kulturës.
“Të gjitha barrierat që ekzistojnë në nivel rajonal mund të zbehen nëse fillojmë të fokusohemi në problemet që na lidhin së bashku dhe jo në ato që na largojnë” – thotë Agnesa. Sipas saj, cilësia e jetës, mundësitë e arsimimit, siguria energjetike, sfidat mjedisore dhe zhdukja e varfërisë, janë vetëm disa nga problemet me të cilat ne si rajon përballemi në tërësi, veçanërisht si të rinj. “Është koha që të marrim rrotat e së ardhmes dhe të fillojmë të ecim drejt zgjidhjes së këtyre problemeve sepse e ardhmja është tani dhe ne kemi nevojë për përgjigje” – përfundon Agnesa.