Shtator 2, 2021 | Thursday

Personat që jetojnë në gjendje të cenueshme pritet të përfitojnë nga shërbimet sociale

Për intervistën e këtij muaji, ne diskutuam me Durim Gashin – Menaxherin e Projektit “Avancimi i Ofrimit të Shërbimeve Sociale për Grupet më të Cenueshme në Kosovë, si reagim ndaj Covid-19″, i cili na tregoi për projektin më në hollësi.

A mund të na tregoni më shumë për projektin?

Projekti “Avancimi i Ofrimit të Shërbimeve Sociale për Grupet më të Cenueshme në Kosovë, si reagim ndaj Covid-19” zbatohet nga Save the Children Sweden në bashkëpunim me Zyrën e Vendit të Save the Children International (SCI) në Kosovë (SCIK) dhe financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, me një kohëzgjatje nga 15 dhjetori i vitit 2021 deri më 15 dhjetor të vitit 2023 I tërë projekti bazohet në tri fusha kryesore të ndërhyrjes: Rritja e disponueshmërisë së shërbime sociale dhe mundësisë së qasjes në to; forcimi i kapaciteteve për ta rritur përshtatshmërinë, efektivitetin, efikasitetin, përballueshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve sociale; ngritja e vetëdijes dhe avokimi. Për më tepër, projekti pritet ta përmirësojë përfshirjen e përgjithshme të fëmijëve, të rriturve dhe familjeve në nevojë, si dhe afirmimin dhe ndjeshmërinë e barazisë gjinore, qasjen dhe mundësitë e barabarta, fuqizimin ekonomik dhe social dhe çështjet e tjera kritike. Duke i mbrojtur dhe promovuar të drejtat e grave dhe vajzave, personave me aftësi të kufizuara, fëmijëve, të moshuarve, njerëzve që jetojnë në varfëri dhe të gjitha kategorive të tjera të përfituesve në rrezik social, përmes ofrimit të nëngranteve, ekipi i projektit synon të krijojë kushte më të mira socio-ekonomike për çdo qytetar të vendit.

Si është gjendja me shërbimet sociale publike në Kosovë?

Sistemi i shërbimeve sociale në Kosovë është i mbingarkuar, i financuar dobët dhe nuk është në gjendje të përballet me kërkesat në rritje të njerëzve në nevojë dhe grupeve të cenueshme. Pamjaftueshmëria buxhetore për shërbimet sociale do të bëhet problem gjithnjë e më i madh, meqë kriza financiare është përherë rrezik pas epidemive siç është COVID-19. Gjatë vitit 2019, për shembull, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i ka ndarë përafërsisht 4,1 milionë euro për shërbimet sociale, që përbëjnë më pak se 1% të gjithsej buxhetit të kësaj Ministrie. Deri në vitin 2009, shërbimet sociale i ka ofruar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmes Qendrave për Punë Sociale. Por, që nga decentralizimi i shërbimeve sociale, ka paqartësi sa u përket përgjegjësive midis nivelit lokal dhe atij qendror, çfarë ka çuar në mungesë të shërbimeve të nevojshme për grupet më të cenueshme. Përveç kësaj, shërbimet themelore i kanë mbuluar OJQ -të lokale të licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale. Bazuar në një analizë të shërbimeve sociale në Kosovë që e ka bërë Save the Children në Kosovë, më shumë se 40% e grupeve të cenueshme kanë raportuar se kanë marrë shërbime vetëm nga OJQ-të; përveç kësaj, rreth 20% e buxhetit të tyre (të OJQ -ve) raportohet se mbulohet nga autoritetet lokale.

Cilët janë përfituesit e drejtpërdrejtë të projektit?

Vajzat, djemtë, gratë dhe burrat që jetojnë në situata të cenueshme, veçanërisht ato në rrezik socio-ekonomik, viktimat e dhunës ndaj grave dhe/ose fëmijëve, dhunës në familje apo trafikimit, pleqtë, fëmijët dhe të rriturit që jetojnë me aftësi të kufizuara konsiderohen si grupet kryesore të synuara për mbështetje, ndërsa të njëjtat synohen në kuadër të këtij aksioni. Përkatësisht, përmes financimit të palëve të treta përmes skemave të nëngranteve, ne synojmë të arrijmë tek më shumë se 6,000 përfitues të drejtpërdrejtë, të cilët do të marrin shërbime nga OJQ-të lokale të mbështetura. OJQ-të e përzgjedhura për të marrë mbështetje nga projekti janë të licencuara për ofrimin e shërbimeve të tilla sociale, ndërsa konsiderohen si ofruesit kryesorë të shërbimeve në shumicën e komunave në mbarë vendin.

Cilat janë vështirësitë kryesore me të cilat përballen grupet e cenueshme aktualisht në Kosovë?

Vështirësitë kryesore me të cilat përballen ata anëtarë të komunitetit kanë të bëjnë me mirëqenien, mbrojtjen sociale dhe përfshirjen e tyre; mungesa e shërbimeve profesionale dhe të qëndrueshme për kategoritë e veçanta e shton përjashtimin në kuptim të arsimit, integrimit social dhe punësimit. Për shkak të mungesës së arsimit gjithëpërfshirës, fëmijët me aftësi të kufizuara detyrohen ta ndërpresin shkollimin e tyre, çfarë po ashtu i pengon gjasat e tyre për t’i avancuar shkathtësitë e tyre të punës dhe për të kërkuar jetë të pavarur. Cenueshmëritë e tyre janë rritur meqë qasja e tyre në arsim cilësor është ndikuar nga mungesa e platformave adaptive të arsimit virtual gjatë pandemisë. Rritja e cenueshmërisë socio-ekonomike gjatë muajve të fundit që është shënuar nga pandemia COVID-19 ka çuar në një rritje substanciale të dhunës në familje kundër grave dhe vajzave, të cilat tashmë janë prekura nga diskriminimi gjinor i vazhdueshëm, duke i kufizuar kështu mundësitë e përditshme shoqërore, politike dhe ekonomike të tyre.

Çfarë do të jetë roli i OJQ-ve të përfshira në projekt dhe si do ta monitoroni punën e tyre?  

Më shumë se 45 OJQ lokale të licencuara do t’u ofrojnë shërbime sociale dhe familjare të drejtpërdrejta grupeve më të cenueshme në Kosovë, përfituesve të synuar të projektit. Shërbimet e ofruara nga OJQ -të e përzgjedhura (30 në raundin e parë dhe më shumë se 15 në raundin e dytë) përqendrohen në ofrimin e kujdesit ditor dhe shërbimeve rezidenciale për fëmijët dhe të rriturit në nevojë, shërbimet e bazuara në shtëpi për personat që jetojnë situata të cenueshme dhe shërbimet për viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit. Përveç mbështetjes financiare për ofrimin e shërbimeve të tilla, Save the Children në Kosovë do t’i rrisë kapacitetet e ofruesve të shërbimeve sociale përmes trajnimeve për fusha të veçanta të punës së tyre, duke përfshirë, por duke mos u kufizuar me menaxhimin e projekteve, mbrojtjen e fëmijëve dhe integrimin gjinor. Qasja jonë ndaj organizatave të përzgjedhura bazohet në parimet e partneritetit, prandaj Save the Children në Kosovë do t’i monitorojë ato OJQ përmes mentorimit përmes ofrimit të mjeteve për rritjen e kapaciteteve të tyre dhe ofrimit të mbështetjes për përballimin e fushës së veprimit të shërbimeve sociale rregullisht, ndërsa ekipi ynë do ofrojë mbështetje për procedurat tematike, financiare, të prokurimit, monitorimit dhe vlerësimit, komunikimit dhe dukshmërisë rregullisht.

Në çfarë mënyrash do t’i kontribuojë projekti qëndrueshmërisë?

Përveç mbështetjes së shërbimeve të drejtpërdrejta sociale përmes OJQ -ve, projekti nënkupton një qasje pjesëmarrëse me akterët e tij, me qëllim të fuqizimit të personave dhe familjeve në nevojë, duke u kushtuar vëmendje të veçantë grave dhe vajzave, fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara, për të avokuar për përmirësimin e mirëqenies së tyre. Përfshirja e tyre në zhvillim të fushatave dhe rrjetëzim do të shoqërohet me avokim për vendimmarrje të qëndrueshme për të rregulluar infrastrukturën ligjore për financimin e shërbimeve sociale në Kosovë. Aktualisht, Save the Children në Kosovë, së bashku me institucionet qeveritare dhe joqeveritare, po kontribuon në hartimin e Ligjit për Shërbimet Sociale dhe Familjare me qëllim që të sigurohet që Ligji të garantojë shërbime adekuate dhe përfshirje të të gjitha grupeve të cenueshme në Kosovë. Projekti po ashtu ka planifikuar mbështetje të veçantë për ta finalizuar formulën e financimit për Grantin Specifik për Shërbimet Sociale dhe për ta mbështetur miratimin e Ligjit të ndryshuar për Financimin e Pushtetit Lokal, i cili do të garantonte mbështetje financiare adekuate për Qendrat për Mirëqenie Sociale në nivel lokal. Zhvillimi i politikave të bazuara në dëshmi dhe reformat strategjike të sistemit të mbrojtjes sociale do t’i kontribuojnë përfundimisht qëndrueshmërisë së projektit. Në projekt po ashtu parashihet që të vlerësohen nevojat dhe të ofrohet ngritje e përshtatur e kapaciteteve për punëtorët socialë në vend, me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve që ata ua ofrojnë grupet përfituese të projektit. Përfshirja e të gjithë këtyre akterëve të projektit në faza të ndryshme të ciklit të projektit do t’i kontribuojë qëndrueshmërisë së tij, meqë marrëdhënia e besueshme do t’u japë atyre pronësi mbi rezultatet e projektit.