Tetor 27, 2022 | Thursday

“Poezia nuk njeh kufinj e di të shërojë” – Arbër Selmani

“Poezia nuk njeh kufinj e trende, si dhe di të shërojë”, tha Arbër Selmani, shkrimtar dhe aktivist për të drejtat e njeriut, teksa hap natën e tij të poezisë në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.

I shoqëruar në kitarë nga kitaristi klasik Endrit Xërxa, Arbëri nis natën duke lexuar poezi dhe duke ndarë histori që zbulojnë pjesë të jetës së tij, e pastaj vazhdon mbrëmjen duke lexuar poezi të shkrimtares amerikane Maya Angelou, si dhe poezi të Azem Shkrelit, poet i njohur nga Kosova.

Ndërkaq, nën drejtimin e kitaristis Xërxa, Selmani së bashku me të pranishmit kënduan këngët e Muharrem Qenës, njërit prej artistëve më të rëndësishëm të Kosovës. Në fund, Arbëri firmosi dhe ua dorëzoi fansave disa nga librat e tij.

Arbër Selmani është shkrimtar, aktivist për të drejta të njeriut, fitues i festivalit të poezisë “Tirana Gate” dhe i bursës Sakharov. Në vitin 2022, ai u zgjodh si një nga gjashtë evropianët që me punën dhe aktivizmin e tyre sjellin ndryshimin. Ai ka botuar katër libra me tregime dhe poezi, ndërsa shkrimet e tij janë përkthyer në anglisht, greqisht, gjermanisht, frëngjisht dhe gjuhë të tjera.

Nata poetike me Arbër Selmanin u organizua nga Europe House Kosova, me qëllim të promovimit të artistëve të rinj të Kosovës dhe u mundësua me mbështetjen e Bashkimit Evropian në Kosovë.