Prill 6, 2013 | Saturday
Arsimi është qenësor për rritje të vazhdueshme dhe prosperitet në shoqërinë e dijes sot. Angazhimi i BE-së në këtë fushë është i qartë përmes veprimeve që mbështesin bashkëpunimin në politikat në mes të shteteve anëtare të BE-së dhe në ofrimin e financimit të BE-së për aktivitete arsimore dhe trajnuese në BE e më gjerë.
BE-ja ka qenë dhe është ende e angazhuar që të investojë në arsim dhe trajnim në Kosovë sepse investimi në këtë sektor paraqet bazën për ndërtimin e ekonomisë dhe stimulimin e krijimit të vendeve të punës në Kosovë. Me ndihmën e Fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), BE-ja ka ofruar mbi 20 milionë euro për të mbështetur si arsimin universitar ashtu edhe atë parauniversitar në 6 vitet e fundit apo edhe më shumë.
Programi Erasmus, i themeluar në vitin 1978, është një pionier në mobilizim arsimor dhe trajnues profesional. Ky program ka mbështetur më shumë se 2 milionë studentë në mbarë Evropën duke u ofruar përvoja arsimore të vendit të tyre. Programi për bursa “Erasmus Mundus”, që nga viti 2007, ka mbështetur lëvizshmërinë e 282 studentëve dhe stafit akademik nga Kosova nëpër universitetet e BE-së. Arsimit dhe trajnimit profesional u është dhënë mbështetje shtesë me aprovimin e strategjisë Evropa 2020, e cila vërteton se trajnimi dhe arsimi gjatë gjithë jetës janë qenësor për tregun e punës dhe zhvillimin e përgjithshëm. Një program i ri arsimor i quajtur Erasmus + është aprovuar së fundi nga institucionet e BE-së. Erasmus+ i mbledh bashkë mbështetjen e BE-së për arsim, trajnim dhe të rinjtë në një program të vetëm (i cili më parë ka qenë i ndarë në shtatë programe të veçanta) dhe ai për herë të parë përfshin edhe financimin për sport.
Programi Tempus (nga fondet shumë-përfituese të IPA-s) ka ofruar më shumë se 12 milionë euro investime dhe ka mbështetur më shumë se 30 projekte të arsimit të lartë në Kosovë që nga viti 2006. Me këtë investim, universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë në Kosovë kanë qenë në gjendje të punojnë me universitet e BE-së në zhvillimin e programeve të reja për master dhe doktoraturë në fushën e arkitekturës, interpretimit dhe përkthimit, shkencës së sportit, efikasitetit të energjisë dhe mekatronikës. BE-ja ka mbështetur zhvillimin e sigurimit të cilësisë së programeve dhe mbështetjen e kapacitetit menaxhues për arsimin e lartë në Kosovë.
Horizonti 2020, një prej programeve më të mëdha të BE-së prej mbi 70 miliardë euro, i cili do të jetë i pranishëm që nga viti 2014 deri në 2020, do të jetë poashtu i hapur edhe për Kosovën. Ky program do të japë mbështetje veçanërisht në partneritetet rajonale dhe partneritetet në mes të universiteteve, instituteve kërkimore dhe industrisë.
Fondet kombëtare IPA kanë mbështetur gjithashtu themelimin dhe funksionimin e Autoritetit Kosovar të Kualifikimeve(AKK) i cili është një organ që rregullon sistemin e kualifikimeve në Kosovë, veçanërisht për arsim dhe trajnim profesional. Një projekt i financuar nga BE i cili punon me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka krijuar një Politikë të Arsimit Online dhe një Plan Veprimi për “mësim online”. BE-ja ka mbështetur MASHT-in, Fakultetin e Edukimit në kuadër të Universitetit të Prishtinës, Departamentet Arsimore Komunale, drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit në mbarë Kosovën në punën e tyre për zhvillimin e kurrikulave dhe trajnimin e mësimdhënësve në pajtim me kërkesat e kurrikulës së re.
Fushat në të cilat do të punohet në vitin 2014 përfshijnë zhvillimin e mëtejshëm të sistemit për sigurimin e cilësisë në arsim, zhvillimin e mëtejshëm dhe zbatimin e kurrikulës, pajisje shkollore, teknologji informative dhe komunikim si dhe mësim elektronik në arsim, mbështetje arsimit të lartë, trajnim arsimor profesional dhe zhvillim i sistemit të kualifikimeve.