Mars 30, 2015 | Monday
Skema e biznesit të vogël varet nga ndërmarrësit. Ndërmarrësit janë individët të cilët kanë ide dhe janë të gatshëm për të marrë rrezikun e nevojshme për të nisur një biznes. Evropa ka nevojë për më shumë ndërmarrës dhe Komisioni është duke kërkuar mënyra për të nxitur ndërmarrësit potencialë që të themelojnë biznese.
Vetëm një numër i vogël i evropianëve marrin parasysh një karrierë ndërmarrëse si një opsion të dobishëm dhe tërheqës. Në Evropë, pak më shumë se një e treta (37%) e punëtorëve preferojnë të jenë të vetë-punësuar, ndërsa në SHBA dhe Kinë përqindja shkon deri në më shumë se 50%.
Është vërejtur se faktorët kulturorë shpesh janë dekurajues për të rinjtë që të fillojnë një biznes pasi që ka një lloj të stigmës për të dështuar. Së dyti, burokracia administrative është shpesh një faktor i madh që t’i ndaloj ndërmarrësit për të themeluar një biznes. Faktori i tretë dhe më sfidues është se si të gjinden mënyra më të lehta për të tërhequr investitorët. Kjo e bën të nevojshme që të zhvillohet një kulturë ndërmarrëse, duke filluar nga të rinjtë dhe nga edukimi i hershëm shkollor që në të vërtetë do të gjenerojë më shumë ndërmarrës. Ndërmarrësit krijojnë vende të reja pune, rritje ekonomike dhe një treg më konkurrues.
Komisioni Evropian është duke përdorur Planin e Veprimit për Ndërmarrësinë si një model për të shfrytëzuar potencialin ndërmarrës të Evropës, për të hequr pengesat ekzistuese dhe për të revolucionarizuar kulturën e sipërmarrjes në Evropë. Investimet në ndryshimin e perceptimit publik të ndërmarrësve, në edukimin për ndërmarrësi dhe për të mbështetur grupet e nënpërfaqësuara në mesin e ndërmarrësve janë të domosdoshme në qoftë se ne duam të krijojmë ndryshim të qëndrueshëm.
Plani i Veprimit për Ndërmarrësinë 2020 është i ndërtuar në tre shtylla kryesore:
Komisioni është duke punuar me shtetet anëtare, në veçanti duke lehtësuar shkëmbimin e përvojave dhe duke fuqizuar qëndrimet ndërmarrëse. Përveç kësaj, fushata vjetore si ajo e Javës Evropiane të NVM-ve janë duke u nisur për të promovuar imazhin e ndërmarrësisë.
Kultura e ndërmarrësisë përballet me rezistencë të caktuar dhe vështirësi shtesë sidomos kur është fjala për pakicat etnike, personat me aftësi të kufizuara dhe gratë, kur ato përpiqen të ngrisin biznese dhe për këtë një vëmendje e veçantë i është dhënë këtyre grupeve shoqërore. Edhe pse ka pasur një rritje inkurajuese tek gratë që udhëheqin bizneset në dekadën e kaluar, ka edhe shumë për t’u bërë për të mposhtur frenuesit e posaçëm që dekurajojnë veçanërisht gratë nga krijimi ose udhëheqja e bizneseve të vogla.
Gratë ndërmarrëse në Evropë përfaqësojnë vetëm 30% të komunitetit të ndërmarrësve, dhe këto shifra janë të fundit të mbështetura nga një studim për “të dhënat statistikore për gratë ndërmarrëse në Evropë”, botuar nga Komisioni.
Të dhënat tregojnë se gratë ndërmarrëse përbëjnë 29% të ndërmarrësve, që janë 11,6 milion banorë të Evropës*. Studimi vlerëson se ka pasur një rritje të lehtë prej 3% të grave ndërmarrëse në BE që nga viti 2008. Në Evropë gratë përbëjnë pjesën dërmuese të ndërmarrjeve të vogla (78%), ndërsa fushat e biznesit që femrat preferojnë janë: aktivitetet që kanë të bëjnë me shëndetin dhe punën sociale, shërbimet dhe arsimin.
*BE-28 + Shqipëria, FYROM, Islanda, Izraeli, Lihtenshtajni, Mali i Zi, Norvegjia, Serbia, Turqia.