Shtator 19, 2024 | Thursday

Promovimi i ndërtimtarisë së qëndrueshme dhe miqësore ndaj punëtorëve  

Në shtator të vitit 2022, UNOPS-i në Kosovë dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruan një marrëveshje për funksionalizimin e plotë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Ndërtesa e financuar nga BE-ja është dizajnuar ashtu që ta përmirësojë zonën përreth Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), duke krijuar objekte me qasje të lehtë për të gjithë, të sigurt dhe miqësore ndaj mjedisit. Projekti përfshin edhe dimensionet gjinore, kulturore dhe gjithëpërfshirëse, duke siguruar një hapësirë që plotëson nevoja të ndryshme.  

Duke kontribuar në Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm 4, i cili kërkon përkushtim ndaj sigurimit të arsimit cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë dhe promovimit të mundësive të të nxënit gjatë gjithë jetës për të gjithë, intervenimi parashikon dizajnimin, sigurimin dhe instalimin e mobiljeve dhe pajisjeve për FSHMN-në. Këtu përfshihen edhe pajisjet për laboratorët që ofrojnë kushte të përshtatshme për punë dhe mësimnxënie për studentët dhe stafin.

Duke synuar që studentëve t’u ofrohen objektet më të avancuara dhe të ndihmohet në përmirësimin e standardeve të arsimit të lartë përmes gjithëpërfshirjes gjinore dhe infrastrukturës miqësore me mjedisin, UNOPS-i e nisi fazën vijuese të ndërtimit në janar 2023. Tani, në fazën përfundimtare të projektit, ndërtesa e re së shpejti do t’u shërbejë më shumë se 2,300 studentëve dhe 133 anëtarëve të stafit në 5 departamente: matematikë, fizikë, kimi, biologji dhe gjeografi, duke ofruar infrastrukturë moderne, miqësore me mjedisin, si dhe duke kontribuar në një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për komunitetin universitar dhe popullatën më të gjerë lokale.

Duke qenë më shumë se një projekt ndërtimi, me mbështetjen që i ka dhënë UNOPS-it në Kosovë për ndërtimin e objekteve të reja të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, BE-ja ka nxitur një mision që adreson jo vetëm çështjet që lidhen me gjithëpërfshirjen dhe mjedisin, por edhe me kushtet e punëtorëve. UNOPS-i në Kosovë ka zhvilluar fushatën Objektivi Zero, duke theksuar përkushtimin e BE-së për sigurinë dhe përgjegjësinë mjedisore në projektet e ndërtimtarisë, si dhe duke hapur rrugën drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më miqësore ndaj punëtorëve në Kosovë. 

Thelbi i projektit Objektivi Zero, i udhëhequr nga UNOPS-i, është një mision i fuqishëm: të sigurojë që secili individ që punon për organizatën ose me të, të mundet t’i kryejë detyrat e veta pa u rrezikuar nga sëmundje apo lëndime. Ky përkushtim ndaj sigurisë nuk është thjesht politikë – është një vlerë themelore e rrënjosur në të gjitha aktivitetet. Duke adoptuar një qasje me tolerancë zero ndaj mjediseve të pasigurta të punës, UNOPS-i është fokusuar në ofrimin e rezultateve me cilësinë më të lartë për partnerët dhe komunitetet në një mënyrë që është sa e sigurt aq edhe e qëndrueshme.

BE-ja ka luajtur një rol kyç në krijimin e kushteve që UNOPS-i në Kosovë ta zbatojë fushatën e Objektivit Zero, duke ofruar mjete dhe udhëzime për përfshirjen në projekt të aspekteve të sigurisë, energjisë dhe mjedisit. Ky partneritet siguron që ndërtesa e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore nuk do të përfaqësojë vetëm një simbol të përsosmërisë akademike, por do të jetë njëkohësisht edhe dëshmi e rëndësisë së sigurisë së punëtorëve dhe qëndrueshmërisë.

Këto përpjekje e kanë ndryshuar kulturën e ndërtimtarisë në Kosovë, duke e kthyer sigurinë e punëtorëve në themel të këtij sektori. Punëtorët tani i identifikojnë dhe zbusin në mënyrë proaktive rreziqet, duke e përqafuar përgjegjësinë që ata kanë për ta mbrojtur veten dhe kolegët e tyre.

Një nga nismat kyçe të kësaj fushate – që synon të përforcojë idenë se siguria nuk është thjesht obligim, por përgjegjësi e përbashkët – është programi Kampionët e Objektivit Zero. Nëpërmjet kësaj nisme vlerësohen dhe shpërblehen punëtorët që demonstrojnë përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë, duke përforcuar idenë se siguria nuk është thjesht obligim, por përgjegjësi e përbashkët.

Duke integruar vlera të rëndësishme si qasja e lehtë, gjithëpërfshirja, ndërtimtaria miqësore me mjedisin dhe siguria e punëtorëve, ky projekt jo vetëm që rrit efiçiencën e ndërtesës, por edhe përputhet me qëllimet më të gjera të Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm.