Dhjetor 5, 2022 | Monday

“Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” – duke ngritur transparencën në nivel lokal

Shkruan: Ardit Dragusha, Hulumtues Democracy+

Prokurimi publik është një nga format më të rëndësishme të shpenzimit të parasë publike, me anë të të cilit shteti kontrakton punë, shërbime dhe mallra. Në Kosovë, vetëm gjatë vitit 2021 u lidhën 9892 kontrata të ndryshme, vlera e të cilave arrit shumën 429 milionë euro, që është afërisht 5.65% e GDP-s së vendit.

Duke qenë së bëhet fjalë për një aktivitet delikat të shpenzimit të parasë publike, i cili shpesh ndërlidhet me korrupsionin, është shumë e nevojshme që ky proces të mbikëqyret në mënyrë profesionale me qëllim që të garantohet arritja e vlerës për paranë, transparenca dhe konkurrenca e lirë mes kompanive private.

Në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar”, Demokraci Plus (D+), me financim të Bashkimit Evropian (BE-së) ka bërë monitorimin e aktiviteteve të prokurimit publik në nivel lokal, me fokus pesë (5) komuna të mëdha, në të cilat janë monitoruar mbi njëzetë (20) tenderë.

Ky monitorim është bërë duke përcjell aktivitetet e prokurimit në këto komuna përmes platformës elektronike e-prokurimi. Duke u bazuar në disa treguese që ngritin dyshimin për korrupsion, janë përzgjedhur tenderë me “flamuj të kuq”, për të cilët është siguruar dokumentacioni i plotë përmes kërkesës për qasje në dokumente publike dhe pastaj të njëjtit u janë nënshtruar një kontrolli të detajuar për parregullsi potenciale.

Monitorimi një vjeçar ka përcjellë tenderët gjatë të gjitha fazave të prokurimit (procedurat e para-tenderimit, tenderimit dhe pas tenderimit). Në fazën e parë të para-tenderimit janë shikuar përzgjedhjet e procedurave të tenderimit dhe kritereve kualifikuese të ofertave. Gjatë fazës së dytë vëmendje iu është kushtuar vlerësimit të ofertave dhe dhënies së kontratave, ndërkohë tenderët janë përcjell edhe pas tenderimit me fokus të veçantë në menaxhimin e kontratave dhe realizimin e pagesave.

Rëndësi i është kushtuar përdorimit të procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës, procedurë kjo e cila redukton konkurrencën dhe ngrit dyshime për favorizime të operatorëve ekonomikë.  Kjo procedurë, përdorimi i së cilës është i lejuar vetëm në raste emergjente, nisi të aplikohej në masë të madhe në fillim të pandemisë së COVID 19, me autoritetet kontraktuese që lidhnin kontrata “të shpejta” me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

Ndonëse pandemia e COVID 19 nuk është më “situatë emergjente” pasi kanë kaluar dy vite nga fillimi i saj, disa autoritete kontraktuese kanë vazhduar ta përdorin pandeminë si pretekst edhe gjatë vitit 2022, duke lidhur kontrata “pa konkurrencë” dhe mbi çmimin e tregut.

Gjatë analizimit të tenderëve janë evidentuar edhe disa praktika jo të mira në përcaktimin e kritereve kualifikuese të ofertave, që kanë rezultuar në dëmtim të konkurrencës dhe shpenzim jo oportun të parasë publike. Vendosja e këtyre kritereve, të cilat zakonisht nuk rezultojnë të jenë relevante me fushën e tenderëve, ngrisin dyshimin që disa kompani janë favorizuar nga autoritetet kontraktuese, që rrjedhimisht kanë çuar drejt kontraktimit të çmimeve më të larta.

Paralelisht gjatë kësaj kohë është bërë edhe një monitorim gjithëpërfshirës për lidhjen e marrëveshjeve për shërbime të veçanta (MShV), të njohura ndryshe edhe si “kontrata mbi vepër” nga ana e autoriteteve qendrore dhe lokale përgjatë vitit 2022, kontrata të cilat po ashtu hyjnë në domenin e prokurimit publik.

Ky monitorim ka identifikuar për herë të parë mangësi në kornizën ligjore për lidhjen e MShV-ve, kornizë e cila aktualisht është shumë e përgjithësuar dhe lë hapësirë për interpretime. Zbrazëtirat ligjore kanë rezultuar në kontraktimin e personave jo kompetent në kryerjen e punëve dhe përgjegjësive të përcaktuara në dosje të tenderëve.

Përveç monitorimit të prokurimit publik, D+ ka publikuar edhe disa punime të shkurtra si reagime ndaj politikave publike. Fillimisht, Kuvendit të Kosovës i është rekomanduar që të vendosë një “tavan” në lidhje me shpenzimet e udhëtimit të deputetëve, temë kjo që kishte dominuar titujt e mediave pas publikimi të shpenzimeve të naftës nga deputetët.

Si formë e luftimit të inflacionit, Qeveria e Kosovës në qershor të këtij viti kishte vendosur marzhën tregtare maksimale të fitimit të naftës, duke përcaktuar edhe çmimin maksimal të lejuar të shijes së naftës. Kjo mënyrë e intervenimit të shtetit në ekonominë e tregut të lirë është analizuar në një punim tjetër të shkurtër, ku është prezantuar koncepti i çmimit maksimal si formë e kontrollit të çmimeve, kornizës ligjore ekzistuese në Kosovë, dhe efektet që prodhoi ky vendim në ekonominë e vendit.

Gjatë kësaj periudhe është bërë edhe matja e transparencës së ministrive në atë se sa publikojnë të dhënat të nevojshme për qytetarë dhe biznese përmes faqeve të tyre zyrtare.

Matja është realizuar në katërmbëdhjetë (14) ministri me anë të nëntë (9) indikatorëve të përcaktuar me akt nënligjor për ueb faqet e institucioneve publike, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Në lidhje me këtë çështje, është rekomanduar që secila ministri të përcaktojë një person përgjegjës për të përditësuar dhe mirëmbajtur me shënime faqen zyrtare të ministrisë përkatëse, në bashkëpunimin me Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit (AShI), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).