Shkurt 28, 2022 | Monday

Qytetet kosovare duhet të fokusohen tek planet e qëndrueshme të mobilitetit urban

Shkruan: Zana Sokoli – Këshilltare për Planifikim Hapësinor/Urban pranë UN-Habitat Kosova (bashkëautore e planit të mobilitetit të Mitrovicës së Jugut, i nominuar për çmimin Urban Mobilty Planning SUMP nga Java e Mobilitetit Evropian)

Nëse ndërtojmë qytete për vetura do të kemi më shumë vetura, nëse ndërtojmë qytete për njerëz do të kemi më shumë njerëz, kështu thotë arkitekti dhe urbanisti Jan Gehl.  Kosova po përsëritë atë që në vitet 50-të ka bërë Amerika e më pas edhe Evropa, duke ndarë qytetet në mes me autostrada apo rrugë të gjera (të dizajnuara për vetura). Rritja e shpejtë, e pakoordinuar e qyteteve në Kosovë ka ndikuar pa dyshim në rrjetin ekzistues të transportit, duke krijuar kështu probleme të mëdha me mbingarkesën, ndotjen e ajrit, sigurinë, etj. Qytetet e sidomos zonat urbane të qyteteve në Kosovë, çdo ditë e më shumë po i karakterizon trafiku i ngarkuar, ndotja e ajrit, mungesa e transportit publik funksional, mungesa e sistemit të menaxhimit të parkimit, mungesa e shtigjeve për ecje dhe çiklizëm, mungesa e hapësirave publike dhe zonave të gjelbra.

Investimet në infrastrukturën rrugore kanë qenë të shumta në dy dekadat e fundit dhe pasi që qëllimi i tyre për të lidhur komunat ndërmjet tyre, Kosovën dhe rajonin, kanë ndikuar në ekonomi dhe zhvillim, në të njëjtën kohë kanë pasur ndikim negativ mjedisor dhe shoqëror të lidhur drejtpërdrejt me cilësinë e jetës. Rritja e numrit të veturave, përqendrimi i banorëve në zonat qendrore urbane, përqendrimi i vendeve kryesore të punës në zonat qendrore urbane, i ka sjellë qytetet kosovare në një problem serioz të trafikut. Mbingarkesa, ndotja e ajrit, mungesa e zonave të parkimit, mungesa e hapësirave të  gjelbra, mungesa e trotuareve dhe korsive të biçikletave e kanë bërë të pamundur misionin e  qyteteve tona për t’iu nënshtruar tranzicionit të qëndrueshëm të transportit. Prandaj, trajtimi i çështjeve të transportit urban është një çështje prioritare e komunave të Kosovës dhe si e tillë duhet të adresohet nga një proces i duhur dhe i qëndrueshëm i planifikimit në mënyrë që të përmbushen kërkesat e mobilitetit në kontekstet e reja urbane të Kosovës.

Edhe pse Planet e Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban (PMQU-të) janë një praktikë e zakonshme në shumë qytete në Evropë dhe në botë, ato mbeten një koncept relativisht i ri në Kosovë. Deri vonë, planifikimi i transportit dhe mobilitetit në qytetet e Kosovës është drejtuar nga qasja tradicionale e planifikimit, kryesisht nga transporti i motorizuar; megjithatë, disa qytete tashmë kanë filluar të zhvendosen drejt politikave më të qëndrueshme të mobilitetit, duke përfshirë Prishtinën (PMQU miratuar në 2019), Mitrovicën e Jugut (2020), Mitrovicën e Veriut (në proces të miratimit), si dhe disa komuna të tjera që kanë hartuar plane specifike veprimi për të përmirësuar performancën e trafikut në zonat e tyre urbane.

Ndryshe nga qasjet tradicionale të planifikimit të transportit, modeli i planifikimit të qëndrueshëm të mobilitetit urban është afatgjatë, i orientuar nga njerëzit, gjithëpërfshirës dhe multi-sektorial. Koordinimi i mirë i politikave ndërmjet aktorëve të sektorit të transportit, përdorimit të tokës, mjedisit, zhvillimit ekonomik, politikës sociale, shëndetit, sigurisë dhe energjisë dhe përfshirja e vazhdueshme e qytetarëve dhe palëve të interesit në të gjitha proceset e planifikimit është çelësi i suksesit të këtij sistemi të qëndrueshëm të mobilitetit urban.

Meqenëse Kosova është e re në këtë fushë dhe komunat nuk kanë ekspertizë në hartimin e dokumenteve të tilla, UN-Habitat Kosova ka përdorur procesin e hartimit të PMQU të ndjekur nga komunat e Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut për të zhvilluar një udhëzues të kontekstualizuar i cili mund të shërbejë si udhëzim për komunat e tjera në Kosovë në aspektin e përgatitjes së PMQU-ve të tyre përkatëse. Pavarësisht nga qasja dhe metodologjia e ndjekur nga të dy komunat, ky dokument bazohet gjithashtu në udhëzime ndërkombëtare dhe praktikat më të mira (në veçanti Udhëzuesi Evropian për Zhvillimin dhe Zbatimin e PMQU dhe udhëzuesit e UN-Habitat drejt Planifikimit dhe Projektimit për Mobilitetin e Qëndrueshëm Urban) dhe është rregulluar për t’u përshtatur me kontekstet lokale.