Janar 31, 2022 | Monday
Shkruan: Aurela Kadriu – Koordinatore e Projekteve, Qendra Multimedia
Reconnection 2.0 është program trevjeçar që synon ngritjen e bashkëpunimit kulturor dhe shkëmbimit kulturor mes Kosovës dhe Serbisë. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes shkëmbimeve në një shumëllojshmëri të fushave teatrore dhe kulturore, partnerët nga njëra anë pasurojnë aktivitetet e tyre, e nga tjetra nxisin dialog dhe komunikim më të mirë mes dy shoqërive.
Programi trevjeçar është i kuruar në atë mënyrë që t’u ofrojë audiencave nga të dy shtetet mundësi që për së afërti të njohin produksionet kulturore me përqendrim në ato teatrore të dy vendeve. Çdo vit, secili partnerë është i ngarkuar me organizimin e përkthimeve të dramave dhe librave publicistikë si dhe të shkëmbimeve të produksioneve teatrore e diskutimeve letrare e teatrore, rezidenca artistësh dhe shumë ngjarje të tjera publike në Prishtinë, Beograd dhe qytete të tjera në Kosovë e Serbi.
Për gati dy vjet që nga nisja zyrtare e Reconnection 2.0, kemi arritur t’i zgjerojmë ngjarjet tona ekzistuese vjetore, Kosovo Theatre Showcase dhe HFestival përkatësisht. Në vitin e parë të zbatimit, në kuadër të Kosovo Theatre Showcase, Qendra Multimedia mirëpriti në Prishtinë dhe Ferizaj shfaqjen Balava, një produksion teatror i Heartefact Fund. Kjo do të ishte hera e parë në dy dekada që në Ferizaj shfaqej një produksion teatror serb. Gjatë atij edicioni, ne organizuam edhe një diskutim me Jasna Duriçiq dhe Mirjana Karanoviq, dy aktore të njohura serbe aktive edhe gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, duke i ofruar kështu audiencës njohuri se çka nënkuptonte të ishe aktore në atë kohë dhe si është rishpikur roli i aktores në rrethanat e reja në rajon dhe në botë. Po atë vit, HFestival shërbeu si platformë e rëndësishme për shkëmbim kulturor. U zhvilluan disa diskutime të rëndësishme rreth aspekteve të përbashkëta dhe sfidave të shoqërive kosovare dhe serbe me panelistë – gazetarë, shkrimtarë, artistë – nga të dy vendet.
Në vitin 2022, në Beograd u shfaq Balkan Bordello, një koproduksion i Qendrës Multimedia me La MaMa Experimental Theatre Club (New York), Atelje 212 (Beograd) dhe My Balkans (New York/Beograd). Kjo shfaqje teatrore që përshkruan një realitet të njohur për Ballkanin – atë të shoqërive të pasluftës dhe perceptimin për të kthyerit nga lufta si heronj – tërhoqi mbulim të gjerë mediatik në Beograd, duke hapur kështu diskutime të rëndësishme për të dyja shoqëritë.
Në këto dy vite të ekzistencës së Reconnection 2.0 si platformë për shkëmbim kulturor, janë përkthyer dhe botuar libra nga autorë të rinj dhe autorë të mirënjohur nga të dyja vendet, në shqip dhe serbisht përkatësisht, me qëllim që audiencave në të dyja vendet t’u sigurohet qasje dhe njohuri mbi temat aktualisht të nxehta dhe intriguese për të dyja shoqëritë përkatëse.
Edhe rezidencat artistike të Reconnection 2.0 janë një shtyllë e rëndësishme e programit trevjeçar. Në vitin 2021, punuam për kurimin e të ashtuquajturave “rezidenca të angazhuara”, përmes të cilave jo vetëm mirëpritëm artistë nga të dyja vendet, por edhe punuam nga afër me ta dhe i përdorëm programet tona ekzistuese si platforma në të cilat këta artistë t’i ekspozonin punët e tyre. Teksa Milica Denkoviq i ekspozoi poezitë dhe punimet e saja vizuale gjatë edicionit të njëmbëdhjetë të polip – Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, veprat letrare dhe performancat e Agon Rexhepit dhe Dardan Zhegrovës ishin një kontribut pasurues për Javën e Krenarisë 2021 në Beograd.
Reconnection 2.0 do të vazhdojë të shërbejë si fole për artistët nga të dyja vendet, ku ata të prodhojnë, të ngrenë pyetje dhe të kthehen në agjentë qendrorë të nxitjes së një qasjeje nga poshtë-lart drejt krijimit të një platforme të shëndetshme, të qëndrueshme dhe afatgjatë për shkëmbim kulturor.