Janar 22, 2025 | Wednesday
Nga: Leonora Aliu
I vendosur në objektin e vjetër të ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në sheshin Skandërbeg në Prishtinë, muzeu i veçantë “Reporting House” u hap në Prishtinë në qershor 2024. Misioni i muzeut është të rrëfejë historinë bashkëkohore të vendit duke mbuluar ngjarjet nga viti 1989 deri në fund të vitit 1999, duke u shtrirë nga rezistenca paqësore deri te lufta e armatosur, duke kulmuar me çlirimin e Kosovës. Muzeu mbulon gjerësisht shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë viteve nëntëdhjetë.
Projekti u iniciua nga Jeta Xharra, Drejtore Ekzekutive e BIRN Kosova, gazetare e njohur dhe producente e muzeut. Duke u mbështetur në përvojën e saj në raportimin e luftës për BBC-në (1997–1999), kur punoi si organizatore dhe më vonë producente lokale, Xharra udhëhoqi përpjekjet për të digjitalizuar 30 orë mbulim mediatik ndërkombëtar për Kosovën..
Duke folur për Shtëpinë e Evropës në Kosovë, ajo tha: “Njëzet e pesë vjet pas luftës, është koha t’i paketojmë vitet nëntëdhjetë në një muze dhe të mos vazhdojmë të jetojmë në to. Është gjithashtu koha të krijojmë një narrativë të përbashkët, të balancuar dhe gjithëpërfshirëse për atë që ka ndodhur dhe ku ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë sesa përmes asaj që raportuan mediat ndërkombëtare në atë kohë. Është gjithashtu e rëndësishme të ruhet kujtimi i luftës së civilëve dhe rezistencës civile të ngulitura në kulturën tonë. Vendit tonë i ka munguar një muze modern, i cili, pa patos, përkujton kontributet e popullatës civile për lirinë që gëzon sot Kosova”.
Duke shënuar një çerek shekulli nga fundi i luftës, ekspozita e kuruar në Shtëpinë e Raportimit i ofron audiencës lokale dhe ndërkombëtare një reflektim të thelluar mbi konfliktin evropian që përcaktoi mbylljen e shekullit të 20-të.
Prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita paraqet punën e gazetarëve, fotografëve dhe profesionistëve të medias krahas veprave të artit bashkëkohor. Këto nxjerrin në pah ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.
Vizitorët mund të rrugëtojnë përmes konfliktit të viteve 1990, nga rezistenca paqësore e shqiptarëve të Kosovës pasi Millosheviqi revokoi statusin e Kosovës si një Krahinë Autonome e ish-Jugosllavisë dhe Dejtoni në vitin 1996, deri në lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e viteve 1998-1999, duke kulmuar në fushatën ajrore 11-javore të NATO-s që çoi në çlirimin e Kosovës dhe sulmet hakmarrëse që pasuan kundër joshqiptarëve që jetonin në Kosovë në gjysmën e dytë të vitit 1999.
Ekspozita paraqet draftin e historisë të shkruar prej gazetarëve, teksa demonstron rolin qendror të medias, shoqëruar me interpretimet artistike të këtyre ngjarjeve.
Ekspozita përfshin vepra të artistëve të shquar ndërkombëtarë si Anri Sala dhe Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku dhe Olafur Eliasson nga Islanda-Danimarka, ndër të tjerë. Artistët lokalë në rritje, duke përfshirë Vullnet Jakupin dhe Vita Kasapollin nga Kosova, janë gjithashtu të paraqitur dukshëm.
Gazmend Ejupi, kurator dhe profesor i arteve, konceptoi idenë e ndërthurjes së artit modern me gazetarinë për të krijuar këtë ekspozitë të veçantë.
“Ne kemi kombinuar materialet, fotografitë dhe videot e gazetarëve me artin bashkëkohor që trajton tema të përvojave të refugjatëve dhe konflikteve globale. Kjo ofron një pasqyrë reflektuese ndaj rezistencës sonë lokale duke shfaqur artistë të njohur ndërkombëtarë në një hapësirë kulturore të transformuar rishtazi”, tha Ejupi.
Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës foli në hapje të ekspozitës për rëndësinë e materialeve të paraqitura në këtë ekspozitë:
“Është e rëndësishme që në këtë ekspozitë të shohim trashëgiminë tonë moderne, nga greva e mirënjohur e minatorëve të Trepçës kur kërkuan të drejta të barabarta me etnitë e tjera në ish-Jugosllavi, tek lufta paqësore e udhëhequr nga Rugova dhe më pas rebelimi i armatosur i UÇK-së dhe ndërhyrja e NATO-s. Të gjitha këto na e bënë të mundur që ne të jemi përgjegjës për të ardhmen tonë, ta planifikojmë atë dhe t’i hapim rrugë të ardhmes sonë – këtë jemi në gjendje ta bëjmë ne, jo dikush tjetër në emrin tonë”, tha Rama në hapjen e 10 qershorit.
Në kuadër të kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 reportazhe televizive nga rrjetet ndërkombëtare, të filmuara dhe transmetuara për Kosovën në periudhën 1992-1999. Këto përfshijnë raportime nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV, NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV spanjoll) dhe Frontline Television News. Këto raportime nxjerrin në pah punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave, përkthyesve dhe producentëve lokalë që kanë kontribuar në to.
Kontribuesit në këtë ekspozitë përfshijnë Jeremy Bowen, Ben Brown, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Lowe, Max Stahl, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andrew Testa, Pal S. Refsdal, Flaka Surroi, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Weller, Sean Whelan, Goran Tomasevic, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Gazmend Avdiu, the Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK, dhe Oral History Kosovo.
Sfidat me të cilat u përballën gazetarët gjatë luftës në Kosovë rezonojnë sot teksa raportojnë për konfliktet në Ukrainë, Gaza, Sudan dhe Etiopi, shpesh duke u përballur me propagandën dhe rritjen e keqinformimit në rrjete sociale.
Reporting House është vendosur në ish-shtëpinë e mallrave Gërmia në Prishtinë, e cila për herë të parë është shndërruar në një lokacion kulturor. Krahas këtij lokacioni kryesor, hapësira si Hamami i Prishtinës dhe Paper Gallery mbështesin misionin e muzeut për të nxitur reflektimin, dialogun dhe shërimin, ndërkohë që avokohet për një të ardhme pa luftë.
Pjesa më e madhe e materialit arkivor televiziv dhe artefakteve u dhuruan nga Vaughan Smith nga Frontline News Television, i cili punoi në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.
Komuna e Prishtinës ka kontribuar dukshëm në infrastrukturën e muzeut, ndërsa Ambasada Holandeze është donatori kryesor i ekspozitës.
Bashkimi Evropian në Kosovë mbështet BIRN Kosova në iniciativa të ndryshme të fokusuara në raportimin investigativ, verifikimin e fakteve, personat e zhdukur dhe të drejtat e punës. BE-ja gjithashtu e mbështet punën e BIRN-it në rajon duke u fokusuar në të drejtat digjitale, duke rritur cilësinë e gazetarisë përmes mbështetjes së transmetuesve publikë, gazetarëve dhe kontrolluesve të fakteve dhe mediave lokale në mbarë Ballkanin Perëndimor.