Janar 27, 2015 | Tuesday

Veprimtaria kërkimore-shkencore dhe inovacioni si parakushte për “ekonominë e bazuar në dije”

Në përputhje me idenë e “ekonomisë së bazuar në dije”, veprimtaria kërkimore-shkencore, inovacioni dhe shkathtësitë nuk janë më qëllim në vetvete por duhet të përmbushin nevojat individuale dhe shoqërore dhe duhet të sinkronizohen me veprimtari të ndryshme socio-ekonomike. Inovacioni ka qenë pjesë përbërëse e strategjisë së BE-së si gjenerues i rritjes ekonomike dhe i vendeve të punës.

Horizonti 2020 është programi më i madh i BE-së ndonjëherë për veprimtari kërkimore-shkencore dhe inovacion, me rreth 80 miliardë euro financim në dispozicion për 7 vite (2014- 2020) – përveç investimeve private. Programi është i mbështetur në marrjen e ideve të mëdha nga laboratori deri në promovimin në treg të risive, zbulimeve dhe të qenit i pari në botë. Horizonti 2020 është një instrument financiar përmes së cilit zbatohet Bashkimi i Inovacionit, një nismë kryesore e Evropës 2020 që mëton të sigurojë konkurrencën globale të BE-së.

Duke kombinuar veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe inovacionin, Horizonti 2020 do të përqendrohet kryesisht në shkencën ekzakte, udhëheqjen industriale dhe sfidat shoqërore. Qëllimi është që të krijohet një urë mes sektorit publik dhe atij privat në krijimin e inovacionit në fushën e shkencës.

Vendet e BE-së inkurajohen për të investuar 3% të GDP-së së tyre në veprimtari kërkimore-shkencore dhe inovacion deri në vitin 2020 (1% financim publik, 2 % investim në sektorin privat) që pritet të krijojë 3.7 milionë vende pune dhe të shtojë GDP-në vjetore të BE-së me rreth 800 milionë euro. Mbështetja e shoqërive përfshirëse, krijuese dhe reflektuese është një parakusht për integrim evropian të qëndrueshëm.

Veprimet kyçe të ardhshme kërkimore-shkencore dhe në inovacion për vitin 2015 do të përqendrohen në idetë e reja, strategjitë dhe strukturat e qeverisjes për të tejkaluar krizën në Evropë, brezat e rinj në një Evropë krijuese, përfshirëse dhe të qëndrueshme, promovimin e trashëgimisë kulturore evropiane, bashkëpunimin me vendet e treta për veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe inovacion, format e rejat të inovacionit në sektorin publik, etj.

Raporti i progresit i vitit 2014 ka nënvizuar kapacitetet e kufizuara në Kosovë për të përmirësuar kapacitetin kërkimor-shkencor dhe inovacionin. Siç ceket edhe në raport: “Buxheti për veprimtari kërkimore-shkencore mbetet tejet i kufizuar për të krijuar konkurrencë dhe jetësimi vuan nga kufizimet buxhetore…”. Kosova ka hartuar një strategji për inovacion, por ajo ende nuk është miratuar.

Lidhjet mes veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe kompanive afariste janë tepër të dobëta. Institutet kërkimore-shkencore dhe për inovacion nga Kosova gëzojnë të drejtën e pjesëmarrjes dhe financimit në cilësinë e vendit të tretë.

Përveç kësaj, raporti nënvizon nevojën e menjëhershme për të fuqizuar kapacitetin për veprimtari kërkimore-shkencore dhe inovacion përmes rritjes së investimeve në sektor dhe me anë të masave efikase për të lehtësuar integrimin e Kosovës në Zonën Evropiane për Veprimtari Kërkimore-Shkencore dhe kontributin e saj në Bashkimin e Inovacionit.