Shtator 6, 2022 | Tuesday
*Shkrimtarja dhe aktivistja Ervina Halili, në vitin 2013 me vetë-iniciativë dhe në bazë vullnetare nis projektin për ruajtjen dhe digjitalizimin e materialit letrar të publikuar gjatë viteve 1945 – 1999 nga shtypshkronja “Rilindja”. Në vitin 2021, pas hulumtimit dhe grumbullimit të materialeve të shumta, intervistave me shkrimtarë dhe ish-punëtorë të Rilindjes, arrin të formësojë dhe lansojë platformën digjital Arkivi Rilindja. *Projekti Arkivi Rilindja, është lancuar në kuadër të Plaformës Heritage Space, përkrahur nga #BE. Por si nisi gjithçka dhe për çka shërben platforma digjitale Arkivi Rilindja, rrëfen vet Ervina në një shkrim për Shtëpinë e Evropës!
“Rilindja – një fantazmë e ringjallur”
Shkruan: Ervina Halili – Shkrimtare
Gjithçka nisi pa pritë e pa kujtu, ashtu siç edhe nisin gjërat e bukura.
Unë isha studente e letërsisë në atë kohë, dhe tashme kisha botuar librin tim te parë. Ende kisha shumë kureshtje dhe mahnitesha me rrymat letrare dhe vetë procesin e shkrimit. Po hulumtoja se si ato rryma e kanë prekë letërsinë në Kosovë. Papritmas hasa që edhe letërsia e Kosovës ka pasur poetë që kanë tentuar të ekperimentojnë dhe t’i ndjekin rrymat letrare, aq sa edhe poetë shumë autentikë që nuk futeshin dot në asnjë rrymë trendi letrar.
Prishtina ishte më e thjeshtë dikur, kishte më shumë shije e laramani. Gjithmonë shihja rrugës për në fakultet një burrë në moshën e gjyshit tim, i gjatë, thatim, mbante gazeta ndër sqetull, kapelë gjysmë berete dhe një jelek me xhepa që i kishte gjithmonë të stërmbushur me letra. I ka kaluar Prishtinës ajo kohë e bukur, nuk sheh më njerëz të tillë rrugës.
Saherë kaloja rrugës së filologjikut, përshëndeteshim sikur të ishim miq. Mendoja se ishte ndonjë i moshuar në pension që nuk kishte se çfarë të bënte me ditën e tij. Një ditë, teksa po kaloja në të njejtën rrugë me një kolegë studimesh, njeriu me beretë kaloi pranë nesh përsëri dhe më përshëneti, ndërsa kolegu im më pyeti:
-E njeh ti kush është ky?
-Jo i thashë por ne përshëndetemi, ndonjë piktor duhet të jetë
– Ti dje pate në dorë librin e tij.
Mbeta shumë e hutuar. Nuk e dija që autori i librit ishte i gjallë, u ndjeva e turpëruar. Çdokush në fakultet fliste për këta njerëz sikur të ishin të lashtë, dhe libri ishte i botuar në vitet e 60-ta nga Rilindja, mendoja në ndonjë shoqëri të vdekur.
Ndjeva shumë keqardhje, që u endkan të gjallët si fantomë, këta përkushtues letrash, u sillkan qytetit me ndjesi të vyshkur, të pa inkuadruar. Mesiguri kush nuk pyet për ta mendova.
Në mendjen time naive, nuk ishte e thjeshtë të jesh shkrimtar, dhe bota kishte një respekt të jashtëzakonshëm për shkrimtarët e tyre. Por tani e kuptoj se bota ka më shumë respekt për shkrimtarët e vdekur. Duhet njëherë ta ndërtojmë mitin rreth tyre që ta respektojmë mitin se jo njeriun.
Do ta bëj mik i thashë vetes, në herën tjetër kur ta takoj, do ta gjej një pretekst kinse dua të ia dhuroj librin tim, veç sa të njihem me të.
Dhe ashtu bëra, unë i ofrova librin tim e ai më tha, nesër kur të kalosh kah EDI ( një embëltore e vjtër) aty ta lë librin tim.
Të nesërmen shkova te Edi, dhe aty, po rrinte i vetmuar poeti me jelekun xhepa-plot.
U ula pa më thënë dy herë, dhe nisa ta pyesja për të gjitha rrethanat në të cilat shkruhej dikur letërsia. Nuk e di nëse i interesonte shumë kureshtja ime, por kishte shumë dëshirë të fliste për atë kohë kur prodhonte furishëm tekste, dhe përvec të tjerash, kishte qenë edhe redaktor i kulturës i gazetës Rilindja.
Ditëve të tjera kaloja qëllimshëm kah Edi, edhe kur i gjeja në grup, duke diksutuar për këtë shkrim e atë shkrim, vetëm ulesha, si të isha e ftuar. Habitesha sa njohuri kishin për letërsinë botërore, dhe çfarë ndjesish analitike për poezinë. Bisedat e tyre ngjallnin më shumë kureshtje se mësimet e mërzitshme në fakultet. Mjafton të bëja një pyetje të thjeshtë prej një kureshtari që sapo ka nisur t’i kuptojë gjërat, dhë shpërthenin lloj lloj tregimesh dhe ndjesish. Mësimet e tyre ishin të gjalla, kishin shpirt.
Tregimet ishn aq fascinuese sa nisa të koleksionoja të gjitha librat e Rilindjes për të cilat flisnin. Kërkoja edhe vetë libra për Rilindjen, duke qenë se kishte një historik shumë filmik se si kishte nisur e tëra, por nuk gjeja asgjë. Një ditë vendosa të shkoja ta shihja vetë objektin, dhe e gjithë ëndrra që më kishin dhënë grupi i shkrimtarëve te Edi, u përmbys e më ra mbi kokë si qielli.
Unë kisha harruar që ata flisnin për një të kaluar dhe e përshkruanin aq gjallë. Objekti ishte i pa qasshëm sa i përket shtypshkronjës dhe makinave, ndërsa objekti i pallatit të cilin e kisha krejt të gjallë nga rrëfimet e tyre imazhiste, ishte plot me zyre të shtruara në pllaka që shkëlqenin dhe gra me taka që kërcisnin tak-tak pa e ditur se mbi çka po ecnin e burra me kostum të ri fingo.
Nisa të bëja një listë, fillimisht të njerëzve që mund t’i takoja që do të më jepnin më shumë informacion, dhe gradualisht nisa të kuptoja më shumë për gjithçka, dhe po ta përshkruaj këtu, ju duhet të më botoni një libër.
Njerëzit e grupit të Edit nisën të iknin nga kjo jetë dhe poeti xhepa-plot ndjehej gjithmonë e më i vetmuar, më i lodhur. E dija se të paktën e lumturonte kur kujtonte miqtë e vjetër por edhe kohën kur punonte në Rilindje dhe botonte poashtu librat e tij. Një ditë bashkë, u afruam te hyrja e shtypshkronjës, edhe roja që rrinte te hyrja, nuk na la të hynim se nuk kishim një leje që duhej të merrej në AKP.
Punëtori nuk e njihte, dhe ndjente autoritet të plotë për ta larguar.
Ishte shumë i trishtuar shkrimtari xhepa-plot dhe më tha:
Isha e merakosur se i pashë tek i dridhej buza në vaj. Vendosa të ecja disa metra larg tij. Ai hyri te Elida.
Elida ishte krejt e zbrazët.
Ai ishte shumë i mërzitur. Doja të mos më shihte. Kisha një aparat me vete që e kisha marrë për ta filmuar brendinë e Rilindjes. E shkrepa një foto tej xhamave të Elidës dhe ika me zemër të thyer. Ishte viti 2012.
Nuk e kuptoja si mund të ndodhte një gjë e tillë, me një njeri që kishte lënë një mori librash mbas, dhe nuk arrija të kuptoja se si mund të ndodhte një gjë e tillë, me një institucion që paska ruajtur aq shumë rrëfime brenda, të cilat mund të ndërtonin një rrëfim të plotë se si paska qenë e organizuar jeta intelektuale në Kosovë që nga mbas Lufta e Dytë Botërore.
Kureshtja se si dukej shtypshkronja brenda, rritej çdo ditë e më shumë, poashtu edhe kureshtja për të parë materialet brenda, siç janë fotografitë, dorëshkrimet për të cilat më fliste poeti xhepa-plot, raftet e rrobave të punëtorëve të mbushur me posterë etj.
Vendosa fillimisht të mblidhja materialet e shkrimtarit xhepa-plot, pastaj t’i kontaktoja familjarët e atyrë që nuk jetonin më, të shoh nëse ata mund të kishin ndonjë gjë që e kishin ruajtur nga puna e babait ose nënës së tyre në Rilindje.
Ju e dini, e shumta e ekonomisë Jugosllave bazën e kishte te ndërmarrjet shoqërore të cilat kishin një organizim në mes të sistemit kapitalist dhe atij qëndror sovjetik të planifikimit. Ky organizim thirrej në vetë-menaxhim, ku punëtorët ishin bashkaksionarë të ndërmarrjes, dmth ata shfrytëzonin asetet dhe fitonin vëtë nga produktet e ndërmarrjes por pronësia e saj ishte e vetë shtetit.
Mbas Luftës në Kosovë, çdo gjë që i takonte këtij sistemi dhe ishte ndërtuar në kohën e Jugosllavisë, do të menaxhohej nga UNMIK-u, i cili në bazë të rezolutës 1244, legjitimoi hapjen a AKM-së (Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit) që më vonë u shndërrua në AKP ( Agjencioni Kosovar i Privatizimit) në mënyrë që vëtë AKP të kujdesej për menaxhimin, privatizimin, shitjen likuidimin e këtyre ndërmarrjeve. Dhe ashtu ndodhi. Gradualisht AKP nxirrte në shitje asetet e ndërmarrjes Rilindja dhe sa herë që i shihja ndjeja dëshpërim.
Për ta shkrurtuar rrëfimin..
Bashkë me “Trashëgimia Kulturore pa Kufi”, menduam që mund të shfrytëzonim materialet që tashmë kisha mbledhur ndër vite, që ta bënim këtë çështje më publike duke marrë parasysh poashtu se asgjë nga arkivi i Rilindjes, ndryshe nga ajo që kisha në imagjinatë dikur, nuk kishte mbetur gjallë. E tëra e humbur, e lënë në lagështi, e shitur, e likuiduar.
Kur u lancua arkivi virtual dhe filmi dokumentar, salla ishte e mbushur, dhe pas bërjes publike të përpjekjes, njerëzit nisën të ofroheshin edhe më shumë, për të kontribur.
Të paktën, sot, kur flasim për Rilindjen, nuk e shohim vetëm një objekt të zbrazët, ose një kujtim të vdekur, Për të cilin gjeneratat e ardhshme nuk do të kenë idenë, por e kemi mendjen e mbushur se çka ishte me të vërtetë dhe se si do të mund të organizohej në të ardhmen një hapësirë në kujtim e nderim të saj, por edhe në nderimin e krejt neve që ishim pjesë e kësaj shoqërie edhe hëngrëm nga frutat e saj për t’u rritur në imagjinatë e intelekt. Të paktën Rilindja është riaktualizuar si temë dhë është gjallë, ndonësë miku im xhepa-plot, iki nga kjo jetë, një muaj pas lancimit të arkivit, me dëshirën se nuk do të harrohej ai, miqtë e tij dhe i tërë kontributi i kësaj shoqërie për ta mbajtur të gjallë shkrimin në gjuhën shqipe.