Gusht 21, 2020 | E premte

Share This Post With:

Rrëfimi i Bojana Beoviq nga Sllovenia: Si veproi shteti në mënyrë të suksesshme me pandeminë

Fotografitë: Bor Dobrin

Prof. Bojana Beoviq, MD, PhD e diplomuar në Universitetin e Mjekësisë në Lubjanë, aktualisht vepron si drejtuese e grupit të ekspertëve për mos-përhapje dhe kontroll të epidemisë COVID-19 në Ministrinë e Shëndetësisë të Sllovenisë. Beoviq ka një histori për të na rrëfyer dhe një gjë për të cilën mund të reflektojmë dhe të mësojmë gjatë këtyre kohërave të pashembullta.

Sllovenia, anëtare e Bashkimit Evropian që nga maji 2004, kaloi valën e parë të infeksioneve relativisht të buta dhe shteti ishte në izolim nga 13 Marsi deri më 20 Prill kur filloi heqja graduale e kufizimeve.

Infeksioni erdhi në Slloveni nga turistët që udhëtonin kryesisht për në Itali. Vala e parë relativisht e butë por pa mbingarkesë të spitaleve dhe të reparteve të kujdesit intenziv u arrit si rezultat i vendosjes së shpejtë të masave kufizuese.

Reagimi i shpejtë ka gjasa të jetë rrjedhojë e afërsisë me Italinë dhe informatave në lidhje me gjendjen e kujdesit shëndetësor në Italinë e veriut.

“Pas valës së parë, e patëm një periudhë me shkallë shumë të ulët të infektimit që u pasua me ri-paraqitjen e virusit, këtë herë nga Evropa Juglindore. Ri-paraqitja ishte pasojë e kufijve të hapur, trafikut të madh ndërmjet Sllovenisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe rritjes së shkallës së infeksionit në ato shtete. Pas ri-paraqitjes së virusit ne arritëm ta ulim nivelin e rasteve të importuara me regjim më të rreptë në kufij, por në të njëjtën kohë infeksioni i ri-paraqitur filloi të përhapet në nivel lokal. Mbledhjet e ndryshme familjare dhe ngjarjet e ngjashme dukeshin se ishin një nga faktorët kryesor të përhapjes, dhe në javët e fundit kemi vërejtur edhe përhapjen në mes të kolegëve të punës. Jemi pak a shumë në gjendje ta kontrollojmë situatën me kufizimin e tubimeve dhe epidemiologjinë në terren duke përfshirë karantinat, por jemi të vetëdijshëm për potencialin e epidemisë për të shpërthyer përsëri” thekson Beoviq.

Disa fushata në Slloveni theksojnë vazhdimisht seriozitetin e virusit, ndërsa i shtyjnë njerëzit të jenë përgjegjës dhe të marrin masa parandaluese.

“E kishim dhe ende kemi një fushatë që i inkurajon njerëzit ta mbajnë distancën fizike, t’i dezinfektojnë ose lajnë duart, të bartin maska, fushatat janë të rëndësishme dhe besojmë se fushatat duhet të jenë më të forta se ato që i kemi aktualisht. Po mundohemi që gjatë gjithë kohës t’i këshillojmë qytetarët në media, por në përgjithësi besojmë se fushatat dhe këshillat nuk janë mjaftojnë, ato duhet të kombinohen me ndërhyrje të detyrueshme”, thotë Beoviq, njëkohësisht doktor specialist i infektologjisë dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Lubjanë.

“Ekzistojnë dy probleme kryesore me të cilat duhet të merren ministritë dhe profesionistët gjatë epidemisë: e para është ndalja e transmetimit të virusit dhe ulja e numrit të rasteve. Tjetri, organizimi i sistemit të kujdesit shëndetësor që duhet të jetë i aftë të merret me epideminë. Ai përfshinë shërbimin shëndetësor parësor që është në gjendje ta bëjë triazhimin e pacientëve dhe të organizojë pika të qasshme të testimit, diagnostikim cilësor të mikrobiologjisë në laboratorë që është gjerësisht i disponueshëm dhe në kohë, epidemiologji në terren që izolon shpërthimet dhe siguron informata për trendet e përhapjes së virusit për dizajnimin e ndërhyrjeve të duhura, dhe pastaj natyrisht sistemin spitalor që është në gjendje të merret me numrin në rritje të pacientëve. Në kuptim të kontrollit të përhapjes së virusit, analiza e valës së parë në disa shtete të BE-së tregoi se izolimi është metoda më efikase dhe për këtë arsye rekomandohet kur përhapja e virusit duket e pakontrollueshme. Izolimi duhet të hiqet pas futjes në kontroll të valës të madhe dhe të zëvendësohet menjëherë me distancën sociale, higjienën e duarve, maskën dhe me epidemiologjinë në terren dhe ndërhyrjet e përshtatura bëra për t’i kontrolluar shpërthimet individuale”, shprehet Beoviq.

*

Në Slloveni, si në shumë shtete tjera të Evropës, shumë njerëz i kanë besuar keqkuptimeve dhe komploteve që qarkullojnë në diskursin e përgjithshëm, shumë shpesh të lidhura me interesin personal të politikanëve dhe kompanive të mëdha apo edhe me valët e rrjetit 5G.

“Problemi është disi i ngjashëm me fushatat kundër vaksinimit. Është shumë e rëndësishme të jesh transparent dhe t’i shpjegosh detajet e patogjenezës, prezantimin klinik dhe epidemiologjinë e virusit në gjuhë që populli mund ta kuptojë. Shumica e njerëzve mund ta kuptojnë informatën dhe të mos i besojnë më komplotit ose mos-ekzistencës së virusit. Pakica që beson fuqimisht në lidhjen ndërmjet virusit dhe rrjetit 5G ndoshta nuk duhet të adresohet fare, sepse nuk është e mundur t’i bindësh për asnjë fakt”.

Sidoqoftë, Beoviq pajtohet se virusi po sjell një rend të ri botëror dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të përshtatemi.