Gusht 6, 2024 | Tuesday
Nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, kuratorë të ekspozitës
Gjashtë studentë/e të artit nga Universiteti i Prishtinës u bashkuan në ekspozitën “Shkrirje realitetesh” që u hap në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë më 26 qershor. Të përzgjedhura me kujdes nga mentori i tyre – profesori Yll Xhaferi – këto vepra të gjashtë artistëve/eve të rinj/reja shfaqin praktika të ndryshme, secila duke shpalosur një shtresë të re të realitetit, në mënyrë të veçantë.
Më poshtë po ju sjellim tekstin kuratorial të ekspozitës, të shkruar nga kuratorët Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, për t’ju ofruar një pamje më të afërt të asaj se çfarë përfaqësojnë secila nga veprat
“Shkrirje Realitetesh” është tregues i individualitetit dhe krijimtarisë kolektive, duke shfaqur një përzierje eklektike të pikturës, instalacionit, skulpturës dhe videos. Secili artist paraqet një realitet të veçantë, një univers personal të ideve dhe ndjenjave, por së bashku ata formojnë një hapësire bashkëpunuese, një prezentim i fuqisë së dallimeve në praktikën artistike dhe potencialit transformues.
Rinor Dauti, i frymëzuar nga konceptet e John Keane, eksploron “despotizmin e ri”, një formë dominimi e dallueshme nga autoritarizmi dhe totalitarizmi.
Veprat e Dautit, me objekte të vendosura mbi kartëmonedha, kritikojnë këtë sistem duke theksuar sesi segmentet e privilegjuara grumbullojnë pasuri në kurriz të shoqërisë.
Rinea Mustafa me punën e saj adreson ndotjen vizuale dhe mbingarkesën kognitive që ngjan me reklama që i nxisin shikuesit të veprojnë, të mendojnë dhe të konsumojnë. Duke përdorur “chat boxes” dhe mesazhe të përsëritura si koncept, ajo e inkurajon një gjendje meditimi, duke i lejuar shikuesit ta përjetojë punën privatisht në errësirë.
Puna e Elienta Culajt kombinon dizajne posterash dhe fotografi, duke ndërthurur elementë të vjetër dhe bashkëkohorë. Frymëzuar nga filmat TV Junior të viteve ’90, posterat e saj paraqesin Pop Art, minimalizëm dhe art 3D, duke kapur një frymë spontane dhe eksperimentale. Fotografia e saj, e ndikuar nga arketipet e Carl Jung, përdor hijet dhe lëvizjet për të shtuar thellësi dhe për të evokuar dimensione të reja të perceptimit.
Diellza Hyseni synon të kapë kompleksitetin e ndërveprimit njerëzor përmes një video formati, ku eksploron se si komunikimi njerëzor shkon përtej fjalëve, duke u fokusuar në shprehjet joverbale si mimika. Ajo sugjeron që mimika i bën jehonë emocioneve dhe synimeve më të thella, duke nxitur ndjeshmërinë dhe lidhjen. Ky koncept na sfidon të marrim parasysh autenticitetin kundrejt imitimit, duke theksuar rolin e shenjave joverbale në të kuptuarit e dinamikave ndërpersonale.
Pikturat psikodelike të Diona Ramadanit janë një eksplorim i ngjyrës dhe formës. Çdo pëlhurë është e mbushur me nuanca dinamike dhe kompozime abstrakte, duke krijuar një përvojë tërheqëse vizualisht. Përmes këtyre veprave, Ramadani fton shikuesit të thellohen në emocionet e tyre, ku përmes abstrakcionit inkurajon interpretimin personal.
Jeta Neziri në vizatimet dhe skulpturat e saj përdor imazhe sureale dhe detaje hiper-realistike. Përmes punës së saj ajo investigon ndërveprimin midis hapësirës dhe perceptimit, duke krijuar një ëndërr që sfidon shikuesit të rishikojnë mjedisin e tyre.
Parimisht, kjo ekspozitë është një shfaqje e sinergjive artistike. Çdo vepër, megjithëse e dallueshme në zërin dhe praktikën e vet, i kontribuon një tregimi më të madh të bashkëjetesës dhe ndërveprimit.
Duke sjellë këta gjashtë artistë së bashku, “Shkrirje Realitetesh” jo vetëm që thekson punën e tyre të veçantë, por gjithashtu nënvizon se përvojat dhe shprehjet tona mund të lidhen për të krijuar diçka shumë më të madhe.